Ukshini: Dinamika e dialogut ka degraduar

Aktuale

Ukshini: Dinamika e dialogut ka degraduar

Më: 10 tetor 2024 Në ora: 23:27
Sylë Ukshini

Sylë Ukshini, ish-shef i misionit diplomatik në Tiranë dhe njohës i rrethanave politike, ka vlerësuar se dinamika e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka degraduar.

“Mendoj që dinamika e dialogut, ashtu si ka rrjedhur, ka degraduar, sepse duhet të pranojmë se deri në vitin 2020 është folur për një marrëveshje gjithëpërfshirëse me njohje të ndërsjellë. Tani kemi rrëshqitur gjithnjë e më shumë në tema të veçanta, dhe mendoj se kjo është pak e rrezikshme. Është një kurth serb që çështjet të diskutohen temë pas teme, në mënyrë që të iket marrëveshja gjithëpërfshirëse”, tha ai për ‘Lajmet e Fundit’ në televizionin publik.

Sipas tij, Kosova ka interes të diskutojë vetëm për marrëveshjen gjithëpërfshirëse.

“Nga këndvështrimi im, Marrëveshja e Ohrit nuk përmbush pritjet e Kosovës, nuk është një marrëveshje serioze, por është më shumë për të menaxhuar situatën dhe për të mbajtur procesin deri në një moment të ri”, tha Ukshini.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat