Balaj: Goditje e rëndë për Telekomin, e zhvatën grupet e interesit

Aktuale

Balaj: Goditje e rëndë për Telekomin, e zhvatën grupet e interesit

Më: 8 tetor 2024 Në ora: 06:39
Lamih Balaj

Goditje të rëndë për institucionin e ka quajtur bllokimin e llogarive të Telekomit të Kosovës për të disatën herë me radhë, Lamih Balaj, kryetari i Sindikatës Sindikale të Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Ai ka thënë se humbjet e Telekomit shkojnë deri në 15 milionë euro, duke përfshirë edhe kamatat.

“Është një goditje e rëndë për Telekomin, ashtu si ka ndodhur më herët është vazhdimësi e kontratave të dëmshme me Telekomin, e sidomos kontrata me Z-Mobile, që nëse flasim veç për sot i ka shkaktuar vetëm përmes gjykatave mbi 60 milionë euro dëm dhe mbi 120 milionë që i ka pasur qarkullim dhe fitime në kohën kur ka operuar”, ka thënë ai për “Lajmet e Fundit” të RTK-së.

Ai ka thënë se Telekomi ka ardhur në këtë gjendje si pasojë e grupeve të interesit, të cilat kanë pasur edhe implikime politike.

“Grupet e interesit kanë qenë të interesuara ta zhvasin Telekomin sepse ka pas vit që ka qarkulluar deri në 170 milionë euro dhe me fitim mbi 100 milionë euro. Dikush ka dashur t’i zhvasë ato fonde, ne i kemi quajtur sot ‘njerëzit me kravata’. Interes kanë pasur ndoshta edhe njerëz nga politika, por sidomos njerëzit brenda institucionit që kanë qenë nën urdhërat e dikujt nga jashtë”, ka thënë Balaj.

Ai ka kërkuar nga Prokuroria hetime më të thella për rastin, teksa ka thënë se kanë bërë denoncime publike.

“Po e them për herë të parë në këtë studio që kur e kam dërguar në Krime Ekonomike kontratën me Z-Mobile, më ka thirr një prokuror, për të cilin kam dëgjuar më vonë që një javë është pensionuar, më tha ‘pse ma ke sjellë këtë, kjo punë është e kryer”, ka thënë ai.

Telekomi i Kosovës kishte njoftuar se pas refuzimit të Prapësimit të Urdhrit Përmbarimor që lidhet me arbitrazhin në rastin "Dardafon 2" (Z-Mobile) nga ana e Gjykatës Komerciale, Përmbaruesi Privat i ka bllokuar të gjitha llogaritë bankare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat