​UNMIK-u deklarohet për CEFTA-n

Aktuale

​UNMIK-u deklarohet për CEFTA-n

Më: 9 tetor 2024 Në ora: 20:39
Ilustrim

Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP), njëherësh shefja e UNMIK-ut Caroline Ziadeh është deklaruar pas marrëveshjes së sotme ndërmjet palëve të CEFTA-s, përfshirë UNMIK-un për miratimin e një vendimi për ndryshimin e Komitetit të Përbashkët të Rregullores së Punës.

Ziadeh ka thënë se UNMIK-u ka luajtur vazhdimisht një rol të rëndësishëm në lehtësimin dhe mundësimin e bashkëpunimit në CEFTA, duke mbështetur rrugën drejt konsensusit të arritur sot.

“Ky vendim hapi rrugën për miratimin e marrëveshjeve novator në dobi dhe prosperitet ekonomik të njerëzve në rajon”, tha ajo.

Ndryshe, Kosova nga sot nuk do të përfaqësohet më nga UNMIK-u në CEFTA, por nga institucionet e saja.

Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) synon rritjen e tregtisë në mallra dhe shërbime, synon të eliminojë barrierat tregtare ndërmjet palëve dhe të tërheqë investime në rajon përmes rregullave tregtare të drejta, të qëndrueshme dhe të parashikueshme.

Marrëveshja synon të harmonizojë kuadrin rregullator të palëve të saj me BE-në dhe standardet ndërkombëtare. Ajo gjithashtu mbulon çështje të tilla si mbrojtja e të drejtave të pronësisë intelektuale, rregullat e konkurrencës dhe ndihma shtetërore.

Duke u bazuar në CEFTA-n origjinale, CEFTA e zgjeruar dhe moderne u nënshkrua në dhjetor 2006 nga Kosova, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia.

Rumania, Bullgaria dhe Kroacia janë tërhequr nga CEFTA pas anëtarësimit të tyre në BE.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat