Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar pas publikimit të bisedimeve të radhës mes shefes se deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari – Lila dhe kriminelit Milan Radojiçiq.
Kica-Xhelili përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka përmendur sulmet e pushtetit ndaj Gjykatës Kushtetuese.
“A ju kujtohen sulmet ndaj Gjykatës Kushtetuese? Eh – me Listën Serbe e paskan koordinuar kush zgjedhet gjyqtar e kush jo.” – ka thënë ajo.
Tutje, deputetja e LDK-së ka thënë se VV nuk e ka problemin e koordinimit me Listën Serbe, por “zbulimin se po koordinohen”.
“Këta nuk e kanë problemin e koordinimit me Listen Serbe, e kanë me ZBULIMIN se po koordinohen. Koordinohen me ta për veteran, për pagë minimale, për gjyqtarë të Kushtetueses e kushedi çka tjetër që nuk është inçizuar. Kosova e njerëzit e saj të mirë nuk meritojnë kaq shumë manipulim e gënjeshtra. Për besë nuk e kemi luksin t’i vrajmë ëndrrat tona kaq brutalisht.” – ka thënë tutje ajo.