“Dhurata” për fëmijët e Radoiçiqit, Miftaraj ka disa pyetje publike për Mimoza Kusari Lilën

Aktuale

“Dhurata” për fëmijët e Radoiçiqit, Miftaraj ka disa pyetje publike për Mimoza Kusari Lilën

Nga: M.L. Më: 10 tetor 2024 Në ora: 13:04
Ehat Miftaraj

Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, sot në seancën e Kuvendit iu kundërpërgjigj akuzave të opozitës në lidhje me bisedën e “pretenduar” telefonike me kriminelin Radoiçiq.

Kusari Lila në fjalimin e saj të ashpër mes tjerash iu drejtua opozitës duke iu thënë se mund të dalin dhurata u kanë bërë fëmijëve të Radoiçiqit.

Në lidhje me këtë deklaratë ka reaguar, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Miftaraj ka pyetur Kusari Lilën për detaje rreth këtyre “dhuratave” që i përmendi në Kuvend, duke e pyetur se përse këto informata nuk i ka dorëzuar tek organet përkatëse. .

“PSRK ka obligim ligjor që ta ftojë menjëherë në intervistë si dëshmitare shefen e GP të LVV, Mimoza Kusari, për të sqaruar deklaratën në Kuvendin e Kosovës. PSRK duhet të ketë qasje të menjëhershme në dëshmitë që sot i deklaroi deputetja”, tha mes tjerash Miftaraj.

Postimi i plotë:

Mimoza Kusari deklaroi se” imagjinoni kur të dalin dhuratat për fëmijët e Radojçiqit nga zyrtarë e udhëheqës, si dhe vizitat nëpër biznese të Radojçiqit.

Pyetje publike për shefen e grupit parlamentar të LVV:

Këto informata apo dëshmi, sa kohë i keni në posedim?

A i keni depozituar këto informata apo dëshmi në PSRK?

A i keni pasur këto informata apo dëshmi para ngritjes së aktakuzës ndaj grupit të Banjskës të udhëhequr nga Radojçiq?

A e dini se këto të dhëna apo dëshmi janë të interesit për sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës?

Prokuroria dhe organet e sigurisë dhe inteligjencës duhet të kenë qasje në këto informata apo dëshmi.

Nëse ju i posedoni këto informata dhe dëshmi për një kohë të gjatë dhe nuk i keni ndarë me organet përkatëse, cila është arsyeja?

Me informata apo dëshmi që lidhen me sigurinë kombëtare, nuk lejohet në asnjë rast të shantazhohen persona të caktuar për përfitime politike.

Në fund, keni borxh të informoni publikun se kush janë këta persona që janë bashkëpunëtorë të Radojçiqit, personit kryesor për vrasjen e policit të Republikës së Kosovës.

PSRK ka obligim ligjor që ta ftojë menjëherë në intervistë si dëshmitare shefen e GP të LVV, Mimoza Kusari, për të sqaruar deklaratën në Kuvendin e Kosovës. PSRK duhet të ketë qasje të menjëhershme në dëshmitë që sot i deklaroi deputetja.

Siguria kombëtare mbi interesat partiake apo politike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat