Kurti jep detaje për takimet në SHBA e Poloni, “zbulon” çfarë plani ka për në Leposaviq dhe ka një ‘paralajmërim’ për...

Aktuale

Kurti jep detaje për takimet në SHBA e Poloni, “zbulon” çfarë plani ka për në Leposaviq dhe ka një ‘paralajmërim’ për...

Më: 9 tetor 2024 Në ora: 09:16 Përditësuar në ora: 11:59 më 09.10.2024
Qeveria

Miratohet agjenda e reformave për të përfituar nga Plani i Rritjes, Kurti paralajmëron “shumë ndryshime” – kusht progresi në dialog

Qeveria e Kosovës e ka miratuar Agjendën e Reformave të Kosovës në kuadër të Instrumentit të BE-së për Reforma dhe Rritje Ekonomike në Ballkanin Perëndimor.

Kryeministri Albin Kurti tha se Bashkimi Europian ka kërkuar “aprovimin e kësaj agjende të reformave”, ndërsa tregoi se ajo u negociua me Komisionin Europian nga një delegacion i udhëhequr nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

“Nga muaji maj, ky instrument tashmë ka hyrë në fuqi. Për të përfituar nga këto fonde si ndihmesë për arritjen e reformave, është kërkuar përgatitje e një agjende të reformave nga të gjitha gjashtë shtetet. Kosova ka negociuar me Komisionin Evropian dhe ka përgatitur një agjendë serioze të reformave për katër vitet e ardhshme, që fillon sivjet e vazhdon deri në vitin 2027. Negocimi i agjendës së reformave dhe planit të rritjes ka filluar qysh nga nëntori i vitit të kaluar. Ekipi ynë negociator i udhëhequr nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka bërë një punë të shkëlqyeshme”, tha ai.

Kurti tha se Kosova “ka respektuar të gjitha afatet dhe ka dorëzuar në kohë agjendën e reformave, koston financiare për secilën reformë, si dhe listën indikative të projekteve investive”.

Ai tregoi se “si rezultat i këtij plani”, Kosova “mund të përfitojë deri në 882 milionë e 600 mijë euro”. Afër 30% e kësaj shume, Kurti tha se “janë grante” ndërsa “rreth 70% janë hua afatgjate”.

Agjenda, siç tha Kurti, përfshin pesë fusha, 30 reforma dhe 111 hapa ose veprime konkrete. Aty, tha se hyjnë “qeverisja e mirë, tranzicioni i gjelbër dhe digjital, zhvillimi i sektorit privat dhe mjedisi i biznesit, zhvillimi dhe ruajtja e kapitalit njerëzor, vlerat themelore dhe sundimi i ligjit”.

“Nga kjo agjendë e reformave, brenda katër viteve të ardhshme do të jemi dëshmitarë të shumë ndryshimeve të nevojshme, gjithsesi pozitive, të cilat do të ndodhin në Republikën e Kosovës”, u shpreh kryeministri.

Ai tha se Komisioni Europian më pas “do të përgatisë marrëveshjen nga instrumenti nga plani i rritjes dhe marrëveshjen për hua”.

Bislimi, ndërkaq, tha se kjo agjendë është “rezultat i një pune pothuajse njëvjeçare”.

Këshilli i Bashkimit Europian e ka miratuar në maj Planin e Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor, një instrument i ri për të mbështetur reformat e lidhura me BE-në dhe rritjen ekonomike në rajon.

Vendet anëtare të BE-së do të kenë fjalën kryesore në miratimin e burimeve financiare, ndërsa Kosovës dhe Serbisë u kërkohet “progres i matshëm dhe rezultate të prekshme” në normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e të gjitha detyrimeve nga Marrëveshja Bazike dhe Aneksi i sasj i zbatimit, si dhe të gjitha marrëveshjet e mëparshme të dialogut.

Pagesat do të bëhen dy herë në vit, me kusht që shtetet të përmbushin hapat cilësorë dhe sasiorë të specifikuar në agjendat e tyre të reformave.

“Takime të shumta me shtete mike e mosnjohëse”, Kurti i njofton ministrat e tij për vizitat në SHBA e Poloni

Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka njoftuar kabinetin për udhëtimet e tij në SHBA e Poloni.

Ai tha se ka pasë “takime të shumta” atje për thellim të marrëdhënieve, ndërsa tha se ka takuar edhe udhëheqës të shteteve mosnjohëse për t’i njohur ato me Kosovën, historinë dhe synimet demokratike të saj.

“Takimet të shumta bilaterale me shtete mike, aleate e partnere e kanë karakterizuar vizitën tonë për të forcuar edhe më tej marrëdhëniet dhe bashkëpunimin. Takuam edhe udhëheqës të shteteve mosnjohëse për t’i njohur ata sa më gjerë e më gjatë e më thellë me vendin tonë, me historinë tonë me synimet tona demokratike e veriatlantike për të afruar sa më shumë ato vende drejt njohjes së vendit tonë dhe vendosjes së bashkëpunimit dhe të marrëdhënieve bilaterale sa më parë aq më mirë ku edhe prezantuam edhe perspektivën tonë për realizimin e rritjes ekonomike e të progresit demokratik të vendit tonë. Këto vendet mosnjohëse pra synojmë që t’i afrojmë e ndërkohë me vendet që na kanë njohur t’i thellojmë raportet biletarale”.

Kurti ka falënderuar diasporën në këto dy vende për “pritjen madhështore” që i kanë bërë.

“Mikpritja madhështore nga diaspora jonë në SHBA e Poloni na la mbresa të forta dhe emocione të pashlyeshme, për të cilat i falënderoj përzemërsisht. Sinergjia e Qeverisë dhe institucioneve të Republikës në përgjithësi me ta është e domosdoshme përveçse e nevojshme si për të tashmen ashtu edhe për të ardhmen e vendit”, tha Kurti.

Qeveria synon ta kthejë një objekt të Leposaviqit në maternitet, Kurti: Gratë po shkojnë në Novi Pazar, po regjistrohen foshnjat atje

Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë tregoi për vizitën që pati në mëngjes në Leposaviq ku shkoi bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.

“Sapo erdhëm nga Leposaviqi me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, meqenëse në Leposaviq do të qëndrojë për dy ditë mamografi për kontroll për vajza dhe gra, për ndërgjegjësimin e kancerit të gjirit”.

Ai tha se ky mamograf do të shkojë në çdo komunë të Republikës sonë.

“Ky muaj është thirrje për ngritjen e vetëdijes rreth kancerit të gjirit. Mamografi do të vazhdojë për Viti, ndërsa ka qenë edhe më herët në Mitrovicë të Veriut”.

Kurti tha se kanë vizituar edhe një objekt që do të mund ta shndërrojnë në maternitet për gratë nga  Leposaviqi.

“Bashkë me ministrin Vitia pamë nga afër edhe një objekt, një ndërtesë për ta vlerësuar mundësinë e kthimit të saj në maternitet që i plotëson nevojat e grave nga Leposaviqi në mënyrë që ato të mos kenë nevojë për të kaluar kufirin e për të udhëtuar me dhjetëra kilometra deri në Novi Pazar e ku më pastaj po ia regjistrojnë foshnjat si banorë të Serbisë”.

Ai tha se atje ishte edhe kryetari i komunës, Lulzim Hetemi, nënkryetarja Marina Bogojonoviq dhe drejtorja e shëndetësisë, Marina Zdravkoviq. 

Mblidhet Qeveria

Sot mbahet mbledhja e radhës e Qeverisë së Kosovës.

Mbledhja e sotme vjen pas dy vendimeve madhore të qeverisë – njëri për rritjen e pensioneve me 20 për qind, e tjetri për heqjen e ndalesës për mallrat e prodhuara në Serbi.

Një ditë më parë, Kurti dhe ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi, patën takim me kryetarët e komunave.

Me të cilët diskutuan sfidat dhe shqetësimet e komunave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat