Kurti flet për koalicionin me Listën Guxo, paralajmëron fitore në zgjedhjet e 9 shkurtit – ka një mesazh për opozitën!

Aktuale

Kurti flet për koalicionin me Listën Guxo, paralajmëron fitore në zgjedhjet e 9 shkurtit – ka një mesazh për opozitën!

Më: 5 tetor 2024 Në ora: 11:36 Përditësuar në ora: 14:27 më 05.10.2024
Albin Kurti

Haxhiu: Qeveria Kurti është e pa korruptuar, tendencat për hakmarrje do të rriten

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se qeveria Kurti është e pa korruptuar dhe se ata nuk e keqpërdorin detyrën zyrtare.

Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Haxhiu tha se sulmet, tendencat për hakmarrje dhe shpifjet e kundërshtarëve politik do të rriten, pasi sipas saj plani i tyre është që të ndikojnë tek qytetarët.

Haxhiu: Qeveria Kurti është e pa korruptuar

“Sulmet, tendencat për hakmarrje do të rriten sepse plani i tyre i përbashkët është të arrijnë të ndikojnë te qytetarët. Shpifja e tyre të bëhet e vërtetë për qytetarët e Kosovës. Po përpiqen me krejt çka kanë të thonë se ‘Edhe ju jeni si ne, edhe ju jeni të korruptuar’. Por, ata e donë të bëhemi si ata, por ne kurrë nuk do të bëhemi si ata. Qeveria Kurti është qeveri e pa korruptuar. Ministri i Qeverisë Kurti, kryeministri nuk e keqpërdor detyrën zyrtare”, tha Haxhiu.

Ministrja Haxhiu potencoi se gjatë kohës së qeverisjes janë përballur me akuza të pabaza nga opozita. Ajo tha se është mbajtur dy ditë në prokurori, sipas saj veç pse ka thënë se “prokurorët dhe gjyqtarët kanë tentuar të funksionojnë me neve si me qeveritë e kaluara”.

Haxhiu: Jemi përballur me shumë shpifje e akuza të pabaza

“Është tepër e rëndësishme edhe sanksionimi i Serbisë, sepse Serbia është bërë strehë e kriminelëve të luftës, po ashtu edhe për ata që kryejnë sulme terroriste në kohë të paqes. Gjatë kësaj kohe jemi përballur me shumë shpifje dhe akuza të pabaza. Merren me Rozetën, kryeministri e përmendi është 30 herë më shumë rezerva shtetërore, merren me ministren Hajdari…Merren me Hajrullahun, me Xhelalin, me ministrat e qeverisë Kurti. Dy ditë më kanë mbajtur në prokurori veç pse kam thënë se prokurorët dhe gjyqtarët kanë tentuar të funksionojnë me neve si me qeveritë e kaluara. Pra, t’i bëjnë favore njëri-tjetrit, por ne kemi thënë jo”, potencoi Haxhiu.

Përveç tjerash, Haxhiu tha se faza mobilizuese për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 veçse ka filluar, derisa shtoi se fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje do të varet edhe nga votat e grave.

Haxhiu: Kemi hyrë në fazën mobilizuese për zgjedhje

“Së fundi, si kryesi e GVV-së, jemi duke e takuar strukturën e GVV-së gjithandej komunave. Dhe kemi hyrë në fazën mobilizuese për zgjedhje. Po mobilizohemi me strukturën tonë që pastaj së bashku të dalim në terren që të takojmë vajzat dhe gratë në Republikën e Kosovës gjithandej…Për ne është e qartë se sa do të fitojmë si LVV do të varet edhe nga ajo se sa do të na votojnë gratë”, tha Haxhiu. 

​LVV nis mobilizimin për mandatin e ri

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca u shpreh se në prag të zgjedhjeve të përgjithshme aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje duhet të kenë entuziazmin dhe vetëdijen më të lartë për të punuar drejt fitores.

Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Konjufca potencoi se kundërshtarët politik po përdorin strategji duke minimizuar, deformuar e keqinterpretuar arritjet e tyre gjatë këtyre tre vite e gjysmë qeverisje.

Konjufca: Për një votë më pak krejt një strukturë tjetër do të keni në qeverisje

“Për një votë më pak krejt një strukturë tjetër do të keni të qeverisjes edhe të pushtetit në Kosovë. Kjo është arsye pse duhet të kemi vetëdijen më të lartë, entuziazmin më të lartë për të arritur këtë rezultat. Është edhe për një shumë fisnike dhe të rëndësishme, për t’i mbrojtur ato që u kemi krijuar për të mbrojtur këtë sovranitet, për të qenë gjithmonë dera mbyllur për Beogradin në Kosovë...Jam shumë optimist, shumë i etur për të punuar, jam shumë entuziast dhe do të fitojmë”, tha Konjufca.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se gjatë kësaj qeverisje Kosova ka pasur disa arritje që nuk janë bërë më herët.

Konjufca: Ka pasur disa arritje të cilat nuk i kemi parë kurrë më herët në Kosovë

“Kundërshtarët tonë do të mundohen t’i minimizojnë arritjet tona, ato që janë reale. Do të mundohet t’i deformojnë, t’i minimizojnë, t’i keqinterpretojnë dhe aktivisti i Vetëvendosjes, secili prej nesh i ka të themi katër burime të shembujve tanë që ne duhet t’i shfrytëzojmë për të paraqitur arritjet tona dhe punët tona të cilat mendoj ka pasur disa arritje të cilat nuk i kemi parë kurrë më herët në Kosovë”, potencoi Konjufca.

Ndër të tjera, Konjufca theksoi se kundërshtarët e LVV-së po përdorin strategjinë e gërryerjes siç e quan ai, për të ulur përqindjen e votuesve në prag të zgjedhjeve parlamentare në shkurt të vitit të ardhshëm.

Konjufca: Kundërshtarët politik të LVV-së e kanë një strategji gërryerjes

“Kundërshtarët politik të LVV-së e kanë një strategji që unë po dua ta quaj strategjia e gërryerjes. Çka i bie kjo? Kin mbetur edhe katër muaj për çdo muaj t’ia heqin LVV-së nga një apo dy për qind. Ata po mendojnë se ata e arrijnë qëllimin e tyre...populli jonë është shumë inteligjent e ka kuptuar se duhet një mobilizim shumë i madh. Të gjithë të zgjohen e të arrijnë atë 51 për qindëshin ta largojnë Beogradin prej Kosovës”, u shpreh Konjufca.

Kurti godet deputetët që iu larguan, jep mesazhin e fortë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë që drejton ka folur edhe për mospajtimet që kanë qenë brenda Grupit Parlamentar të VV-së në Kuvendin e Kosovës për çështje të caktuara. Kurti në fjalën e tij ka thënë se këto mospajtime kanë qenë të koncentruara më shumë tek disa.

Në fjalën e tij Kurti duket hapur që iu referohet dy deputetëve të larguar nga partia, Eman Rrahmani dhe Visar Korenica, ndonëse nuk i përmend me emra.

Kurti ka paralajmëruar kandidatët që do të synojnë të futen në listën për deputetë të VV-së që ta lexojnë situatën mirë dhe të vetëdijesohen për përgjegjësinë që e kërkojnë.

“Ia kemi borxh qytetarëve që ta pranojmë atëherë kur bashkëpunimi s’ka funksionuar dhe idetë s’na kanë bashkuar. Shpresoj që kandidatët dhe deputetë e ardhshëm ta lexojnë situatën mirë dhe të vetëdijesohen për përgjegjësinë që e kërkojnë para se t’i futen garës. Besnikëria i takon qytetarëve, së dyti i takon edhe parimeve e kauzës politike të cilën e ndajmë me bashkëaktivistet politik me të cilët futemi në garë bashkërisht”, ka thënë Kurti.

Tutje kreu i VV-së ka thënë se s’mund të marrësh vota për të realizuar qëllim të përbashkët dhe më pas të degradosh në synim individual.

“Nuk mund të fitosh në një mënyrë derisa ta realizosh një qëllim të përbashkët, për ta degraduar atë në synim individual, duke braktisur mënyrën me të cilën je futur në garë”, ka thënë Kurti.

“Transformime të tilla duhet të kritikohen dhe problematizohen në organizatën tonë”, ka thënë Kurti.

Kurti, bashkëpartiakëve: Mbështetjen masive që po e gëzon Qeveria do të tentojnë ta minimizojnë me fushata shpifëse

Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes iu drejtua bashkëpartiakëve që të jenë “të vëmendshëm” se do të ketë fushata shpifëse për ta minimizuar “mbështetjen masive” që po gëzon Qeveria e tij.

“Ne duhet të jemi po ashtu të vëmendshëm që këtë mbështetje masive që po e gëzon Qeveria e Kosovës nga qytetarët – dhe do të thotë pashmangshëm edhe Lëvizja Vetëvendosje si drejtuese e saj – do të tentojnë sikurse janë duke tentuar që ta zbehin e minimizojnë përmes formave nga më të ndryshmet e më së shumti e më së shpeshti përmes fushatave të shpifjeve dhe të pavërtetave dhe të nxitjeve dashakeqe”.

Megjithatë, thotë Kurti, qytetarët “po i besojnë drejt situatave”.

“Pavarësisht këtyre përpjekjeve për të shtrembëruar të vërtetat dhe për ta zbehur punën e Qeverisë, të cilat janë të shumta në numër e të gjera për nga ndikimi në popull, qytetarët megjithëkëto po i besojnë drejt situatave sepse populli po i përjeton në përditshmëri ndryshimet e gjithëmbarshme, pozitive e progresiste që po shënon Republika jonë. Këtyre tendencave e përpjekjeve për manipulim ne i kundërpërgjigjemi më së miri me punë e me angazhim dhe i ballafaqojmë më së miri me mobilizim dhe aktivizim”, tha Kurti.

Kurti: Kemi përkrahje sikurse në pranverën e 2021-ës, por më 9 shkurt të gjitha partitë fillojnë nga zero

Kryetari i LVV-së dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën hyrëse të tij në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë së tij ka folur edhe për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Kurti ka thënë se LVV-ja gëzon përkrahje të madhe qytetare dhe se do të synojë të arrijë edhe gjysmë milioni vota në zgjedhjet e 9 shkurtit. Megjithatë Kurti ka thënë se duhet pasur parasysh se në zgjedhjet e reja të gjitha partitë fillojnë nga pika zero dhe se duhet punuar për të arritur numrin e votave që VV kishte marrë në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 e ndoshta edhe më shumë.

 Kurti ka thënë se në zgjedhje do të shkojnë bashkë me GUXO dhe Alternativa dhe se synimi është të fitohet një shumicë e qëndrueshme.

“Në zgjedhjet e ardhshme fillojmë nga vija zero. Të gjithë duhet të punojmë t’i mbledhim rreth gjysmë milioni vota. Të mos llogarisim se i kemi ato vota të 14 shkurtit 2021. Të gjithë partitë fillojnë nga zero”, ka deklaruar Kurti.

Kurti për koalicionin Guxo dhe Alternativën: Do të jemi bashkë, siç kemi qenë në fushatë e në fitore

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje njëherësh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Këshillin e Përgjithshëm të VV-së shprehur mirënjohjen e tij për presidenten Osmani, Konjufcën, Gërvallën e Kusari-Lilën.

Ai foli edhe për koalicionin me Guxo dhe Alternativën, duke thënë se janë bashkë, siç kanë qenë në fushatë dhe siç tha ai, në fitore e në qeverisje.

“Në veçanti dua të shpreh mirënjohjen time sot për këto vite bashkëpunimi me presidentes e Republikës, Vjosa Osmani-Sadriu, kryetarin e Kuvendit të Republikës, Glauk Konjufca, me partinë Guxo dhe Alternativën, për Donika Gërvallën dhe Mimoza Kusarin, duke thënë që ne mbështetemi te njëri-tjetri, sepse populli mbështetet në ne, e ne tek ai” .

“Me Guxo dhe Alternativën do të jemi bashkë në koalicion, ashtu siç kemi qenë bashkë në fushatë, bashkë në fitore, bashkë në qeverisje, së bashku sërish në një listë për zgjedhjet e ardhshme, e para qytetarëve jemi, sepse mbetemi ballëhapur e të gëzuar si askush tjetër para nesh, e nuk po mund të them pas nesh, sepse do të fitojmë sërish”, u shpreh tutje Kurti.

Kurti: Kosova sot është shumë më mirë sesa qe e gjetëm në pranverës e vitit 2021

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje njëherësh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Këshillin e Përgjithshëm të VV-së, tha se Kosova sot është shumë më mirë sesa qe e gjetëm në pranverës e vitit 2021.

Ai u shpreh se vendi ynë është në rrugë të mbarë për zhvillim të gjithanshëm dhe siç tha ai, për përparim të vazhdueshëm.

“Kosova sot është shumë më mirë sesa qe e gjetëm në pranverës e vitit 2021 dhe njëkohësisht është në rrugë të mbarë për zhvillim të gjithanshëm e për përparim të vazhdueshëm”.

Jemi zotuar për punësim dhe drejtësi, këtë e bëm dhe po e bëjmë për çdo ditë me krejt çfarë dijmë e mundemi”, u shpreh Kurti.

Ai gjithashtu tha se kjo vjeshtë gjen Kosovë me 425 mijë të punësuar,  ndërkaq siç tha ai, kur filluan të qeverisinin, Kosova kishte 350 mijë të punësuar.

Secili e secila, të gjithë së bashku, kjo vjeshtë andaj e gjen Kosovë me 425 mijë të punësuar, ndërkaq kur filluam të qeverisimin, Kosova kishte 350 mijë të punësuar”.

“Këta 75 mijë të punësuar më shumë për 3 vjet e gjysmë, nuk do të arriheshin, pa u rritur ekonomia dhe pa shpërndarjen që kemi bërë në fushat e ndryshme, por gjithnjë me qëllimin e njëjtë, t’i përkrahim njerëzit për jetesë sa më të mirë, për të drejtat e tyre, për mirëqenien e tyre”, u shpreh tutje Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat