Kërkesa e ministrit Maqedonci – A do ta ‘shkarkojë’ qeveria sekretarin?

Aktuale

Kërkesa e ministrit Maqedonci – A do ta ‘shkarkojë’ qeveria sekretarin?

Më: 10 tetor 2024 Në ora: 20:41
Ejup Maqedonci.

Pozitën e pati të pakontestueshme veç për një javë.

Fiks pas shtatë ditësh nga votimi në qeveri i Gafurr Dugollit si sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes, u ngritën dyshime nëse ekzekutivi veproi ligjshëm.

Këtë e bëri Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil kur i dërgoi ministrisë një email të cilin e ka parë media, ku i shpjegon se Dugolli u emërua gjatë kohës sa KPMSHC po shqyrtonte ankesat e dy kandidatëve tjerë për sekretar, Fatos Qerimi dhe Enver Gërguri.

Kur ministri i Mbrojtjes e kuptoi veprimin, nisi në Qeveri kërkesën për anulimin e vendimit të 11 shtatorit, me të cilin Gafurr Dugolli emërohet sekretar i përgjithshëm.

Departamentit Ligjor iu kërkua të sqarojë edhe nëse konsiderohen të vlefshme vendimet e marra nga Dugolli gjatë periudhës së emërimit, në veçanti kontrata e famshme ekstrem-emergjente për furnizim me ushqim që e lidhi me Hajdini-Comerc dhe Bylmeti Sh.P.K, apo ajo mund të shfuqizohet.

Kjo mund të ndodhë, bazuar në shkresën e tyre, të cilën e ka siguruar televizioni.

Aty citohet neni 52 i Ligjit për Procedurën Administrative që parasheh efekt retroaktiv, të anulimit të gjithë vendimeve të marra nga Dugolli nëse anulohet edhe vendimi i emërimit të tij.

Për momentin, qeveria po e mban në sirtarë fatin e sekretarit për ndonjërën nga mbledhjet e ardhshme.

Tek pas këtyre hapave ekzekutiv, Ministria e Mbrojtjes, KPMSHC ka njoftuar se i ka shpallur ankesat e kundër-kandidatëve të Dugollit si të pasafatshme.

Gafurr Dugolli që është vëllai i deputetit Enver Dugolli, ka qenë edhe ushtrues detyre i sekretarit para emërimit formal të tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat