AAK kritikon KRU “Prishtina” dhe Qeverinë për ujin në Badoc: Përbën rrezik të madh për shëndetin publik

Aktuale

AAK kritikon KRU “Prishtina” dhe Qeverinë për ujin në Badoc: Përbën rrezik të madh për shëndetin publik

Më: 8 tetor 2024 Në ora: 12:12
Foto ilustrim

AAK ka reaguar për ujin në Liqenin e Badocit, duke shprehur shqetësimin për nivelin e lartë të manganit.

Kjo situatë përbën një rrezik të madh për shëndetin publik dhe kërkon veprime të menjëhershme,” thuhet në reagimin e AAK-së.

AAK ka kritikua KRU “Prishtina” dhe Qeverinë që nuk kanë ndërmarrë veprimet për ta parandaluar përsëritjen e këtij problemi, që ishte shfaqur edhe rreth një vit më parë.

Reagimi i plotë:

Sipas raportimeve nga KRU Prishtina dhe IKSHPK, uji nga liqeni i Badovcit nuk është i sigurt për konsum për shkak të përqendrimeve të larta të manganit, problem që është përsëritur në fund të vitit 2022 dhe fillim të vitit 2023. Megjithatë, as KRU Prishtina dhe as Qeveria e Kosovës nuk kanë ndërmarrë veprime konkrete për të parandaluar përsëritjen e këtij problemi, duke e paraqitur këtë situatë si të zakonshme, pasi ndodh çdo vit.

Sipas ekspertëve të cilësisë së ujit, ekspozimi afatgjatë ndaj niveleve të larta të manganit mund të shkaktojë dëmtime neurologjike dhe zhvillimore të trurit, veçanërisht tek fëmijët, si dhe të ndikojë negativisht në funksionimin e mëlçisë dhe veshkave. Kjo situatë përbën një rrezik të madh për shëndetin publik dhe kërkon veprime të menjëhershme për të shmangur dëmtime të mëtejshme.

Ndërkohë, trajtimi i ujit në fabrikën e Badovcit vazhdon të mbetet i papërmirësuar, sidomos lidhur me problemin e manganit. Mungesa e planifikimit dhe investimeve adekuate ka kontribuar në mosmenaxhimin e kësaj krize, pasi nuk janë kryer investimet e nevojshme për të shmangur përsëritjen e problemeve të tilla.

Në përpjekje për të përballuar këtë situatë, KRU Prishtina ka filluar të shpërndajë ujë përmes auto cisternave në disa lagje, një masë që zakonisht ndërmerret në raste emergjente. Megjithatë, për shumë banorë, sidomos për ata që jetojnë në apartamente, kjo ka krijuar një situatë të vështirë. Banorët detyrohen të përshtatin jetën e tyre përreth orareve të shpërndarjes së ujit, duke përjetuar stres dhe shqetësime të vazhdueshme. Përballja e përditshme me sfidën e bartjes së ujit dhe mungesën e furnizimit të qëndrueshëm krijon edhe pasiguri për shëndetin publik, pasi mungesa e furnizimit me ujë të pastër për konsum dhe higjienë mund të çojë në probleme të tjera shëndetësore.

Disa pyetje që kërkojnë përgjigje janë:

– Pse KRU Prishtina nuk ka ndërmarrë masa për përmirësimin e trajtimit të ujit, kur ky problem është i njohur dhe përsëritet çdo vit?

– Cili ka qenë roli i Qeverisë së Kosovës, e cila vazhdimisht ka trumbetuar se tani ndërmarrjet publike menaxhohen nga borde dhe menaxhmente profesionale?

– Cili ka qenë roli i ARRU-së, si autoritet rregullator dhe I pavarur, për të parandaluar dhe mos lejuar përsëritjen e këtij problemi?

Institucionet përkatëse duhet të ndërmarrin veprime të menjëhershme, përfshirë investime në teknologji të reja për përmirësimin e trajtimit të ujit, monitorim të vazhdueshëm të cilësisë dhe planifikim afatgjatë për të shmangur kriza të ngjashme në të ardhmen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat