Fillon seanca: Tre të akuzuarit për agresionin në Banjskë para Gjykatës, deklarohen rreth fajësisë

Aktuale

Fillon seanca: Tre të akuzuarit për agresionin në Banjskë para Gjykatës, deklarohen rreth fajësisë

Më: 9 tetor 2024 Në ora: 07:52 Përditësuar në ora: 10:18 më 09.10.2024
Foto nga vendi i ngjarjes

Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq nuk deklarohen rreth fajësisë, Dushan Maksimoviq deklarohet i pafajshëm për sulmin terrorist në Banjskë

Në seancën fillestare të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të akuzuarit Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq nuk u deklaruan rreth fajësisë. Kurse, Dushan Maksimoviq u deklarua i pafajshëm lidhur me akuzën për sulmin terrorist në Banjskë.

Paraprakisht, u bë leximi i aktakuzës nga prokurori special, Naim Abazi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Gjyqtari i çështjes është Arben Hoti, njoftoi të akuzuarit se janë udhëzuar nga Gjykata për të drejtat e tyre dhe para deklarimit, i udhëzoi se kanë të drejtë të mos deklarohen për këtë çështje, të mos përgjigjen në pyetje dhe se nëse deklarohen nuk janë të inkriminuar.

Pas kësaj, i akuzuari Blagoje Spasojeviq tha se e ka kuptuar aktakuzën dhe tani për tani nuk do të deklarohet rreth fajësisë.

Edhe i akuzuari Vladimir Toliq tha se në këtë fazë të procedurës nuk dëshiron të deklarohet rreth fajësisë.

Kurse, Dushan Maksimoviq u deklarua i pafajshëm, duke thënë “I nderuar gjyqtar në këtë sallë shumica mendojnë se jam i përfshirë në këtë vepër penale”.

Pas kësaj, gjyqtari Hoti njoftoi të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre se në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të bëjnë kundërshtimin e provave dhe të bëjnë kërkesë për hudhje të aktakuzës.

​Masa të shtuara të sigurisë, para fillimit të seancës për rastin Banjska

Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë pritet të mbahet seanca përgatitore për rastin e sulmit në Banjskë, në të cilën, të akuzuarit që ndodhen në paraburgim në Kosovë, duhet të deklarohen lidhur me fajësinë.

Para departamentit Special te Gjykatës Themelore në Prishtinë janë shtuar masat e sigurisë, pasi në këtë gjykatë në ora 09:30 pritet të nis gjykimi ndaj tre të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë.

Të arrestuarit pritet të deklarohen rreth fajësisë

Të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë do të mbahet seanca përgatitore për rastin e sulmit në Banjskë, në të cilën, të akuzuarit që ndodhen në paraburgim në Kosovë, duhet të deklarohen lidhur me fajësinë.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur më 11 shtator një aktakuzë ndaj 45 personave, të cilët akuzohen për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të rënda penale, por vetëm tre prej tyre janë në dispozicion të organeve të drejtësisë: Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq.

Ata janë arrestuar pas sulmit të armatosur në Banjskë, në veri të Kosovës, kur një grup i armatosur serb sulmoi Policinë e Kosovës dhe vrau policin, Afrim Bunjaku.

Gjatë shkëmbimit të zjarrit, më pas, u vranë tre sulmues.

Përgjegjësinë për sulmin e shtatorit të vitit të kaluar e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Besohet se ai, dhe shumica e pjesëtarëve të këtij grupi të armatosur, ndodhen në Serbi.

Seanca përgatitore ishte paraparë të mbahej më 25 shtator, por avokatët e të arrestuarve kërkuan shtyrje me arsyetimin se kishin marrë aktakuzën me vonesë dhe se u nevojitej kohë për t’u përgatitur.

Prokuroria, në anën tjetër, kërkoi që gjykimi të fillojë edhe për të akuzuarit që janë në arrati, gjë që u kundërshtua nga avokatët, duke theksuar se një gjë e tillë nuk e parashihet me ligjet e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat