Kurti merr mbështetjen e Magazinoviqit për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës

Aktuale

Kurti merr mbështetjen e Magazinoviqit për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës

Më: 10 tetor 2024 Në ora: 12:38
Pamje nga takimi

Kryetari i Klubit të Deputetëve të SDP-së në Dhomën e Përfaqësuesve të Asamblesë Parlamentare të Bosnjë-Hercegovinës Sasha Magazinoviq, është takuar me kryeministrin Albin Kurti në objektin e Qeverisë së Kosovës.

Të dy, diskutuan për anëtarësimin në Këshillin e Evropës, dhe në këtë kontekst Magazinoviq ritheksoi mbështetjen e tij të fuqishme për anëtarësimin e Kosovës në familjen e madhe të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, duke theksuar se të gjithë qytetarët e Kosovës meritojnë qasje në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Duke folur për 10 vjetorin e Procesit të Berlinit, Kurti dhe Magazinoviq vlerësuan se kjo iniciativë është jashtëzakonisht e dobishme për rajonin, përmes krijimit të mekanizmave për bashkëpunim të thjeshtuar dhe mobilitet të qytetarëve.

U shpreh shpresa se Bosnja dhe Hercegovina së shpejti do ta ratifikojë marrëveshjen për lëvizjen me letërnjoftime në rajon, pasi të gjitha vendet e tjera të rajonit ta kenë bërë këtë. Është përshëndetur ratifikimi i marrëveshjes për njohjen e diplomave dhe kualifikimeve të arsimit të lartë dhe kualifikimeve profesionale për doktorët e mjekësisë, doktorët e stomatologjisë dhe arkitektët.

Kurti dhe Magazinoviq ranë dakord se e ardhmja e përbashkët e rajonit është në Bashkimin Evropian dhe theksuan se ka hapësirë ​​të konsiderueshme për bashkëpunim ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e anëtarësimit, i cili përfshin shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira, mbështetjen e ndërsjellë dhe një angazhim të përbashkët për të ardhmen evropiane të vendeve të rajonit.

“Sa i përket marrëdhënieve ndërmjet Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës, Magazinoviq dhe Kurti mendojnë se është e nevojshme të punohet në forcimin e marrëdhënieve në të mirë të qytetarëve të të dyja vendeve, pavarësisht qëndrimit aktual për njohje”, njoftoi Departamenti për Marrëdhënie me Publikun.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat