​Kurti: Kosova destinacion tërheqës dhe i favorshëm për investime

Aktuale

​Kurti: Kosova destinacion tërheqës dhe i favorshëm për investime

Më: 8 tetor 2024 Në ora: 13:14
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se Kosova është një destinacion tërheqës dhe i favorshëm për investime dhe se me një popullsi të re dhe dinamike, sipas tij vendi ka potencial të madh për t’u shndërruar në një qendër rajonale për investime dhe transfer të proceseve të biznesit.

Këto komente Kurti i bëri në në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime.

Ai listoi disa nga faktorët të cilët e mbështesin këtë potencial.

“Stabilitetin institucional të vendit tonë, që është i shoqëruar me fuqizimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit; afërsia me tregjet e Evropës Perëndimore që ofron mundësi për tregti dhe investime; rritja ekonomike mesatare prej 6.2% gjatë këtyre dy viteve të fundit, e cila tregon një trend pozitiv në zhvillimin ekonomik; zhvillimi i projekteve infrastrukturore në sektorët e transportit, mjedisit dhe energjisë, të cilat janë thelbësore për një ekonomi të qëndrueshme; zhvillimi i hovshëm i grupeve sektoriale si shërbimet e mundësuara nga teknologjia informative, prodhimi, bujqësia dhe përpunimi i ushqimit të cilët janë motorë të rritjes ekonomike; dhe rinia e madhe, e cila, e kombinuar me ekspertizën, shumëgjuhësinë e saj edhe vullnetin e mirë të mërgatës sonë përbëjnë një element të rëndësishëm për zhvillimin e vendit”, thuhet në komunikatë.

Kryeministri Albin Kurti foli edhe rreth fuqisë sonë punëtore dhe rëndësinë e përmirësimit të arsimit dhe trajnimit profesional në përputhje edhe me nevojat e sektorit privat.

“Tash që po flasim, janë 23 shkolla në 14 komuna anembanë Kosovës, me 12 profile, gjithsej rreth 1600 nxënës dhe jemi qeveria e parë në Kosovën e pasluftës, ku nuk ka pasur asnjë protestë të vetme, në të cilën figuron parulla: “Duam punë”. Duam paga më të larta, sigurisht, kushte më të dinjitetshme të punës, padyshim, por “duam punë” nuk ka më parulla dhe kjo, besoj që është pasojë e drejtpërdrejtë e 75 mijë vendeve të reja të punës në 425 mijë nga 350 mijë sa ishin në pranverën e vitit 2021.” u shpreh kryeministri.

Ai shtoi se konkurrenca fer nga sektori privat në njërën anë, dhe përmirësimet e duhura dhe me kohë nga institucionet publike në anën tjetër, janë çelësi për përmirësimin e vazhdueshëm të mjedisit të të bërit biznes dhe të nxitjes së zhvillimit të mëtejmë ekonomik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat