A ka shenja të mjaftueshme ku ndodhi aksidenti tragjik

Aktuale

A ka shenja të mjaftueshme ku ndodhi aksidenti tragjik

Më: 7 tetor 2024 Në ora: 23:03
Liqeni i Badovcit

Ndër të parët arritën në vendngjarje.

E për 20 minuta e lokalizuan edhe veturën në thellësinë e Liqenit të Badovcit.

Këtu një automjet me tre perona brenda, ra mbrëmjen e së shtunës.

Nga kjo aksident, humbën jetën tre personat që ndodheshin brenda veturës.

“Policia mua më ka kërkuar ndihmën e federatës, për më çua barkën me pajisje dhe të gjitha. Ne pasi që e morëm informatën nga policia, i kam nisur rojet e federatës dhe e kanë lokalizuar veturën në ujë, rreth 4-5 metra në thellësi dhe në ato momente kanë qenë edhe zhytësit edhe FSK-ja”, tha Milaim Vitia, kryetar i Federatës së Peshkimit të Kosovës.

E bashkëpunimet e kësaj federate me organet e rëndit janë të shpeshta.

Por këto priten të shtohen në vazhdim.

“Federata e Peshkimit është duke e përgatitur një memorandum me drejtorin e policisë, që ta nënshkruajmë që sa herë të ka nevojë për asistencën e federatës, ne do t’i bashkangjitemi policisë, për raste si kontrabanda që bëhet nëpër liqene dhe raste të tjera, në do të jemi gati”, tha ai.

Aksidenti tragjik i së shtunës mbrëma, ndodhi pranë vendit ku po kryhen punimet për ndërtimin e Urës së Badovcit.

Por, eksperti i komunikacionit, Bekim Ahmeti, thotë se në atë pjesë të rrugës, ka shenja të mjaftueshme të komunikacionit.

“Unë i kam disa fotografi të kësaj pjese të rrugës, ku shihet shumë mirë shenja e punimeve në rrugë, 400 metra distanca deri tek vendi i aksidentit, pastaj është shenja për ndalim tejkalimi. Pastaj kemi shenjen tjetër 50 kmh në orë. Pastaj vjen shenja e devijimit, në distancë 200 metra nga vendi ku ka ndodhur aksidenti dhe shenja për shpejtësinë 30 kmh, pastaj përsëri shenja për 30 kmh në orë dhe shenja e devijimit pastaj sinjalistika që na detyron të kthehemi në të majtë. Pra janë 6 shenja të rrugës derisa të mbërrijmë tek vendi i aksidentit, secila nga shenjat ka distancë mes vete 80-100 metra”, tha ai.

Ahmeti tregon se çfarë duhet të kenë kujdes shoferët gjatë kohës së vjeshtës.

“Reduktimi i shpejtësisë, kontrolli i timonit, gomat e fryra me rregull, pastaj t’i shmangemi pellgjeve, pastaj edhe fshisat e xhamave kanë shumë rëndësi dhe në fund dukshmëria e rrugës”, tha ai.

Pas këtij aksidenti, në Kosovë është bërë thirrje për kujdes të shtuar në trafik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat