Statovci: Bastisjet nuk kanë të bëjnë me ministrin, Lushtaku: Hetimi i vonë

Aktuale

Statovci: Bastisjet nuk kanë të bëjnë me ministrin, Lushtaku: Hetimi i vonë

Më: 8 tetor 2024 Në ora: 22:04
Liburn Aliu

Me bastisjet në Ministrinë e Infrastrukturës që përfunduan me një zyrtar të arrestuar ka nisur debati në RTK Prime.

Deputetja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes Jeta Statovci tha se bazuar në deklarimet e shefit të kabinetit të Ministrit Aliu as ministri as ndonjë anëtar i kabinetit nuk është subjekt i hetimit për asnjë lëndë, mirëpo, sipas saj, janë rreth 100 lëndë që i janë drejtuar prokurorisë.

Ndërkohë, deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku tha se ata gjithmonë kanë kritikuar çdo sektor të qeverisë Kurti edhe vetë Ministrinë e Infrastrukturës. Sipas tij, hetimet në këtë ministri janë të vonshme meqë siç tha është parë qartë se si është keqpërdorur buxheti i Kosovës me kontrata njëburimore.

Tutje në studio debati vazhdoi për ndryshimin e masës për prodhimet me orgjinë nga Serbia.

Deputetja Statovci që si deputete e partisë Guxo është në kuadër të Grupit të Vetëvendosjes tha se asnjëherë nuk kanë qenë kundër një tregu të lirë.

“Ne dimë që ka qenë një masë në kuadër të vlerësimit nga organet e sigurisë ku autoambalucat përdoreshin si autoblinda e “Plazma keks” dilnin ndoshta edhe me barut brenda dhe kjo përbënte një situatë kur e bënte të cenueshëm kufirin tonë,  sidomos kur patëm rastin e kindapimit të policëve në atë pjesë. Ne kemi çështje shumë të rëndësishme siç është i rëndësishëm edhe tregu i lirë, por që të funksionojë tregu i lirë ka nevojë të ketë edhe siguri të brendshme. Në momentin që është verifikuar edhe nga organet e sigurisë që kemi të bëjmë me cenim të kufirit, ka qenë e nevojshme të merren masa në këtë rast”, tha Statovci.

Ndërsa deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku tha se kur e shohin largimin e masës, kujtojnë aksionet e LVV-së dhe se i kujtohet si i kanë rrokullisur kamionët me mallra serbe. Ai tha se pasi erdhi LVV-ja në pushtet e harruan sloganin “Duaje tënden”.

I pyetur nëse është më mirë që u hoq masa në mënyrë që Kosova të mos përjashtohej nga CEFTA e Procesi i Berlinit, Lushtaku tha se për ta është e rëndësishme që të ketë një marrëdhënie të mirë me Bashkësinë Ndërkombëtare.

“Ne ndonjëherë po luajmë me zjarrin e këtë e kam për qeverinë Kurti. Po e futë Kosovën në zjarr me politika adoleshente. Nuk duhej të vinte fare në këtë pikë. Nuk duhej të kishte reaksion të pakoordinuar me Bashkësinë Ndërkombëtare”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat