​Harrohet shërbimi ushtarak i detyrueshëm, tash është Programi për Mbrojtje Gjithëpërfshirëse

Aktuale

​Harrohet shërbimi ushtarak i detyrueshëm, tash është Programi për Mbrojtje Gjithëpërfshirëse

Më: 6 tetor 2024 Në ora: 13:47
FSK

Pas agresionit rus kundër Ukrainës disa nga vendet e rajonit tashmë e kanë rikthyer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, por Qeveria e Kosovës ndonëse e kishte premtim të fushatës zgjedhore, madje edhe pjesë të planit qeverisës, hoqi dorë nga ky lloj shërbimi duke e zëvendësuar atë me Programin Kombëtare për Mbrojtje Gjithëpërfshirëse.

Për njohësin e sigurisë, Nuredin Ibishi në situatën aktuale është e nevojshme për Kosovën të nis shërbimi ushtarak i detyrueshëm.

Sipas tij, ky shërbim është dashur të futet në Planin Kombëtarë për Mbrojtje Gjithëpërfshirëse.

Ibishi: Shërbimi i detyrueshëm ushtarak i nevojshëm

“Në këtë situatë është mjaftë e vështirë që paralel të shkoj edhe programi i trancizionit të FSK-së që mbaron në vitin 2028, por edhe shërbimi i detyrueshëm ushtarak… Mendoj që është e nevojshme kjo të bëhet ngase ne kemi pas një përvojë gjatë luftës kur të rinjtë tanë nuk kanë pas as njohuri elementare, as për taktikë luftarake, as për armatim dhe kjo po shihet edhe në sondazhet që janë bërë me të rinjtë tanë se ata kanë gatishmëri, por kot është gatishmëria nëse ata nuk kanë një njohuri elementare, qoftë ushtarake të taktikës luftarake….Nevoja është e pse nuk është realizuar është çështje tjetër. Unë e paraqita problemet çfarë janë dhe unë mendojë që edhe programin kombëtar për mbrojtje gjithëpërfshirëse shërbimi ushtarak duhet të jetë pjesë e saj”, theksoi ai.

E eksperti ushtarak, Hysen Gecaj konsideron se aktualisht Kosova nuk ka nevojë për shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

Koloneli në pension i FSK-së, konsideron se për funksionalizimin e këtij shërbimi duhet të ketë koordinim edhe me NATO-në dhe KFOR-in, megjithatë, ai vlerëson që shërbimi i detyrueshëm ushtarak ka edhe implikime buxhetore.

Gecaj: Në këto momente nuk kemi nevojë për shërbimin e detyrueshëm ushtarak

“Mund të thuhet lehtë në kuptimin e dhënies si ide, mirëpo në zbatimin e saj ka një komplecitet, sidomos në rastin tonë si Kosovë për shkak se ende kemi një prani ndërkombëtare të një force të armatosur siç është KFOR-i, pra NATO-ja është këtu, po ashtu FSK është e mbikëqyrur edhe nga një zyrë shumë e rëndësishme që brenda për brenda Ministrisë së Mbrojtjes, pra nga ndërkombëtarët, konkretisht nga NATO, sigurisht që duhet të merret edhe mendimi i tyre.....sipas meje në këtë moment nuk kemi nevojë, mirëpo njëfarë forme e cila kishte me qenë si uverturë apo parapërgatitje për një trajtim të tillë të shërbimit të obligueshëm, mund të merret parasysh një variant i lehtë fillestar, i cili nuk kishte me i kushtua Kosovës shumë por kishte me krijuar një bazë të mirë për ta pasur për një moment të caktuar të gatshme”, shprehet Gecaj.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha konsideron se shërbimi i detyrueshëm ushtarak ka qenë një kauzë elektorale tashmë e dështuar.

Sipas tij, një ide e tillë është minim i krijimit të forcave profesionale të Kosovës.

Berisha: Shërbimi i detyrueshëm ushtarak një kauzë elektorale

“Kjo ka qenë një koncept i dështuar, thjesht kauzë elektorale dhe tani po mundohen me u munduar me nxjerr nga rishikimi strategjik këtë mbrojtje gjithëpërfshirëse në çdo sektorë dhe me nxjerr si një program të veçantë, me mbuluar atë kauzë mashtruese dhe atë rrezik që kanë parashikuar këta për poengimin e minimimit për forca të armatosura profesioniste.... Idenë e shërbimi të detyrueshëm ushtarak që ka qenë minim i krijimit të forcave profesioniste të Kosovës koncept që po e ndërtojmë bashkë me SHBA-të, koncept i dështuar në lindje, thjesht kauzë elektorale me të cilën edhe i ka marr votat sepse ka ndezur në popull. Kosova nuk mund të ketë shërbim të detyrueshëm ushtarak...është përtej kapaciteteve të Kosovës dhe logjikës”, theksoi deputeti Berisha.

E nga Ministria e Mbrojtjes thonë se ideja për shërbimin e detyrueshëm ushtarak ka qenë një opsion i gjeneruar para fillimit të mandatit qeverisës.

Këshilltarja politike në këtë ministri, Liridona Gashi vlerëson se tani ambienti strategjik i sigurisë ka ndryshuar dukshëm, prandaj si ministri kanë hartuar Programin Kombëtarë për Mbrojtje Gjithëpërfshirëse.

“Shërbimi i detyrueshëm ushtarak ka qenë një opsion i gjeneruar para fillimit të mandatit qeverisë, tani jemi në vitin 2024 dhe ambienti strategjik i sigurisë ka ndryshuar dukshëm, siç kanë ndryshuar format, taktikat dhe teknikat e luftës dhe të kërcënimeve. Ballafaqimi me këto kërcënime kërkon qasje mbarë shoqërore dhe ndërinstitucionale. Duke pas parasysh këto dhe gjithashtu për të shmangur vështirësitë ligjore, procedurale, si ministri kemi hartuar Programin Kombëtar për Mbrojtjen Gjithëpërfshirëse bazuar në programin tonë qeverisës, ndryshimeve në ambientin strategjik të sigurisë dhe nevojës për forcimin e sistemit të mbrojtjes së Republikës së Kosovës”, thuhej në përgjigjen e dikasterit të Mbrojtjes.

Sipas Gashit, Programi Kombëtarë për Mbrojtje Gjithëpërfshirëse përmbush synimin që kishte kjo qeveri për shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

“Ky program synon që të ndërtojë reziliencën kombëtare në vendin tonë në mënyrë që shoqëria jonë të përgatitet që të rezistoj, reagoj dhe rimëkëmbet në raste të fatkeqësive natyrore apo sulmeve të armatosura, prandaj si i tillë përmbush synimin që ka pasur shërbimi i detyrueshëm e që është krijimi i një sistemi efikas dhe efektiv të mbrojtjes së vendit”, ka shkuar Gashi.

Kryeministri Kurti në vitin 2021 pati premtuar se në qeverisjen e tij do të bëhet shërbimi ushtarak i detyrueshëm dhe do të zgjaste 3 muaj.

Shërbimin ushtarak të detyruar tashmë e kanë rikthyer Kroacia dhe Serbia, ndërsa diskutime për këtë çështje po zhvillohen edhe në Bullgari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat