Lladrovci jep detaje rreth përplasjes me kryetarin e Kamenicës

Aktuale

Lladrovci jep detaje rreth përplasjes me kryetarin e Kamenicës

Më: 10 tetor 2024 Në ora: 17:00
Ramiz Lladrovci

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, në një konferencë për media ka dhënë detaje rreth “konfliktit” të tij me kryetarin e Komunës se Kamenicës, Kadri Rrahimaj ne mbledhjen sotme të Asociacionit të Komunave të Kosovës. Lladrovci deklaroi se “tollovitë” e tilla nga metodat e VV-së janë ‘shkak i heqjes së vëmendjes nga publikimi i përgjimeve të shefes së grupit parlamentar, Mimoza Kusari-Lila dhe Millan Radoiçiq.

Lladrovci, ka thënë se pas publikimit të përgjimeve, Lëvizjes Vetëvendosje siç tha ai ‘i ka humbur rruga në oborr’.

Lladrovci: Pas publikimit të përgjimit të djeshëm të Kusarit dhe Radoiçiqit, iu ka humbur rruga në oborr

“Eskalimi i sotëm i katër kryetarëve të komunave që i udhëheq LVV, dhe nga kuvendi i sotëm është vazhdim i mjegullës që u përpoqën ta shesin në mbledhjen e kaluar të Asosacionit. Pas publikimit të përgjimit të djeshëm të Radoiçiqit iu ka humbur rruga në oborr. Tollovitë e tilla të krijuara nga metodat e LVV me tendenca të heqjes së vëmendjes nga rënia e lirë e tyre në Drenas dhe krejt Kosovën është e pritshme”, ka thënë Lladrovci.

Kryetari i Drenasit, ka shtuar se pasi që u votua rendi i ditës, katër kryetarët nga VV-ja filluan të pengojnë punimet e mbledhjes së Asociacionit.

Lladrovci: Pas votimit të rendit të ditës, ata filluan të pengojnë punimin e Asociacionit

“Pasi që është votuar rendi i ditës me shumicën e votave të delegatëve të Asociacionit, ata filluan të pengojnë punimin e Asociacionit. Kjo ka qenë sot me shumë për ta mbulua një gjë që e ka bo tashmë Vetëvendosje shpifjen, mashtrimin, gënjeshtrën, mospunën korrupsionin dhe të gjitha ato që po i shihni për ditë në Kosovë”, ka shtuar ai.

I pyetur se a ka shtyrë në forme fizike kryetarin e Komunës së Kamenices, Kadri Rrahimajn, Lladrovci nuk e pranoi një gjë të tillë.

Sipas tij, ai ka kërkuar që të largohen dhe të mbahet kuvendi.

Lladrovci: Nuk është e vërtetë që e kam shty

“Shpeshherë kam thënë se jam bullduzher edhe kush më del përpara e marr pas vete, por nuk është e vërtetë që e kam shty. Unë kam kërkuar prej tyre sepse sikur ata që kanë të drejtë me dal me e pengu zhvillimin e punimeve të Kuvendit edhe ne që jemi shumicë, kemi të drejtë me thënë largohuni, lëshoni ta mbajmë kuvendin sepse ne i kemi lënë punët e tona, nëpër komuna tona për me e mbajte kuvendin”, ka vijuar Lladrovci.

I pyetur edhe se a ka pasur ndonjë ofendim nga kryetari i komunës së Kamenicës, Kadri Rrahmiaj, Lladrovci u shpreh se “ nuk kam dëgjuar dhe nuk guxon kurrë me më lëshu fjalë, unë kam dinjitet”.

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj ka publikuar një video, ku vërehet tension mes kryetarëve në mbledhjen e Asociacionit të Komunave të Kosovës. Sipas tij, në këtë mbledhje u tentua të kontrabandohen procese të rëndësishme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat