Tre të akuzuarit për agresionin në Banjskë para Gjykatës, deklarohen rreth fajësisë

Aktuale

Tre të akuzuarit për agresionin në Banjskë para Gjykatës, deklarohen rreth fajësisë

Më: 9 tetor 2024 Në ora: 07:53 Përditësuar në ora: 12:34 më 09.10.2024
Foto nga vendi i ngjarjes

​Të akuzuarit për terrorizëm në Banjska nuk e pranojnë fajsinë, prokurori special iu lexon aktakuzën

Tre të akuzuarit për sulmin terrorist në Banjskë, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq nën masa të larta të sigurisë janë sjellë për herë të dytë në gjykatoren e Themelores në Prishtinë. Në seancën fillestare, të akuzuarit Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq nuk u deklaruan rreth fajësisë. Kurse, Dushan Maksimoviq u deklarua i pafajshëm lidhur me akuzën për sulmin terrorist në Banjskë.

I akuzuarit, Blagoje Spasojeviq teksa u shpreh se e ka kuptuar aktakuzën tha se tani për tani nuk dëshiron të deklarohet rreth fajësisë.

Spasojeviq: Nuk dua të deklarohem rreth fajësisë

“Tani për tani nuk dua të deklarohem rreth fajësisë“, tha ai.

Edhe i akuzuari tjetër, Vladimir Toliq nuk u deklaruar rreth fajësisë.

Toliq: Nuk dëshiroj të deklarohem rreth aktakuzës

“Në këtë fazë të procedurës nuk dëshiroj të deklarohem rreth aktakuzës”, deklaroi ai.

Ndërsa, i akuzuari Dushan Maksimoviq u deklaruar i pafajshëm për akuzat që e ka ngarkuar Prokuroria Speciale.

Maksimoviq: Unë deklarohem se nuk jam fajtor

“Unë jam i vetëdijshëm që shumica në këtë sallë po mendojnë se jam i përfshirë në këtë vepër penale, mirëpo unë deklarohem se nuk jam fajtor dhe nuk kam lidhje me këtë aktakuzë me të cilën unë ngarkohem”, deklaroi i akuzuari, Maksimoviq.

Të akuzuarit deklarimin rreth fajësisë e bënë vetëm pasi u lexua aktakuza nga prokurori special, Naim Abazi.

Sipas aktakuzës të akuzuarit për sulm terrorist, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq së bashku me Milan Radojçiq në cilësinë e kreut të grupit terrorist më 24 shtator të vitit të kaluar kanë kryer sulmin terrorist në Banjskë.

Si pasojë e këtij sulmi mbeti i vrarë polici, Afrim Bunjaku dhe u plagosën disa të tjerë.

Abazi: Ekziston dyshimi i bazuar mirë se kanë kryer veprën penale, ‘Kryerja e veprës terroriste’

“Më datën 24. 09.2023 nga ora 01:00 në fshatin Banjskë të Zveçanit së bashku me të pandehurin Milan Radojçiq në cilësinë e kreu të grupit terrorist të strukturuar së bashku me të pandehurit tjetër në role të ndryshme, duke filluar nga roli i bllokimit të rrugëve, të trajnuar në mënyrë profesionale, ku pjesa më e madhe e grupit pasi që kanë hyrë në mënyrë të organizuar përmes rrugëve malore ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës nga Republika e Serbisë, me dhjetëra vetura e disa prej tyre edhe të blinduara, të mbushura me armë të rënda, municion, raketa hedhës, eksplozivë, uniforma të kamufluara ushtarake dhe pajisje logjistike ushtarake...e gjithë kjo me qëllim që seriozisht të destabilizojnë dhe shkatërrojnë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike, shoqërore të Republikës së Kosovës.Me këtë ekziston dyshimi i bazuar mirë se kanë kryer veprën penale, ‘Kryerja e veprës terroriste’”, thuhej në aktakuzë.

Tutje, aktakuza thotë se tre të akuzuarit përmes një plani të mirë organizuar paraprakisht, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar që të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës.

Abazi: Tentuan që të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës

“Duke vepruar sipas përgatitjeve dhe planit të mirë organizuar paraprakisht, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar që të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur, ka vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku dhe është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policorë dhe popullatës civile...me këtë ekziston dyshimi i bazuar mirë se kanë kryer veprën penale, “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, tha prokurori special.

Kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti i njoftoi të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre se në një afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të bëjnë kundërshtimin e provave dhe të bëjnë kërkesë për hudhje të aktakuzës.

Seanca e kaluar më 25 shtator ishte shtyrë pasi mbrojtja e të akuzuarve nuk kishte arritur të përgatitej.

Ndërsa, po në seancën e kaluar trupi gjykues vendosi ta veçoj rastin për gjykim ndaj tre të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq që janë në paraburgim, ndërsa nga Gjykata Supreme ka kërkuar mendim juridik nëse 42 të akuzuarve tjetër mund të gjykohen në mungesë apo jo.

Prokuroria Speciale e Kosovës më 11 shtator të këtij viti ka ngritur aktakuzë 45 të akuzuarve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.

Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq nuk deklarohen rreth fajësisë, Dushan Maksimoviq deklarohet i pafajshëm për sulmin terrorist në Banjskë

Në seancën fillestare të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të akuzuarit Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq nuk u deklaruan rreth fajësisë. Kurse, Dushan Maksimoviq u deklarua i pafajshëm lidhur me akuzën për sulmin terrorist në Banjskë.

Paraprakisht, u bë leximi i aktakuzës nga prokurori special, Naim Abazi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Gjyqtari i çështjes është Arben Hoti, njoftoi të akuzuarit se janë udhëzuar nga Gjykata për të drejtat e tyre dhe para deklarimit, i udhëzoi se kanë të drejtë të mos deklarohen për këtë çështje, të mos përgjigjen në pyetje dhe se nëse deklarohen nuk janë të inkriminuar.

Pas kësaj, i akuzuari Blagoje Spasojeviq tha se e ka kuptuar aktakuzën dhe tani për tani nuk do të deklarohet rreth fajësisë.

Edhe i akuzuari Vladimir Toliq tha se në këtë fazë të procedurës nuk dëshiron të deklarohet rreth fajësisë.

Kurse, Dushan Maksimoviq u deklarua i pafajshëm, duke thënë “I nderuar gjyqtar në këtë sallë shumica mendojnë se jam i përfshirë në këtë vepër penale”.

Pas kësaj, gjyqtari Hoti njoftoi të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre se në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të bëjnë kundërshtimin e provave dhe të bëjnë kërkesë për hudhje të aktakuzës.

​Masa të shtuara të sigurisë, para fillimit të seancës për rastin Banjska

Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë pritet të mbahet seanca përgatitore për rastin e sulmit në Banjskë, në të cilën, të akuzuarit që ndodhen në paraburgim në Kosovë, duhet të deklarohen lidhur me fajësinë.

Para departamentit Special te Gjykatës Themelore në Prishtinë janë shtuar masat e sigurisë, pasi në këtë gjykatë në ora 09:30 pritet të nis gjykimi ndaj tre të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë.

Të arrestuarit pritet të deklarohen rreth fajësisë

Të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë do të mbahet seanca përgatitore për rastin e sulmit në Banjskë, në të cilën, të akuzuarit që ndodhen në paraburgim në Kosovë, duhet të deklarohen lidhur me fajësinë.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur më 11 shtator një aktakuzë ndaj 45 personave, të cilët akuzohen për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të rënda penale, por vetëm tre prej tyre janë në dispozicion të organeve të drejtësisë: Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq.

Ata janë arrestuar pas sulmit të armatosur në Banjskë, në veri të Kosovës, kur një grup i armatosur serb sulmoi Policinë e Kosovës dhe vrau policin, Afrim Bunjaku.

Gjatë shkëmbimit të zjarrit, më pas, u vranë tre sulmues.

Përgjegjësinë për sulmin e shtatorit të vitit të kaluar e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Besohet se ai, dhe shumica e pjesëtarëve të këtij grupi të armatosur, ndodhen në Serbi.

Seanca përgatitore ishte paraparë të mbahej më 25 shtator, por avokatët e të arrestuarve kërkuan shtyrje me arsyetimin se kishin marrë aktakuzën me vonesë dhe se u nevojitej kohë për t’u përgatitur.

Prokuroria, në anën tjetër, kërkoi që gjykimi të fillojë edhe për të akuzuarit që janë në arrati, gjë që u kundërshtua nga avokatët, duke theksuar se një gjë e tillë nuk e parashihet me ligjet e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat