Kujtim Shala: Albin Kurti ka bërë tradhti kushtetuese me marrëveshjen e Brukselit dhe Ohrit

Aktuale

Kujtim Shala: Albin Kurti ka bërë tradhti kushtetuese me marrëveshjen e Brukselit dhe Ohrit

Më: 10 tetor 2024 Në ora: 23:17
Kujtim Shala

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Kujtim Shala, ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për “tradhti kushtetuese” lidhur me marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit.

Sipas Shalës, kryeministri Kurti ka dakorduar për çështje që nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe se marrëveshjet e negociuara kanë përfshirë elemente që shkelin autorizimet kushtetuese.

“Po, patjetër tradhti kushtetuese sepse ka trajtuar materie kushtetuese tjetër që s’ka lidhje me Kushtetutën tone”.

Shala në TV Dukagjini ka theksuar se LDK-ja do të angazhohet për të ndryshuar elemente të rëndësishme të këtyre marrëveshjeve, ndërsa ka thënë se nuk do të trajtojë draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

““Çfarë mund të them unë si përfaqësues i LDK-së është që duhet që ne do të përpiqemi të ndryshojmë elemente të rëndësishme të kësaj marrëveshje, ndërkaq draft statutin s’do ta trajtojmë fare”.

Ai ka shtuar se LDK-ja nuk mbështet idenë e autonomisë territoriale, që sipas tij, do të kthejë pushtetin e Serbisë në Kosovë, pavarësisht kërkesave të ndërkombëtarëve si Franca dhe Gjermania.

“Ne kemi një detyrim kushtetues, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, që të themelojmë Asociacionin e Komunave Serbe, por jo autonominë territoriale që kthejnë pushtetin e Serbisë në Kosovë, edhe nëse e kërkojnë Franca e Gjermania”.

Nënkryetari i LDK-së ka bërë thirrje për një qëndrim të qartë nga ana e Kosovës dhe për të mbrojtur interesat e saj në negociata, duke përmendur se argumentimi i qëndrimeve të Kosovës gjithmonë rrit shanset për një zgjidhje më të mirë për vendin.

Ai ka kujtuar edhe procesin e Vjenës, ku shumë dokumente janë ndryshuar dhe përshtatur në interes të Kosovës gjatë negociatave.

Në përfundim, Shala e ka cilësuar veprimin e kryeministrit Kurti si “tradhti kushtetuese”, duke pohuar se ka trajtuar çështje që nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ka tejkaluar autorizimet e tij për të mbrojtur Kushtetutën gjatë bisedimeve ndërkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat