Ambasadori gjerman mirëpret vendimin e Qeverisë për heqjen e kufizimit për mallrat nga Serbia

Aktuale

Ambasadori gjerman mirëpret vendimin e Qeverisë për heqjen e kufizimit për mallrat nga Serbia

Më: 7 tetor 2024 Në ora: 18:31
Jorn Rohde

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar të hënën se në pikën kufitare me Serbinë, Merdarë, do të ndryshohet masa e sigurisë për mallrat që nisen nga ky vend.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka përshëndetur vendimin e Qeverisë së Kosovës, për lejimin e hyrjes së mallrave serbe në Kosovë.

Në një shkrim në platformën “X”, ai tha se ky veprim shënon një hap të rëndësishëm drejt zhbllokimit të CEFTA-s.

“E përshëndes vendimin e Qeverisë së Kosovës për hapjen e pikës kufitare Merdarë për mallrat që vijnë nga Serbia”.

“Ky shënon një hap të rëndësishëm drejt zhbllokimit të CEFTA-s. Ne do të mbështesim Qeverinë e Kosovës, për të siguruar plotësimin e nevojave të sigurisë dhe monitorimin e proceseve në pikën kufitare”, shkroi Rohde.

Kurti ka njoftuar se Qeveria e ka ndërruar masën e sigurisë nga kufizimi i plotë, në kontroll të shtuar, deri në sigurim të skanerëve të avancuar.

“Kur të na vijnë skanerët, atëherë ata vendosen në të gjitha pikat kufitare, por përderisa nuk na vijnë skanerët, ne do ta hapim vetëm një pikë kufitare, e cila do ta ketë kontrollin e shtuar, pasi masat që kemi janë masa të sigurisë”.

Serbia ka reaguar pas vendimit, duke thënë se është hequr tensioni që ka ekzistuar për kohë të gjatë.

Kurti ka thënë se pret nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian që t’i ndihmojnë Kosovës në sigurim të skanerëve në kufi, për të garantuar që mallrat që hyjnë prej Serbisë nuk përbëjnë rrezik për sigurinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat