Kurti e Murati japin detaje mbi vendimin për rritjen e pensioneve nga tetori - këto kategori përfitojnë

Aktuale

Kurti e Murati japin detaje mbi vendimin për rritjen e pensioneve nga tetori - këto kategori përfitojnë

Më: 7 tetor 2024 Në ora: 10:08 Përditësuar në ora: 14:21 më 07.10.2024
Albin Kurti dhe Hekuran Murati

Kurti e konfirmon vendimin për mallrat serbe, thotë se ka ndryshuar masa e sigurisë deri në ardhjen e skanerëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot gjatë një konference për media e ka konfirmuar ndryshimin e masës së sigurisë në pikën kufitare në Merdarë.

Ai përmendi “dy zhvillime shumë të rëndësishme”- mbledhjen e CEFTA’s të mërkurën dhe samitin e Procesit të Berlinit më 14 tetor.

“Sot paradite ministri i Punëve të Brendshme i ka shkruar drejtorit të Doganave që në njërën nga pikat kufitare me Republikën e Serbisë, Republika e Kosovës e ka ndërruar masën e sigurisë nga kufizimi te kontrolli i shtuar derisa të na vijnë skanerët.

Në momentin kur të na vijnë skanerët, atëherë ata vendosen në të gjitha pikat kufitare por derisa nuk na vijnë skanerët ne do të hapim një pikë kufitare e cila do ta ketë kontrollin e shtuar për shkak se masat që i kemi ne janë masa të sigurisë dhe në shtatë ditët në vijim i kemi dy zhvillime shumë të rëndësishme, pasnesër është mbeldhja e CEFTA’së ndërkaq sot një javë është samiti i Procesit të Berlinit me rastin e 10 vjetorit ku edhe presim që të kalohet nga CEFTA në CRM apo në Tregun e Përbashkët Rajonal”, tha Kurti. 

Kurti pyetet për pagat e mësuesve e policëve: Në sektorin publik u rritën vitin e kaluar, tash jemi përqendruar te pensionet

Kryeministri u pyet nëse do të ndryshojnë pagat e mësuesve dhe policëve dhe mësimdhënësve, në konferencën për media ku njoftoi për rritjen e pensioneve.

Albin Kurti tha se “pagat në sektorin publik janë rritur në vitin e kaluar”.

“Kemi pasur pa numër masa të ndryshme që i kanë ndihmuar kategoritë e ndryshme shoqërore, me ç’rast duhet theksuar se pagat në sektorin publik janë rritur në vitin e kaluar. Sivjet po rriten pensionet, ndërkohë që në mandatin tjetër, ne do ta bëjmë reformën pensionale. Vjet janë rritur pagat në sektorin publik dhe kemi pasur një rritje të ndjeshme, të paprecedentë në Kosovën në këto vitet e fundit, andaj tash jemi të përqendruar te rritja e pensioneve”, tha ai.

Kurti tha se janë “mbi 300 mijë veta në Republikën e Kosovës që do të përfitojmë”, me ç’rast kostoja buxhetore e kësaj tha se është “plus 100 milionë euro”.

Ai tha se kjo rritje po bëhet këtë muaj, pasi duan ta fusin këtë në planifikimin e buxhetit për vitin e ardhshëm.

“Këtë po e bëjmë tash në muajin tetor, meqenëse në të njëjtën kohë jemi duke e shkruar edhe buxhetin për vitin 2025 që do të votohet në këtë muaj në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Pra, rritja e këtyre pensioneve është duke u bërë në kuadër të planifikimeve tona afatmesme dhe afatgjata. Përpara, në rastin më të mirë ka pasur planifikime afatshkurtra”, tha Kurti.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se kjo rritje e pensioneve u bë e mundur “falë politikave të mirëmenduara dhe rritjes së të hyrave”.

Murati: Mbi 300 mijë përfitues nga rritja e pensioneve

Ministri i Financave, Hekuran Murati është shprehur se nga rritja e pensioneve, do të përfitojnë 304 mijë e 16 qytetarë.

Rritja e pensioneve nis nga muaji tetor, e ai për kategrori të luftës nga janari 2025.

“Është një lajm i mirë për të gjithë pensionmarrësit, sepse rritja do të jetë së paku prej 20 për qind, pra ato pensione që rregullohen sipas skemave dhe ligjit për pensionet e financuara nga shteti, rritja do të fillojë të zbatohet nga ky muaj, pra muajit tetor. Edhe pensioni për kategori të luftës, do të hyjë në fuqi nga janari”.

“Ky numër prek 304 mijë e 16 përfitues. Impakti i tërësishëm buxhetor parashihet të jetë prej 100 milionë euro shtesë”, tha Murati.

Nga tetori rriten për 20 për qind një pjesë e pensioneve

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se do të rriten pensionet nga muaji tetor për 20 për qind për në pjesë të këtyre kategorive.

Në një konferencë për media, ai ka thënë se pensionet do të kenë rritje edhe nga muaji janar i vitit 2025 për kategoritë e dala nga lufta.

“Duke filluar nga ky muaj tetor 2024 do të rrisim për 20 për qind të gjitha pensionet që janë si vijon: Pensioni bazik i moshës, pensioni kontribut dhënës i plotë dhe parcial, pensioni i aftësisë së kufizuar për fëmijë dhe për të rritur, pensioni për persona të verbër, pensioni për persona paraplegjik dhe tetra plegjik, pensioni familjar, pensioni invalidor i punës dhe pensioni i parakohshëm për punëtorët e Trepçës”, ka thënë Kurti.

"Nga muaji janar do të ketë rritje për 20 për qind edhe për kategorit e luftës: Familjet e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, viktimave të dhunës seksuale”, tha Kurti.

Kurti e Murati mbajnë sot konferencë për media

Nga ora 13:30 kryeministri Kurti dhe ministri Murati do të mbajnë konferencë për media.

Në njoftim nuk është bërë e ditur arsyeja.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, mbajnë konferencë për media.

VENDI: Ndërtesa e Qeverisë. KOHA: 13:30”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat