Zëvendësministri godet në gjendje të dehur një motoçiklist, detaje

Aktuale

Zëvendësministri godet në gjendje të dehur një motoçiklist, detaje

Më: 9 tetor 2024 Në ora: 18:56
Ali Tafarshiku

Një motoçiklist është goditur mbrëmë nga një veturë në Gjakovë. Viktima është në gjendje stabile, mirëpo shoferi që shkaktoi aksidentin ishte i dehur, dhe siç mëson televizioni është zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, Ali Tafarshiku.

I dehur po voziste në rrugë.

Në këtë mënyrë shkaktoi një aksident.

Mbrëmjen e së martës në qytetin e Gjakovës, një motoçiklist u godit nga një veturë të cilën siç ka mësuar televizioni po e voziste zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, Ali Tafarshiku.

Gjithë rastin për televizionin e tregoi një qytetar që nuk pranoi të identifikohet.

“Motoçikleta ka qenë para tij, por ai nuk e ka parë motorin që është ndalur, duke i dhënë gaz e goditi atë djalin me motor. I kemi thënë ndalu, por djali hyri përfundi veturës e dërgoj deri atje. Dikur u ndal, bërtitke, erdhën policia, tha jam zëvendësministër”, tha një qytetar.

E pas plagëve të marra, viktima është dërguar në spitalin rajonal të Gjakovës, “Isa Grezda”.

Rreth gjendjes së tij, dha detaje specialisti i emergjencës, Afrim Dervishi.

“Rreth orës 22:30 minuta ka ardhur një i lënduar, ku si pasojë e aksidentit të komunikacionit ka pasur lëndime të lehta trupore. Është në gjendje stabile, mbrëmë ka qëndruar në spitalin tonë, ndërsa sot ka shkuar në shtëpi në gjendje stabile”, tha Afrim Dervishi, specialist i emergjencës.

Që ngasësi i veturës ishte në gjendje të dehur e konfirmoi për televizionin edhe Prokuroria Themelore në Gjakovë.

“Lidhur me rastin në fjalë ju njoftojmë se është inicuar rast për veprën penale “Ngasja në gjendje të paaftë apo të dehur” nga neni 371 të KPRK-së. I dyshuari është intervistuar në stacion policor, të dëmtuarit i është dhënë ndihma mjekësore ku ka rezultuar se ka pësuar lëndim të lehtë trupor”, thuhet nga Prokuroria.

E kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se organet e rendit janë duke e hetuar rastin, teksa shprehu keqardhje për rastin.

“Sa i përket aksidentit që ka ndodhur janë organet e rendit, institucionet përkatëse të shtetit tonë të cilat hetojnë dhe procedura vazhdon. Mua më vjen keq për atë çka ka ndodhur, besoj se njëjtë ndjehet edhe zëvendësministri. Shumë shpejtë do të merren hapat në vijim, por na duhet të jemi të përqendruar tek i lënduari dhe tek lejimi i organeve të rendit të bëjnë punën e tyre në mënyrë profesionale”, tha Kurti.

Media ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga zëvendësministri Tafarshiku, por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje për rastin në fjalë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat