Gramos Agusholli për lejimin e importeve serbe: Vendim i drejtë i Qeverisë “Kurti”

Aktuale

Gramos Agusholli për lejimin e importeve serbe: Vendim i drejtë i Qeverisë “Kurti”

Më: 8 tetor 2024 Në ora: 19:26
Gramos Agusholli

Gramos Agusholli, deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, e vlerësoi heqjen e masës kufitare nga Qeveria Kurti si një vendim të drejtë, pas presionit të vazhdueshëm nga shtetet evropiane, veçanërisht Gjermania. Ai theksoi se këto vende paralajmëruan se mosheqja e masës do të rrezikonte përjashtimin e Kosovës nga CEFTA dhe Procesi i Berlinit.

‘’ Pas presionit të vazhdueshëm nga shtetet Evropiane, veçanërisht nga Gjermania, të cilat paralajmëruan se nëse kjo masë nuk hiqet do të rrezikojmë përjashtimin nga CEFTA dhe procesi i Berlinit, mendoj se vendimi i Qeverisë për të tërhequr masën ishte i drejtë’’, tha Agusholli.

Agusholli nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së raporteve të mira me shtetet evropiane, duke theksuar se është në interes të Kosovës të respektojë marrëveshjet për tregtinë e lirë, pasi ato mbështesin zhvillimin ekonomik dhe lidhjet me rajonin. Ai beson se, pavarësisht sfidave me Serbinë, zbatimi i tregtisë së hapur do të sjellë përfitime për ekonominë.

‘’Është në interes të Kosovës si shtet që të respektojë marrëveshjet për tregtinë e lirë, pasi janë mekanizma që mbështesin zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e lidhjeve me rajonin. Pavarësisht sfidave me Serbinë dhe divergjencave politike, ekonomia jonë do të përfitojë nga zbatimi i një tregtie të hapur dhe të lirë’’, tha Agusholli.

Ai argumentoi se rreziku i përjashtimit nga organizatat ndërkombëtare është më i rëndësishëm se sa impakti i tregtisë me Serbinë, dhe përjashtimi do të kishte pasoja afatgjata për vendin.

‘’A është më i madh rreziku i përjashtimit nga organizatat ndërkombëtare, të cilat ndihmojnë integrimin e Kosovës në ekonominë globale dhe Evropiane, apo është më i madh impakti i tregtisë me Serbinë?

Përjashtimi nga këto struktura do të kishte pasoja shumë më të rënda për vendin në terma afatgjatë’’ deklaroi Agusholli.

Agusholli gjithashtu shprehu besimin se qytetarët e Kosovës janë gjithnjë e më të vetëdijshëm për produktet serbe dhe inkurajoi vazhdimin e bojkotit të tyre, duke mbështetur prodhuesit vendorë. Ai nuk pret që ky vendim të ketë ndikim negativ në bizneset lokale; përkundrazi, ai beson se do të rrisë konkurrencën dhe do të nxisë prodhuesit vendas të ofrojnë produkte më cilësore dhe me çmime më të mira, duke përfituar kështu konsumatorët.

‘’Sipas mendimit tim bojkotimi i tyre duhet te vazhdoj dhe te përkrahet prodhuesi vendor. Nuk pres që ky vendim të ketë ndikim të madh negativ në bizneset lokale, përkundrazi. Nëse ky vendim rrit konkurrencën dhe nxit prodhuesit vendas të ofrojnë produkte më cilësore dhe me çmime më të mira, konsumatori do të përfitojë’’, u shpreh Agusholli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat