LIVE: Rasti Kusari Lila – Radoiçiq: Opozita “zbrazë mllefin” ndaj Qeverisë, deputetët e VV-së bojkotojnë seancën

Aktuale

LIVE: Rasti Kusari Lila – Radoiçiq: Opozita “zbrazë mllefin” ndaj Qeverisë, deputetët e VV-së bojkotojnë seancën

Më: 11 tetor 2024 Në ora: 07:17 Përditësuar në ora: 13:33 më 11.10.2024
Foto ilustrim

Haki Abazi: Janë dy grupe parlamentare që s’janë prezentë këtu, Lista Srpska dhe LVV

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, ka mërrë fjalën në seancën e jashtëzakonshme ku po flitet për bisedën në mes të Kusari-Lilës dhe Radojiçiqit. Abazi ka thënë se në këtë seancë po mungojnë vetëm dy parti, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe.

 “Janë dy grupe parlamentare që s’janë prezentë këtu, Lista Srpska dhe LVV. S’është veç simbolik kjo punë.

Ka arsye që po e filloj këtë diskutim në këtë mënyrë”, ka thënë Haki Abazi.

“Para zgjedhjeve e të ardhshme duhet të dekonstruktohet koordinimi me Sprskan e Radojicicn.

E kemi obligim të zbërthejmë deri në fund që bisedat e Kusari-Lilës janë taktika të Albin Kurtit për të arritë tensionimin e mjaftueshëm”, ka shtuar tutje ai.

Tahiri: Është fatkeqësi mosprezenca e LVV-së në sallë

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Ableard Tahiri e ka quajtur fatkeqësi të madhe mosprezencën e Lëvizjes Vetëvendosjes në seancën e jashtëzakonshme, ku po debatohet për përgjimet e publikuara të kryetares së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari - Lila me ish nënkryetarin e Listës Serbe, terroristin, Millan Radoiçiq.

Ai tha se mazhoranca duhet të ballafaqohet me të vërtetën dhe të tregojë se cilat ligje janë miratuar nën ndikimin e Radoiçiqit.

Sipas tij, komunikimi Kusari-Lila me Radoiçiq e ka cenuar sigurinë kombëtare, andaj Prokuroria e Shtetit duhet të ketë një hetim penal për këtë çështje.

“Është fatkeqësi e madhe me pa këtë kuvend dhe pa një shumicë prej 50 për qind që ka fitua zgjedhjet dhe me i ikë një ballafaqimit me të vërtetën. Këtë se kemi pa asnjëherë në të kaluarën dhe shpresoj që të jetë hera e fundit që po e shohim kështu. Kuvendi ku do të duhej të ishte zonja Mimoza Kusari-Lila së bashku me deputetët e LVV-së, ata që na kanë sjellë në Kuvend, Millan Radoiçiqin të jenë sot dhe të ballafaqohen me të vërtetat”, theksoi ai.

Ai kërkoi nga Kusari-Lila që të gjitha aludimet e saj se ka zyrtarë të shtetit të Kosovës në përurimin e shtëpisë së Radoijçiq t’i publikojë.

Tahiri: Kusari-Lila t’i bëjë publike të gjitha aludimet e saja

“Dje në këtë foltore zonja Mimoza Kusari-Lila pati aludime se të nxjerrën fotografi, dhurata, pamje nga përurimi i shtëpisë me zyrtarë të shtetit të Kosovës. I bëj thirrje që është në interes të shoqërisë dhe shtetit të Kosovës me pa se kush janë ata njerëz që kanë marrë pjesë në përurimin e shtëpisë së Radoiçiqit. Kush janë ata njerëz që kanë dërguar dhurata për familjen dhe fëmijët e tij. Është në interes pasi një gjë e tillë e cenon sigurinë kombëtare të vendit tonë”, thekson ajo.

Tahiri tha se Radoiçiq përmes Kusari-Lilës ka imponuar agjendën në Kuvend.

Tahiri: Prokurori i shtetit të ketë hetim penal për komunikimin Kusari-Lila e Radoiçiq

“Kemi arritur në një pikë ku BIA serbe përmes Milan Radoijçiqit te Lëvizja Vetëvendosje përmes Mimoza Kusarit neve na kanë imponuar agjendën e Kuvendit. Ajo çka më intereson mua se cilat janë projektligjet dhe politikat nën ndikimin e Radoiçiqit së bashku me LVV-në i kanë miratuar nga marsi i vitit 2021 deri në tetorin e vitit 2022. Cilat janë çështjet e përbashkëta që këta i kanë shty...I kërkoj prokurorit të shtetit që të ketë një hetim penal për këtë çështje. Është cenuar siguria jonë kombëtare”, thekson Tahiri.

Zemaj - VV-së: Nuk jeni këtu sepse keni frikë se Kusari-Lila do e tregoj të vërtetën

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj është shprehur se LVV-ja janë ata që ‘shiten’ patriotë para të gjithëve, por pas skutave janë në koordinim me ata të cilët janë shkelës të ligjit, ata të cilët janë kundër Republikës së Kosovës.

Kështu u shpreh ai në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit.

“Dëmi është i madh sepse keni implikuar shtetin, e keni implikuar Republikën e Kosovës me një veprim tejet të rrezikshëm, tepër të ulët dhe tejet antikombëtar.

Para gjithkujt, partia e Vetëvendosjes paraqiten patriotë, e nëpër skuta duke u koordinuar me ata të cilët janë shkelës të ligjit, ata të cilët janë kundër Republikës së Kosovës”, tha Zemaj.

Zemaj kërkon hetim mbi bisedat e Mimoza Kusari-Lila me Milan Radoiçiq, dhe thotë se LVV-ja nuk ndodhet në Kuvend për frikë se deputetja në fjalë, mund të thotë të vërtetën.

“Nuk jeni këtu sepse keni frikë se Kusari-Lila do e tregoj të vërtetën”.

“Kërkoj hetim të plotë që të zbardhen këto rrethana”, tha Zemaj.

Quni: Është e paimagjinueshme se si një deputet e përdhosë një betim duke arritur marrëveshje me kryekriminelin, Milan Radoiçiq

Deputeti i LDK-së, Anton Quni, ka thënë se asnjëherë nuk e kishte menduar se në Kosovën  e pavarur, ndonjë qeveri për interesa të saja do të arrinte marrëveshje jashtë normave të duhura.

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ai ka deklaruar kështu derisa ishte duke folur për audio-incizimin e publikuar të shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, me Milan Radoiçiq, të kërkuarin e Kosovës si i dyshuar kryesor për agresionin në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar.

“Isha i bindur se pasë çlirimit të Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë, ngritjes së cilësisë së demokracisë dhe pas aleancave të shëndosha me partnerët strategjikë, cila do qeveri në asnjë rrethanë për të shtyrë agjendat e saja nuk do të detyrohej që të aranzhojë marrëveshje jashtë praktikave e normave morale, jo transparente larg syve të publikut, e të kushtëzuara nga njeriu me aktet më të mëdha kriminale, nga njeriu me fletarrest ndërkombëtar i vendosur në listën e zezë të ShBA-së, Milan Radoiçiq”, ka thënë Quni.

“Isha i bindur se betimi i deputetit do të ishte një betim që buron nga zemra e shpirti, është fjalë e dhënë, është besë e qytetarëve dhe miqve se në asnjë rrethanë deputeti nuk e vendos intereson personal para atij kombëtar e shtetëror. Është e paimagjinueshme se një deputet e përdhosë një betim duke arritur marrëveshje me kryekriminelin, Milan Radoiçiq”, ka thënë Quni. 

​Nis seanca e jashtëzakonshme për përgjimet, LVV-ja s’merr pjesë

Ka nisur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, ku do të debatohet për komunikimet e kryetares së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, terroristin, Milan Radojiçiq.

Mirëpo në seancë nuk po marrin pjesë deputetët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

Në sallën plenare janë vetëm deputetë të partive opozitare.

Seancën po e kryeson nënkryetari i Kuvendit, Enver Hoxhaj.

Seanca pa pozitën

Partia në pushtet ka bojkotuar seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga partitë opozitare ku po debatohet për komunikimin e shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes Mimoza Kusari-Lila me përgjegjësin e sulmit terrorist të Banjskës në shtator të vitit të kaluar.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet të mblidhen sot në një seancë të jashtëzakonshme në orën 12:00.

Në këtë seancë do të diskutohet për komunikimin e shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes Mimoza Kusari-Lila me përgjegjësin e sulmit terrorist të Banjskës në shtator të vitit të kaluar.

Njoftimi për mbajtjen e seancës është publikuar në faqen e Kuvendit të Kosovës.

“Debat Parlamentar për komunikimet e kryetares së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila me Milan Radojiçiç.”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Seanca është thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës e mbështetur edhe nga dy partitë e tjera opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Ndryshe dje deputetët e opozitës e kanë lëshuar seancën e Kuvendit pasi nuk u aprovua kërkesa e tyre për të debatuar rreth përgjimit në të cilën është përfshirë Mimoza Kusari-Lila dhe Milan Radoiçiq. 50 vota ishin kundër dhe 34 pro votuan që ky debat të futej në rend dite.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat