Detajet: Nagip Krasniqit i lexohet aktakuza, deklarohet i pafajshëm para Gjykatës

Aktuale

Detajet: Nagip Krasniqit i lexohet aktakuza, deklarohet i pafajshëm para Gjykatës

Më: 8 tetor 2024 Në ora: 08:02 Përditësuar në ora: 10:35 më 08.10.2024
Foto nga vendi i ngjarjes

Nagip Krasniqi deklarohet i pafajshëm para Gjykatës

Ish-kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzat e prokurorisë. 

Ish-kryeshefi i KEK-ut Nagip Krasniqit, i akuzuar për keqpërdorim detyre në dëm të KEK-ut, ka dal sot para Gjykatës. Ai është deklaruar i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Deklarimin, Krasniqi e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurori special, Dren Paca. “Plotësisht i pafajshëm”, ka deklaruar Krasniqi.

Kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti ka theksuar se i akuzuari dhe mbrojtësi i tij në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës.

Paraprakisht, prokurori Paca ka theksuar se kanë dorëzuar edhe disa prova të cilat nuk kanë qenë në aktakuzë dhe të njëjtat ia kanë dorëzuar mbrojtjes.

Kurse, mbrojtësi i Krasniqit, avokati Virtyt Ibrahimaga ka thënë se Prokuroria nuk ua ka dorëzuar aktvendimin për fillimin e hetimeve, e që është e obliguar t’ua dorëzojë të gjitha shkresat e lëndës.

“Prokuroria nuk i ka dorëzuar akoma kontratat për shitblerjen e energjisë elektrike në gjuhën shqipe, këto prova janë bazë në të cilën mbështetet aktakuza… Këto prova akoma nuk janë përkthyer në gjuhën shqipe për të pandehurin dhe për gjykatën”, ka deklaruar Ibrahimaga.

Ai i ka propozuar Gjykatës që të obligojë Prokurorinë që në afat prej 10 ditësh t’ua dorëzojë aktvendimin për fillimin e hetimeve dhe kontratat për shitblerjen e energjisë elektrike në gjuhën shqipe, në mënyrë që mbrojtja e të pandehurit të ketë mundësi të deklarohet.

Gjykatësi Arben Hoti e ka obliguar Prokurorinë që në afat prej 15 ditësh të ofrojë provat e kërkuara nga mbrojtja.

Kurse, prokurori Paca ka theksuar se do ta respektojnë këtë afat, megjithëse i pandehuri kontratat në fjalë i ka nënshkruar në gjuhën angleze dhe i ka kuptuar.

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë më 19 gusht të këtij viti ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar. Ai akuzohet se kishte filluar ta keqpërdorë detyrën zyrtare që nga 15.10.2021 deri më 19.04.2023.

Në padi theksohet se Krasniqi i kishte mundësuar tregtimin e energjisë një kompanie sllovene në Kosovë, e cila nuk kishte licencë, duke dëmtuar kështu KEK-un.

------

Sot do të mbahet seanca gjyqësore ndaj Nagip Krasniqit, i akuzuar për keqpërdorim detyre në dëm të KEK-ut në vlerë rreth 3 milionë e 230 mijë euro.

Seanca nis në orën 09:30 në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë më 19 gusht të këtij viti ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar. Ai akuzohet se kishte filluar ta keqpërdorë detyrën zyrtare që nga 15.10.2021 deri më 19.04.2023.

Në padi thuhet se Krasniqi i kishte mundësuar tregtimin e energjisë një kompanie sllovene në Kosovë, e cila nuk kishte licencë, duke dëmtuar kështu KEK-un në vlerë rreth 3 milionë e 230 mijë euro, gjë që i mundësoi kompanisë nga Sllovenia tregtimin e energjisë elektrike në Republikën e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat