Aksidenti ku vdiq një person | Ngritet aktakuzë për pronarin e resortit “Malësia” në Rugovë, Fitim Rexhaj

Aktuale

Aksidenti ku vdiq një person | Ngritet aktakuzë për pronarin e resortit “Malësia” në Rugovë, Fitim Rexhaj

Më: 8 tetor 2024 Në ora: 16:00
Fitim Rexhaj

Biznesmeni Fitim Rexhaj, që në qershor të vitit të kaluar regjistroi biznesin “Malësia EKo-Resort” në Rugovë të Pejës, po akuzohet se duke shkelur rregullat e trafikut ka shkaktuar vdekjen e një personi. Ngjarja ka ndodhur katër muaj para se ta regjistronte këtë biznes, i cili tash është një resort me një restaurant të madh me ushqime tradicionale dhe një sërë vilash. Prokurorisë iu deshën mbi një vit e gjysmë që ta depononte në Gjyq aktin akuzues për këtë biznesmen

“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të bashkëpunëtorit tonë shumëvjeçar, Bilall Hadergjonaj nga fshati Pobërgjë”. Kështu kishte shkruar Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj në shkurtin e vitit të kaluar kur konfirmoi lajmin për aksidentin ku vdiq Hadergjonaj.

Sipas Prokurorisë Themelore në Pejë personi që e shkaktoi këtë aksident me pasojë vdekjen e një personi është tashmë biznesmeni Fitim Rexhaj.

Aksidenti ndodhi më 24 shkurt 2023 e Prokuroria arriti që të deponojë aktin akuzues për biznesmenin Rexhaj, që aktualisht është pronari i vetëm i restortit “Malësia EkoResort” në Pejë të Rugovës, vetëm më 20 gusht të këtij viti- apo mbi një vit e gjysmë më vonë.

Një vit e gjysmë për aktakuzën, IML-ja e vonoi gjashtë muaj raportin

Tash e disa muaj Gazeta kishte kërkuar këtë aktakuzë në Gjykatë dhe kishte kërkuar përgjigje nga Prokuroria për vonesën.

Gazeta Insajderi kishte kërkuar përgjigje edhe nga Ministria e Drejtësisë, duke dërguar pyetjet edhe te Ministrja Albulena Haxhiu për vet raportin e autopsisë të të ndjerit Hadergjonaj, por nuk ka pranuar përgjigje.

Përgjigje nga ta nuk mori as pse Instituti i Mjekësisë Ligjore nuk e ka dërguar raportin në Prokurorinë në Pejë, siç e kanë kërkuar ata, kur është përfunduar.

Del që raporti veçse ishte kryer më gati një vit pas aksidentit, pra më 20 shkurt 2024. Por, për çudi, në Prokurori në Pejë, ky raport është dërguar gati gjashtë muaj me vonesë.

Prokuroria thotë që raportin e autopsisë, të punuar nga Dr. Bergita Curri, që ishte bërë në shkurt, e pranoi më 16 gusht 2024.

Shoqërohej me një biznesmen tjetër, hapi resortin katër muaj pas aksidentit.

Fitim Rexhaj që aktualisht është pronar i “Malësia Eko-Resort” që në vitin 2018 ka pasur një biznes të regjistruar në emër të tij që kishte si aktivitet “sharrimi i drurit dhe zdrukthëtaria”.

Më 12 qershor 2023 ka regjistruar biznesin “MALËSIA EKO RESORT SH.P.K.” ku është i vetmi pronar.

Biznesi është regjistruar afro katër muaj pas aksidentit me fatalitet ku i vdekur mbeti Bilall Hadergjonaj, derisa në momentin e këtij aksidenti ai ishte i shoqëruar me biznesmenin Rahmon Shala, pronari i “GRAND HOTEL BELUSHI”.

“Malësia EKo-Resort” gjendet në Rugovë të Pejës, në fshatin Shkrel, dhe është një restaurant me ushqime tradicionale derisa përreth është i shoqëruar edhe me 20 vila.

Në hapjen e tij, sipas publikimeve promocionale, kishin marrë pjesë edhe politikanë, përfshirë edhe Kryetarin e Pejës, Gazmend Muhaxheri. “Fitim urime, e ishalla të shkon puna mbarë e je shembull për të tjerët”, kishte deklaruar Kryetari Muhaxheri në hapje.

Një fjalim aty mbajti edhe politikani Daut Haradinaj. “Pas Austrisë e Belushëve, faleminderit Familja Rexhaj për këtë punë madhështore”, kishte deklaruar Haradinaj.

Si ndodhi rasti dhe çka deklaruan Rexhaj e Shala për shpejtësinë që nuk e “mati” Prokuroria ?

“Me datë 24.02.2023 rreth orës 22:30 në fshatin Rastavicë, Komuna Deçan, nga pakujdesia shkel Ligjin për Rregullat në Trafikun Rrugor , nga neni 53 paragrafi 1 dhe i shkakton vdekjen tjetrit dhe atë të ndjerit Bilall Hadergjonaj, në atë mënyrë që, i pandehuri gjersa ishte me veturën e tij LEXUS –XHIP, me targa …. duke qarkulluar në rrugën Gjakovë-Deçan dhe me të arritë në vendin e lartcekur, me pjesën e përparme të anës së djathtë dhe me pasqyrën e anës se djathtë të automjetit e godet këmbësorin gjersa ishte duke kaluar rrugën”, kështu e përshkruan Prokurorja Lumturije Hoxha rastin ku i vdekur mbeti politikani Bilall Hadergjonaj e për rastin po akuzohet biznesmeni Fitim Rexhaj.

Aty bëhet me dije se para se të ndodhte aksidenti me fatalitet, Hadergjonaj kishte bërë vet-aksident dhe doli nga vetura për të kërkuar ndihmë.

…pasi që kishte dalë nga automjeti dhe kishte lëvizur skajit të rrugës rreth 50 metra dhe kur tenton ta kaloi rrugën të cilin e hedh jashtë rruge në anën e djathtë të automjetit, i cili pëson lëndime të renda trupore dhe me datë 25.02.2023 rreth orës 01:50 minuta në QKUK– Prishtinë ndërron jetë,”, thuhet në aktakuzë.

Raporti i IML-së konstaton se “vdekja e tij ka ardhur si pasojë e: Shokut hemorragjik, i cili ka pasuar nga dëmtimi i shumëfishtë i organeve, që ka shkaktuar aksidenti i trafikut rrugor”.

Ekspertiza e komunikacionit për këtë rast e bërë në mars 2023 konstaton se deri te ky aksident ka ardhur pasi që tashmë i akuzuari, biznesmeni Rexhaj bëri lëshim primar dhe atë “mos kujdesi i duhur gjatë ngasjes së automjetit, duke mos i kushtuar fare kujdes këmbësorit i cili kishte qenë duke e kaluar rrugën nga ana e djathtë në të majtë shikuar drejtimin e lëvizjes se automjetit”.

Eksperti Sami Bardheci konstaton po ashtu se  sipas tij lëshimi sekondar ishte i këmbësorit Bilall Hadergjonaj, tash i ndjerë,  i cili kishte filluar ta kalojë rrugën natën në vend të pa ndriçuar dhe pa pasur ndonjë rrobë qe reflekton dhe pa i kushtuar kujdes lëvizjes se automjetit “A…”.

Në këtë rast është intervistuar edhe një dëshmitar që ishte në makinë me biznesmenin Rexhaj.

Ai ishte biznesmeni Rahmon Shala, pronari i firmës “Intern Investment Group” që ka në pronësi po ashtu “GRAND HOTEL BELUSHI”.

“…natën kritike gjersa ishim me automjetin e shokut tim Fitimit duke u kthyer nga Gjakova për në shtëpi me të arritur në një rrugë në fshatin Restavicë pasi qe është kalu udhëkryqi i Junikut për një moment u ka dalë një person si me pike prej qielli dhe menjëherë ka reagu Fitimi duke marrë drejtimin në të majtë por prapë me anën e djathtë të automjetit pikërisht me pasqyrën e automjetit dhe me sinjalizuesin e drejtimit e ka goditë këtu të ndjerin dhe menjëherë është ndaluar”, e përshkruan ngjarjen biznesmeni Shala.

Sipas tij,  vendi kishte qenë pa ndriçim ndërsa Fitimi ishte duke drejtuar veturën me më pak se 50 km në orë. 

“Menjëherë kishin dalë me i ofru ndihem ku Fitimi e kishte kap kokën me dy duartë  duke e thirre ‘’bacë bacë’’ dhe ai në një moment e ka leshu një klithmë si ofshamë ku e kanë kuptu që është gjallë dhe menjëherë e kanë njoftu policinë gjithashtu dhe ndihem e shpejtë dhe te njëjtit pa vonese kanë arritur ne vendngjarje, Fitim i e kishte shoqëruar të ndjerin edhe në Prishtinë në QKUK, dhe pastaj nga Prishtina ka ardh ne Pejë. Fillimisht nuk e kishin ditur se ky person ishte aksidentuar mirëpo aty u mblodhen edhe persona te tjerë dhe ndegjuam se vetura e këtij tij diku rreth 40-50 metra kishte qene e aksidentuar ne anën e majtë te rrugës, dhe ajo veturë kishte qene ne vije përskaj rrugës e ramë ne beton direkt…”, ka deklaruar pas aksidentit biznesmeni Shala që po e shoqëronte biznesmenin Rexhaj në veturë në natën e aksidentit.

Edhe vet Rexhaj është intervistuar disa ditë pas aksidentit. Edhe ai si miku i tij Shala, ka përshkruar nga e morën rrugën e ku po shkonin dhe ka vazhduar deklaratën duke thënë se pasi ka kaluar rrugën e Junikut “për një moment u është shfaqur një njeri 2-3 metra në afërsi të veturës në mes të korsisë dhe është friguar shumë, i njëjti kishte qene i përgjakur dhe ky është munduar qe të ikë me automjet qe të mos ta godasë por nuk kishte arritë për shkak se ishte shume afër dhe të njëjtin e kishte goditur me dritën-treguesin e djathtë dhe me pasqyre të anës së djathtë të veturës edhe pse ka provuar qe të ikë ndoshta diku 10 metra ne anën e majtë të rrugës, vetura ka mbetë në anën e majtë të rrugës”.

Sipas tij, menjëherë kishte ndaluar automjetin dhe kishte dalë që ta shikojë dhe i është afruar dhe ka tentuar t’i japë ndihmën e parë duke i vendosur ujë në qafë dhe në buzë ku të njëjtit i kishte ardhur vetëdija mirëpo s’kishte mundur të fliste

“….dhe menjëherë e kishte lajmëruar policinë dhe ambulancën të cilët kishin ardhur pa vonesë, pastaj ishte interesuar për shëndetin e tij duke shkuar edhe në Prishtinë në QKUK dhe sa kishte arritur në prezencën e tij i ndjeri ka ndërruar jetë”, thuhet në deklaratën e përshkruar në aktakuzë dhe shtohet se sipas Rexhajt ai ka qenë duke vozitur diku 50-60 km në orë.

Në aktakuzë askund nuk përmendet që është kryer testi i alkoolit për shoferin, në këtë rast për Fitim Rexhajn.

Në këtë akt akuzues askund nuk përmendet që ëhtë kryer eskeprtizë për të përcaktuar saktë se sa ka qenë shpejtësia e vozitjes, por ajo është përshkruar vetëm në bazë të deklaratave të dy iznesmenëve, Rexhajt që po voziste dhe Shalës që po e shoqëronte.

Aktakuza është ngritur për “Rrezikim të trafikut publik” nga neni 370 paragrafi 9 lidhur me paragrafin 6 dhe 1.

“Nëse vepra penale nga paragrafi 1. ose 2. i këtij neni kryhet nga pakujdesia, kryesi dënohet me gjobë ose me burgim deri në një (1) vit”, thuhet në pikën 6 të nenit 370.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat