Përfundon seanca e Kuvendit/ Opozita prezanton rezolutën, s’ka kuorum për votim

Aktuale

Përfundon seanca e Kuvendit/ Opozita prezanton rezolutën, s’ka kuorum për votim

Më: 11 tetor 2024 Në ora: 07:19 Përditësuar në ora: 16:10 më 11.10.2024
Foto ilustrim

​Opozita prezanton rezolutën, s’ka kuorum për votim

Në mungesë të kuorumit nuk është hedhur në votim rezoluta e partive opozitare në lidhje me komunikimin e shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, i akuzuari për sulmin terrorist në Banjska, Milan Radoiçiq.

Pas debatit parlamentar, shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, prezantoi rezolutën, ku kërkohet hetimi penal ndaj Kusari-Lilës dhe shkarkimi i saj nga pozita e shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së.

Tahiri: Të ketë hetim penal ndaj Kusari-Lilës

“Kuvendi i Kosovës kërkon nga Prokurori i Shtetit si institucion i pavarur me autoritet dhe përgjegjësi të ndjekjes penale të iniciojë hetim penal në përputhje me legjislacionin në fuqi ndaj Mimoza Kusari-Lila, në lidhje me komunikimin e saj me kryeterroristin Milan Radoiçiq. Po ashtu, Kuvendi i Kosovës kërkon nga Grupi Parlamentar shkarkimin e Mimoza Kusari-Lila”, tha ai.

Krahas kësaj, ai kërkoi sërish publikimin e fotove me Radoiçiq, të cilat i ka paralajmëruar Kusari-Lila.

Tahiri: Vetëm një fotografi ekziston me Radoiçiq në Kosovë, ajo e Kusari-Lilës dhe VV

Vetëm një fotografi ekziston me Radoiçiq në Kosovë. Fotografia e Mimoza Kusarit të Vetëvendosjes me Radoiçiq. S’keni mundur asnjëherë me gjet tek asnjë qytetari tjetër në bashkëpunim me Radoiçiq përveç linjës me Vetëvendosjes. Të jeni të bindur se çka do që kishin pasur ata sot, dje pardje do t’i kishin publikuar moti, s’kanë asnjë të vetme”, tha ai.

Pas kësaj kryesuesi Enver Hoxhaj mbylli punimet e seancës së sotme të jashtëzakonshme. 

Musliu e quan Kurtin “llaskuc politik”

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku po diskutohet për komunikimet e kryetares së grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, me terroristin Milan Radoiçiq tha se në vend se në Kuvend të diskutohet për hallet e qytetarëve, duhet të diskutohet për Radoiçiqin.

VV e ka pru vendin dhe Kuvendin, në vend që të flasim për hallet e qytetarëve ne duhet të flasim për Rdoiçiqin në Kuvend dhe të merremi me të. Bashkimi kombëtar, dialogu zhvillimi ekonomik, arsimi, nepotizmi, klientelizmi janë vetëm disa nga temat që kjo qeveri i ka degjeneruar në tërësi. Ka bërë vetëm filma të dobët propagandistik.

Ky mandat i qeverisë po përfundon ashtu siç ka nisur – keq. Llaskuc politik dhe pa asnjë kriter njerëz e kombëtar. Edhe 100 vite pas nëse qeverisë LVV jo vetëm të afrohet por nuk mund të barazohet asnjëherë me të arriturat e PDK-së. Dhe ky fakt e lë pa gjumë Kurtin. Ky pushtet vjedh, rrenë, shkatërron, izolon, pranon autonomi për serbët dhe dalin thonë luftë hibride. 90 përqind e tyre as nuk e dinë çka është lufta hibride”, tha Musliu.

Në seancë nuk po merr pjesë Lëvizja Vetëvendosje.

Bekë Berisha: Njerëzit në terren po më thonë ‘qysh po mundeni me duru Dimal Bashën’, një karagjoz që sulmon qaty

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, në seancën e jashtëzakonshme sot që u thirr nga opozita për bisedën e shefes së GP të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, me Milan Radoiçiqin, tha se “gjithmonë ka pasë njerëz që i kanë shërbyer armikut, burra e gra, direkt e indirekt”.

Ai pati edhe një pyetje për deputetët e pozitës.

Një pyetje që po du me ia bë deputetëve të pozitës: Si arriti që një shpiune greke me i bë zap një grup parlamentar shqiptar edhe mos me guxu kush me u ni?”.

Berisha tha që kur po del në terren njerëzit po e pyesin për një deputet të Vetëvendosjes.

Kur dal në terren, njerëzit e kanë fituar bindjen, qysh po mundeni me duru Dimal Bashën thotë dikush. Por, nuk është problemi Dimal Basha, ai është njëfarë karagjozi, sulmon qaty me fjalë, por problemi janë do tjerë këtu. E keqja në këtë grup është më e madhe, më e vjetër, më sistematike e shumë më e rrezikshme”.

Haradinaj: Kurti po lan borxhe ndaj Serbisë, bëri marrëveshje me Radoiçiqin kundër UÇK-së

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka përsëritur se kryeministri Albin Kurti është “spiun i Serbisë” dhe duke iu referuar bisedës së shefes së GP të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, me kriminelin Milan Radoiçiq, tha se Kurti po lan borxhe me Serbinë.

Ai tha se Vetëvendosje e Lista Srpska patën “marrëveshje për t’i larguar veteranët e kategoritë e lirisë dhe për të mos i përfshirë në pagën minimale e ka bërë Albin Kurti me Radoiçiqin, po unë nuk them me Radoiçiqin, por me [presidentin e Serbisë] Vuçiqin. Këtu dal te ajo që ju them çdo herë se Kurti është shpiun i Serbisë, është njeri i Serbisë nuk mundet me qenë ndryshe”.

Nëse në vitin 2018 paska qenë gabim të takohesh me Radoiçiqin si nënkryetar i Listës Serbe, i pandjekur nga drejtësia e Kosovës, pra pa asnjë akuzë në Kosovë, i papërfshirë në listën e zezë të SHBA-së, çka është komunikimi me të pasi e ndjek drejtësia, pasi ka aktakuzë prej Kosove, pasi e shti në listë të zezë SHBA. Çka është kjo? Është larje e borxhit ndaj Serbisë, ndaj Vuçiqit, ndaj BIA-s. Kurti po i lan borxhet. A ka akt më transparent të tradhtisë sesa me u bë me armikun kundër ushtarëve të lirisë”.

Është akuzuar secili subjekt që ka pasë bashkëpunim me Listën Serbe për të qeverisur që buron nga Kushtetuta, që s’është e jashtëligjshme. Ndërsa vetë Kurti në fund ka bërë marrëveshje me Vuçiqin kundër UÇK-së”.

“Ky po lan borxh. S’ka shqiptar tjetër që e kish bërë këtë. Ky është i nxanun i tyre. Është shpiun i tyre”.

Haradinaj tha se takimi me të në vitin 2018 ishte bërë kur ai s’ishte i ndjekur nga drejtësia në Kosovë.

“Radoiciq është i ndjekur nga drejtësia e Kosovës nga viti 2018. Pra, Policia e Kosovës në atë kohë, ka rastisur që kam qenë kryetar qeverie, por këto s’e ka bë qeveria, por drejtësia e Kosovës. E ka bastisur banesën e tij në veriun e Mitrovicës. Që atëherë Radoiçiq e ka lëshuar Kosovën, pra është i ndjekur nga Serbia dhe i ikur në Kosovë në atë kohë ishte nënkryetar i Listës Serbe. Që nga ajo kohë, që nga ajo ditë e bastisjes, kryetari i atëhershëm i Qeverisë, Ramush Haradinaj, deputeti i sotëm, kryetari i Aleancës s’ka komunikim me Radoiçiqin të çfarëdo natyre”.

Haradinaj tha se kushdo që thotë se ka bisedë me të le ta publikojë.

Kur e ka ndjekë drejtësia jonë në atë kohë, ai i ka pasë të drejtat e veta me u përgjigj drejtësisë dhe me ardhë me u përballë me drejtësinë. Ka zgjedhur të ikë dhe si i ikur ndikimi i tij në proceset e brendshme në Kosovë u rishfaq me ardhjen në pushtet të Albin Kurtit. Një njeri i ikur nga Kosova me pamundësi të operojë në Kosovë, pafuqi të vendimmarrjes në Kosovë na u ringjall me ardhjen kryeministër të Albin Kurtit.

Situata arriti që në atë kohë kur VV e shumë të tjerë me të drejtë kishin mendimet dhe kritikat e tyre për rolin e tij edhe të mëhershëm kur ishte ende i pandjekur nga drejtësia në Kosovë ka arritur që ai të kthehet në faktor me ardhjen e VV-së në pushtet dhe të Kurtit. Deri ku shkon ky faktorizim i tij, përkundër faktit që ishte i ndjekur nga drejtësia, ai u vendos edhe në listën e zezë të SHBA-së, gjatë kohës së qeverisjes së Albin Kurtit ai pos banesës në veri, të cilën ia bastisi Policia e Kosovës, ai ndërtoi një vilë të madhe e të bukur në liqenin atje. Ai arriti edhe si i ndjekur nga drejtësia e Kosovës bëri marrëveshje me Albin Kurti”.

“Shihni dallimin! Në vitin 2018, ai i përndjekur nga Qeveria Haradinaj, këtë rast nga drejtësia e asaj kohe, tani Radoiçiq u kthye në faktor të marrëveshjeve me Kurtin”.

Haki Abazi: Janë dy grupe parlamentare që s’janë prezentë këtu, Lista Srpska dhe LVV

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, ka mërrë fjalën në seancën e jashtëzakonshme ku po flitet për bisedën në mes të Kusari-Lilës dhe Radojiçiqit. Abazi ka thënë se në këtë seancë po mungojnë vetëm dy parti, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe.

 “Janë dy grupe parlamentare që s’janë prezentë këtu, Lista Srpska dhe LVV. S’është veç simbolik kjo punë.

Ka arsye që po e filloj këtë diskutim në këtë mënyrë”, ka thënë Haki Abazi.

“Para zgjedhjeve e të ardhshme duhet të dekonstruktohet koordinimi me Sprskan e Radojicicn.

E kemi obligim të zbërthejmë deri në fund që bisedat e Kusari-Lilës janë taktika të Albin Kurtit për të arritë tensionimin e mjaftueshëm”, ka shtuar tutje ai.

Tahiri: Është fatkeqësi mosprezenca e LVV-së në sallë

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Ableard Tahiri e ka quajtur fatkeqësi të madhe mosprezencën e Lëvizjes Vetëvendosjes në seancën e jashtëzakonshme, ku po debatohet për përgjimet e publikuara të kryetares së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari - Lila me ish nënkryetarin e Listës Serbe, terroristin, Millan Radoiçiq.

Ai tha se mazhoranca duhet të ballafaqohet me të vërtetën dhe të tregojë se cilat ligje janë miratuar nën ndikimin e Radoiçiqit.

Sipas tij, komunikimi Kusari-Lila me Radoiçiq e ka cenuar sigurinë kombëtare, andaj Prokuroria e Shtetit duhet të ketë një hetim penal për këtë çështje.

“Është fatkeqësi e madhe me pa këtë kuvend dhe pa një shumicë prej 50 për qind që ka fitua zgjedhjet dhe me i ikë një ballafaqimit me të vërtetën. Këtë se kemi pa asnjëherë në të kaluarën dhe shpresoj që të jetë hera e fundit që po e shohim kështu. Kuvendi ku do të duhej të ishte zonja Mimoza Kusari-Lila së bashku me deputetët e LVV-së, ata që na kanë sjellë në Kuvend, Millan Radoiçiqin të jenë sot dhe të ballafaqohen me të vërtetat”, theksoi ai.

Ai kërkoi nga Kusari-Lila që të gjitha aludimet e saj se ka zyrtarë të shtetit të Kosovës në përurimin e shtëpisë së Radoijçiq t’i publikojë.

Tahiri: Kusari-Lila t’i bëjë publike të gjitha aludimet e saja

“Dje në këtë foltore zonja Mimoza Kusari-Lila pati aludime se të nxjerrën fotografi, dhurata, pamje nga përurimi i shtëpisë me zyrtarë të shtetit të Kosovës. I bëj thirrje që është në interes të shoqërisë dhe shtetit të Kosovës me pa se kush janë ata njerëz që kanë marrë pjesë në përurimin e shtëpisë së Radoiçiqit. Kush janë ata njerëz që kanë dërguar dhurata për familjen dhe fëmijët e tij. Është në interes pasi një gjë e tillë e cenon sigurinë kombëtare të vendit tonë”, thekson ajo.

Tahiri tha se Radoiçiq përmes Kusari-Lilës ka imponuar agjendën në Kuvend.

Tahiri: Prokurori i shtetit të ketë hetim penal për komunikimin Kusari-Lila e Radoiçiq

“Kemi arritur në një pikë ku BIA serbe përmes Milan Radoijçiqit te Lëvizja Vetëvendosje përmes Mimoza Kusarit neve na kanë imponuar agjendën e Kuvendit. Ajo çka më intereson mua se cilat janë projektligjet dhe politikat nën ndikimin e Radoiçiqit së bashku me LVV-në i kanë miratuar nga marsi i vitit 2021 deri në tetorin e vitit 2022. Cilat janë çështjet e përbashkëta që këta i kanë shty...I kërkoj prokurorit të shtetit që të ketë një hetim penal për këtë çështje. Është cenuar siguria jonë kombëtare”, thekson Tahiri.

Zemaj - VV-së: Nuk jeni këtu sepse keni frikë se Kusari-Lila do e tregoj të vërtetën

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj është shprehur se LVV-ja janë ata që ‘shiten’ patriotë para të gjithëve, por pas skutave janë në koordinim me ata të cilët janë shkelës të ligjit, ata të cilët janë kundër Republikës së Kosovës.

Kështu u shpreh ai në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit.

“Dëmi është i madh sepse keni implikuar shtetin, e keni implikuar Republikën e Kosovës me një veprim tejet të rrezikshëm, tepër të ulët dhe tejet antikombëtar.

Para gjithkujt, partia e Vetëvendosjes paraqiten patriotë, e nëpër skuta duke u koordinuar me ata të cilët janë shkelës të ligjit, ata të cilët janë kundër Republikës së Kosovës”, tha Zemaj.

Zemaj kërkon hetim mbi bisedat e Mimoza Kusari-Lila me Milan Radoiçiq, dhe thotë se LVV-ja nuk ndodhet në Kuvend për frikë se deputetja në fjalë, mund të thotë të vërtetën.

“Nuk jeni këtu sepse keni frikë se Kusari-Lila do e tregoj të vërtetën”.

“Kërkoj hetim të plotë që të zbardhen këto rrethana”, tha Zemaj.

Quni: Është e paimagjinueshme se si një deputet e përdhosë një betim duke arritur marrëveshje me kryekriminelin, Milan Radoiçiq

Deputeti i LDK-së, Anton Quni, ka thënë se asnjëherë nuk e kishte menduar se në Kosovën  e pavarur, ndonjë qeveri për interesa të saja do të arrinte marrëveshje jashtë normave të duhura.

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ai ka deklaruar kështu derisa ishte duke folur për audio-incizimin e publikuar të shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, me Milan Radoiçiq, të kërkuarin e Kosovës si i dyshuar kryesor për agresionin në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar.

“Isha i bindur se pasë çlirimit të Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë, ngritjes së cilësisë së demokracisë dhe pas aleancave të shëndosha me partnerët strategjikë, cila do qeveri në asnjë rrethanë për të shtyrë agjendat e saja nuk do të detyrohej që të aranzhojë marrëveshje jashtë praktikave e normave morale, jo transparente larg syve të publikut, e të kushtëzuara nga njeriu me aktet më të mëdha kriminale, nga njeriu me fletarrest ndërkombëtar i vendosur në listën e zezë të ShBA-së, Milan Radoiçiq”, ka thënë Quni.

“Isha i bindur se betimi i deputetit do të ishte një betim që buron nga zemra e shpirti, është fjalë e dhënë, është besë e qytetarëve dhe miqve se në asnjë rrethanë deputeti nuk e vendos intereson personal para atij kombëtar e shtetëror. Është e paimagjinueshme se një deputet e përdhosë një betim duke arritur marrëveshje me kryekriminelin, Milan Radoiçiq”, ka thënë Quni. 

​Nis seanca e jashtëzakonshme për përgjimet, LVV-ja s’merr pjesë

Ka nisur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, ku do të debatohet për komunikimet e kryetares së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, terroristin, Milan Radojiçiq.

Mirëpo në seancë nuk po marrin pjesë deputetët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

Në sallën plenare janë vetëm deputetë të partive opozitare.

Seancën po e kryeson nënkryetari i Kuvendit, Enver Hoxhaj.

Seanca pa pozitën

Partia në pushtet ka bojkotuar seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga partitë opozitare ku po debatohet për komunikimin e shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes Mimoza Kusari-Lila me përgjegjësin e sulmit terrorist të Banjskës në shtator të vitit të kaluar.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet të mblidhen sot në një seancë të jashtëzakonshme në orën 12:00.

Në këtë seancë do të diskutohet për komunikimin e shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes Mimoza Kusari-Lila me përgjegjësin e sulmit terrorist të Banjskës në shtator të vitit të kaluar.

Njoftimi për mbajtjen e seancës është publikuar në faqen e Kuvendit të Kosovës.

“Debat Parlamentar për komunikimet e kryetares së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila me Milan Radojiçiç.”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Seanca është thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës e mbështetur edhe nga dy partitë e tjera opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Ndryshe dje deputetët e opozitës e kanë lëshuar seancën e Kuvendit pasi nuk u aprovua kërkesa e tyre për të debatuar rreth përgjimit në të cilën është përfshirë Mimoza Kusari-Lila dhe Milan Radoiçiq. 50 vota ishin kundër dhe 34 pro votuan që ky debat të futej në rend dite.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat