Dyshime për keqpërdorim detyre, shpëlarje parash e raportim i rremë i pasurisë – gjithçka nga bastisjet në MMPHI

Aktuale

Dyshime për keqpërdorim detyre, shpëlarje parash e raportim i rremë i pasurisë – gjithçka nga bastisjet në MMPHI

Më: 9 tetor 2024 Në ora: 07:48
Foto ilustrim

Policia e Kosovës, saktësisht Njësiti i Krimeve Ekonomike të martën me urdhër të Prokurorisë Speciale ka kryer bastisje në objektin e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. 

Lidhur me këtë rast nga Prokuroria Speciale kanë bërë të ditur për median se janë dy persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale që lidhen me keqpërdorim të detyrës zyrtare, shpëlarje parash dhe mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë a detyrimeve financiare.

Një aksion i tillë i Policisë u tha se u zhvillua pas hetimeve disamujore.

Gjatë këtij aksioni, hetuesit e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike nga Policia e Kosovës kanë realizuar arrestimin e një personi të dyshuar, kurse i dyshuari tjetër nuk është gjetur në vendbanim e tij.

Në komunikatën e përbashkët nga Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, thuhet se i arrestuari me inicialet I.B. dyshohet se ka kryer veprat penale: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “Armëmbajtje pa leje”, kurse i dyshuari tjetër me inicialet N.H. dyshohet se ka kryer veprat: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” “Shpëlarje e parave” dhe “Mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”.

Tutje bëhet e ditur edhe se çfarë u sekuestrua gjatë bastisjes.

Policia njofton se janë sekuestruar dëshmitë si në vijim:

Një revole e tipit MAUSER-WERKR me dy (2) karikator me nga shtatë (7) fishekë, dhe një kuti me pesëdhjetë e katër (54) fishekë  9 mm.

34 fletë dokumente të ndryshme.

3 telefona, 1 IPhone 15 ProMax, 1 IPhone 12 ProMax, 1 IPhone 11 ProMax

17 USB.

3 laptop HP.

4 shtëpiza kompjuteri si dhe

Dokumente të rëndësishme për procedurën hetimore.

Gjithashtu është lëshuar urdhër i përkohshëm ndalimi për 6 banesa, me lokacione në Prishtinë dhe Fushë Kosovë.

Me aktvendim të Prokurorit nga PSRK-ja, i dyshuari me inicialet I.B. është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet vazhdojnë për të identifikuar çdo person tjetër që mund të jetë i përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat