Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar që kryetarit të partisë Demokracia Serbe, Aleksandar Arsenijeviq, t’i ndalohet t’i afrohet kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.
Arsenijeviq u ndalua për 48 orë të enjten nga Policia e Kosovës, pasi protestoi kundër kryetarit Atiq. Arsenijeviq u arrestua të mërkurën (dje) pasi fishkëlleu me bilbil kundër vizitës së zyrtarëve kosovarë në shëtitoren e Mitrovicës. Është hera e pestë që arrestohet në më pak se dy muaj, raporton “Kossev”.
Në veri ka pasur edhe protesta pas arrestimit të tij.
“Prokuroria Themelore e Mitrovicës për të ndaluarin A.A., për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “Ngacmimi” ka paraqitur pranë gjykatës kompetente, kërkesë për caktimin e masës së ndalimit për të iu ofruar personit apo vendit të caktuar”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.