Qeveria synon ndërtimin e një materniteti në Leposaviq

Aktuale

Qeveria synon ndërtimin e një materniteti në Leposaviq

Më: 9 tetor 2024 Në ora: 17:50
Qeveria e Kosovës

Të mërkurën Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e 223-të, me 27 pika të rendit të dita ku janë votuar projektligje dhe është miratuar vendimi për Agjendën e Reformave të Kosovës në kuadër të Instrumentit të BE-së për Reforma dhe Rritje Ekonomike në Ballkanin Perëndimor, e që për objektivë ka zbatimin e reformave drejt aderimit në BE dhe atyre për rritje ekonomike, të negociuara me BE-në. Për këtë vendim zëvendës kryeministri, Besnik Bislimi tha se Kosova do të përfitoi 382 milionë euro. E kryeministri i vendit, Albin Kurti foli për vizitën e tij në Leposaviq, i cili tha se në një objekt atje pritet të ndërtohet në maternitet që i plotësojë nevojat për gratë e kësaj komune. Ndërkaq, ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla kërkoi të ndahen 200 mijë për vërshimet në Bosnje dhe Hercegovinë.

Qeveria e Kosovës të mërkurën ka mbajtur mbledhjen e radhës

Projekt-ligje, miratime të vendimeve për shpronësim të disa tokave e vendimi për Agjendën e Reformave në kuadër të Instrumentit të BE-së për Reforma dhe Rritje Ekonomike në Ballkanin Perëndimor, ishin disa nga vendimet e Qeverisë.

Në fillim të mbledhjes kryeministri Kurti foli për vizitën në Leposaviqt, ku tha se shqyrtuan mundësinë që një objekt në këtë komunë të shfrytëzohet si objekt i maternitetit.

“Gjatë qëndrimit në Leposaviq bashkë me ministrin Vitia, pamë nga afër edhe një objekt, një ndërtesë për ta vlerësuar mundësinë e kthimit të saj në maternitet që i plotëson në nevojat e grave nga Leposaviqi në mënyrë që ato të mos kenë nevojë që ta kalojnë kufirin dhe të udhëtojnë me dhjetra kilometra, edhe mbi 50 kilomtrea deri në Novi Pazar ku edhe pastaj po ua regjistrojnë foshnjat si qytetare të Serbisë”, tha Kurti.

E për votimin e vendimit për agjendën e reformave të Kosovës, zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi tha se vendi ynë pritet të përfiton rreth 400 milionë euro fonde nga Bashkimi Evropian.

“ Kjo punë voluminoze e finalizuar nga stafi ynë me institucionet e Republikës së Kosovës, dhe e përshëndetur nga shumë institucione jashtë Republikës sonë, do të ketë ndikim të theksuar në vendin tonë pas realizimit të reformave. Prandaj mënyra më e mirë për të përfituar sa më shumë nga kjo mundësi dhe shumës totale prej 382 milionë euro, është që të gjithë bashkë të angazhohemi në mënyrë maksimale që pjesa më e madhe e këtyre reformave të gjejnë zbatim”, tha Bislimi

Ndërkaq, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla kërkoi të ndahen 200 mijë euro për vërshimet në Bosnjë dhe Hercegovinë.

“Do të kërkoja solidaritetin tuaj, solidarizimin tonë të përbashkët me një shumë prej 200 mijë eurosh nëse nuk kanë ndonjë kundërshtim këtu, atëherë kryeministër do t’ju dërgojmë kërkesën zyrtare si ministri e Punëve të Jashtme që të mund të ndërmarrim një hap të tillë”, tha ajo.

Gjatë kësaj mbledhje, zëvendës ministri në ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Hysen Durmishi propozoi kërkesën e departamentit për shpronësim të tokave në interes publik për nevojat e terminaleve doganore.

“Departamenti i shpronësimit i propozon qeverisë që të nxjerrë vendim për ligjshmërinë e procesit për shpronësimin në interes publik për pronat e paluajtshme për nevojat e terminaleve doganore”, u shpreh Durmishi.

Qeveria gjithashtu, miratoi Planin e Veprimit të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për zbatimin e rekomandimeve të Raportit Vjetor të Auditimit për vitin 2023.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat