​Kusari-Lila: LVV-ja vazhdon të ketë shumicën parlamentare në Kuvend

Aktuale

​Kusari-Lila: LVV-ja vazhdon të ketë shumicën parlamentare në Kuvend

Më: 7 tetor 2024 Në ora: 13:59
Mimoza Kusari-Lila

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e konsideron të domosdoshme miratimin e 54 projektligjeve që janë në mes të dy leximeve para përfundimit të kësaj legjislature.

Ajo theksoi se mazhoranca nuk e ka humbur shumicën parlamentare, përkundër largimit nga Lëvizja Vetëvendosje të dy deputetëve, Eman Rrahmani dhe Visar Korenica.

Sipas saj, sfidë e mazhorancës është mospjesëmarrja në votime e deputetëve dhe prezenca fizike e tyre në sallë.

Kusari-Lila: Është e domosdoshme miratimi i 54 projektligjeve që janë në procedurë

“Zyrtarisht Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje i ka 54 deputetë dhe 8 deputetë janë nga grupi parlamentar multietinik që i bie 62 deputetë. Ne zakonisht kur kemi pasur mungesë të kuorumit ka ardhur për shkak të mospjesëmarrjes në votim për çështje të caktuara të deputetëve që kanë qenë në sallë apo për mungesën fizike. Nuk parashohim diçka më dramatike javët në vijim, unë uroj që në nivelin e njëjtë të hyjmë në një periudhë më dinamike para përmbylljes së sesionit vjeshtor. Është e domosdoshme që diku 54 projektligje që janë në mes të dy leximeve të përmbyllen në këtë legjislaturë”, tha ajo.

Ajo shtoi se në bazë të informacioneve dy deputetët e larguar nga LVV-ja mund të marrin pjesë në votime në projektligje më të rëndësishme.

Kusari-Lila: Mbetet të shihet a do të marrin në votime deputetët Rrahmani dhe Korenica

“Sipas informatave që kam ata kanë qëndrim që në projektligje të caktuara sikurse deri tani do të marrin pjesë në votim. Tash mbetet të shihet”, theksoi ajo.

Këto komente Kusari-Lila i bëri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Në lidhje me masat e sigurisë ndaj mallrave serbe, Kusari-Lila tha se është e domosdoshme krijimi i mekanizmave të sigurisë para heqjes së këtyre masave.

Kusari-Lila: Masa ndaj mallrave serbe është çështje sigurisë dhe jo ekonomike

“Deri sa të krijohen mekanizmat e sigurisë. Gjegjësisht gjatë gjithë kësaj kohe është komunikuar për vendosjen e një mekanizmi të sigurisë për vendosjen e dërgesave te kufiri verior, ne mund të themi se Kosova e ka mbajtur këtë masë në fuqi. Në momentin kur ka garanci për vendosjen e masave të sigurisë atëherë mund të hiqet kjo masë. S’ka qenë për çështje ekonomike por për çështje të sigurisë. Pjesë e ngritjes së kushteve për ngritje të sigurisë janë edhe skenerët”, deklaroi Kusari-Lila.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat