LIVE: Fjalime të ashpra në Kuvend, pozita nuk merr pjesë në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga opozita

Aktuale

LIVE: Fjalime të ashpra në Kuvend, pozita nuk merr pjesë në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga opozita

Më: 11 tetor 2024 Në ora: 07:12 Përditësuar në ora: 13:06 më 11.10.2024
Foto ilustrim

Quni: Është e paimagjinueshme se si një deputet e përdhosë një betim duke arritur marrëveshje me kryekriminelin, Milan Radoiçiq

Deputeti i LDK-së, Anton Quni, ka thënë se asnjëherë nuk e kishte menduar se në Kosovën  e pavarur, ndonjë qeveri për interesa të saja do të arrinte marrëveshje jashtë normave të duhura.

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ai ka deklaruar kështu derisa ishte duke folur për audio-incizimin e publikuar të shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, me Milan Radoiçiq, të kërkuarin e Kosovës si i dyshuar kryesor për agresionin në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar.

“Isha i bindur se pasë çlirimit të Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë, ngritjes së cilësisë së demokracisë dhe pas aleancave të shëndosha me partnerët strategjikë, cila do qeveri në asnjë rrethanë për të shtyrë agjendat e saja nuk do të detyrohej që të aranzhojë marrëveshje jashtë praktikave e normave morale, jo transparente larg syve të publikut, e të kushtëzuara nga njeriu me aktet më të mëdha kriminale, nga njeriu me fletarrest ndërkombëtar i vendosur në listën e zezë të ShBA-së, Milan Radoiçiq”, ka thënë Quni.

“Isha i bindur se betimi i deputetit do të ishte një betim që buron nga zemra e shpirti, është fjalë e dhënë, është besë e qytetarëve dhe miqve se në asnjë rrethanë deputeti nuk e vendos intereson personal para atij kombëtar e shtetëror. Është e paimagjinueshme se një deputet e përdhosë një betim duke arritur marrëveshje me kryekriminelin, Milan Radoiçiq”, ka thënë Quni. 

​Nis seanca e jashtëzakonshme për përgjimet, LVV-ja s’merr pjesë

Ka nisur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, ku do të debatohet për komunikimet e kryetares së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, terroristin, Milan Radojiçiq.

Mirëpo në seancë nuk po marrin pjesë deputetët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

Në sallën plenare janë vetëm deputetë të partive opozitare.

Seancën po e kryeson nënkryetari i Kuvendit, Enver Hoxhaj.

Seanca pa pozitën

Partia në pushtet ka bojkotuar seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga partitë opozitare ku po debatohet për komunikimin e shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes Mimoza Kusari-Lila me përgjegjësin e sulmit terrorist të Banjskës në shtator të vitit të kaluar.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet të mblidhen sot në një seancë të jashtëzakonshme në orën 12:00.

Në këtë seancë do të diskutohet për komunikimin e shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes Mimoza Kusari-Lila me përgjegjësin e sulmit terrorist të Banjskës në shtator të vitit të kaluar.

Njoftimi për mbajtjen e seancës është publikuar në faqen e Kuvendit të Kosovës.

“Debat Parlamentar për komunikimet e kryetares së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila me Milan Radojiçiç.”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Seanca është thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës e mbështetur edhe nga dy partitë e tjera opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Ndryshe dje deputetët e opozitës e kanë lëshuar seancën e Kuvendit pasi nuk u aprovua kërkesa e tyre për të debatuar rreth përgjimit në të cilën është përfshirë Mimoza Kusari-Lila dhe Milan Radoiçiq. 50 vota ishin kundër dhe 34 pro votuan që ky debat të futej në rend dite.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat