Avokati Bajraktari: Sinjalizuesit janë patriotë të kohës së sotme, i pakuptimtë mosreagimi i Prokurorisë për veprimet hakmarrëse ndaj tyre

Aktuale

Avokati Bajraktari: Sinjalizuesit janë patriotë të kohës së sotme, i pakuptimtë mosreagimi i Prokurorisë për veprimet hakmarrëse ndaj tyre

Më: 9 tetor 2024 Në ora: 13:08
Avokati Ardian Bajraktari

Avokati Ardian Bajraktari tha se sinjalizuesit janë patriotë të kohës së sotme për shkak se e mbrojnë interesin publik, ndërsa mosreagimi i Prokurorisë për veprimet hakmarrëse ndaj tyre është i pakuptimtë.

Bajraktari këtë e tha gjatë publikimit të raportit të Institutit të Kosovës për Drejtësi “Përmbushja” e premtimit për sinjalizuesit”, duke shtuar se në këto rrethana sinjalizuesit po ballafaqohen me klimë të pafavorshme.

“Natyrisht që varësisht prej etapave të historisë çdo vend i ka heronjtë e patriotët e vet. Në bindjen time ata që zgjedhin për me raportu, për me i denoncu shkeljet në këto rrethana kur ballafaqohen me një klimë jashtëzakonisht të pafavorshme, në bindjen time janë patriotë të kohës së sotme, për faktin së bëhen mbrojtës të interesit publik në drejtim të parandalimit të dukurive negative duke i raportuar e duke i denoncuar ato”, tha Bajraktari.

Avokati potencoi se mosreagimi lidhet me klimën që institucionet duhet të krijojnë kushte për sinjalizuesit.“Për mua është i pakuptimtë mosreagimi i institucionit të Prokurorit të Shtetit për faktin se sipas Kodit Penal kjo është vepër penale… Mosreagimi lidhet me frymën, klimën që institucionet duhet me kriju kushte për këta njerëz që natyrisht vihen në mbrojtje të interesit publik”, tha Bajraktari.

Ai tha se çelës i suksesit të sinjalizimit është besimi i zyrtarëve për t’i raportuar shkeljet.

“Sa i përket çështjes së sinjalizimit, për me pas sukses në bindjen time çelës është besimi i zyrtarëve që me i raportu shkeljet, me i denoncu shkeljet, parregullsitë si rezultat i punës së tyre”, tha Bajraktari.

Sipas avokatit, vetë fakti që një pjesë e sinjalizimeve bëhen tek organizatat e shoqërisë civile, tregon se mekanizmi i brendshëm është akoma sfidues.

Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në kuadër të projektit “Përmbushja e premtimit të sinjalizimit – Mbrojtja e të drejtave të qytetarëve dhe parandalimi i korrupsionit”, financuar nga Balkan Trust for Democracy, një projekt i Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara dhe USAID, të mërkurën (9 tetor) organizoi tryezë diskutimi, ku u publikua raporti: “Përmbushja” e premtimit për sinjalizuesit”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat