Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq nuk deklarohen rreth fajësisë, Dushan Maksimoviq deklarohet i pafajshëm për sulmin terrorist në Banjskë
Në seancën fillestare të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të akuzuarit Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq nuk u deklaruan rreth fajësisë. Kurse, Dushan Maksimoviq u deklarua i pafajshëm lidhur me akuzën për sulmin terrorist në Banjskë.
Paraprakisht, u bë leximi i aktakuzës nga prokurori special, Naim Abazi, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Gjyqtari i çështjes është Arben Hoti, njoftoi të akuzuarit se janë udhëzuar nga Gjykata për të drejtat e tyre dhe para deklarimit, i udhëzoi se kanë të drejtë të mos deklarohen për këtë çështje, të mos përgjigjen në pyetje dhe se nëse deklarohen nuk janë të inkriminuar.
Pas kësaj, i akuzuari Blagoje Spasojeviq tha se e ka kuptuar aktakuzën dhe tani për tani nuk do të deklarohet rreth fajësisë.
Edhe i akuzuari Vladimir Toliq tha se në këtë fazë të procedurës nuk dëshiron të deklarohet rreth fajësisë.
Kurse, Dushan Maksimoviq u deklarua i pafajshëm, duke thënë “I nderuar gjyqtar në këtë sallë shumica mendojnë se jam i përfshirë në këtë vepër penale”.
Pas kësaj, gjyqtari Hoti njoftoi të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre se në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të bëjnë kundërshtimin e provave dhe të bëjnë kërkesë për hudhje të aktakuzës.