Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, njoftoi të mërkurën se Kosova do të përfaqësohet nga zyrtarët e saj në Marrëveshjen për Tregtinë e Lirë të vendeve të Evropës Qendrore (CEFTA).
“Lajm vërtet i mirë për Kosovën dhe tërë rajonin: CEFTA është zhbllokuar dhe nga tani Kosova do të përfaqësohet nga zyrtarët e vet, ashtu siç duhet, e jo nga UNMIK-u,” shkroi Rohde në platformën X.
Pas këtij zhvillimi të rëndësishëm për Kosovën, Lëvizja Vetëvendosje reagoi duke theksuar rëndësinë e këtij ndryshimi.
Sipas tyre, “nga tash e tutje, vendi ynë do të përfaqësohet si shtet, ashtu siç duhet, si Republikë e Kosovës”.
Në një postim në Facebook, Lëvizja Vetëvendosje shkroi:
"Kosova në CEFTA si Republikë e Kosovës, e jo më si UNMIK! Që nga viti 2006/7, Republika e Kosovës në CEFTA, Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, është përfaqësuar si ‘UNMIK’. Nga tash e tutje, vendi ynë do të përfaqësohet si shtet, ashtu siç duhet, si Republikë e Kosovës."
Gjithashtu, Vetëvendosje theksoi se pas presionit të fortë nga Gjermania për lirimin e mallrave të Serbisë, kryeministri Albin Kurti vendosi hapjen e kufijve, por me kontroll të shtuar për të siguruar respektimin e rregullave të reja.