Këta janë të dyshuarit që u intervistuan për rastin ‘Avicena’, dy pronarë dhe dy persona zyrtarë

Aktuale

Këta janë të dyshuarit që u intervistuan për rastin ‘Avicena’, dy pronarë dhe dy persona zyrtarë

Më: 11 tetor 2024 Në ora: 09:55
‘Avicena’

Krimet Ekonomike kanë zhvilluar të enjten aksion në shumicën e pikave të rrjetit të laboratorëve dhe poliklinikave ‘Avicena’ në Kosovë, nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, falsifikim të dokumenteve dhe ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike. 19 lokacione u mbyllën, 5 rezultuan që s’janë aktive, ndërsa 9 të tjera do të vazhdojnë punën me masat e shqiptuara.

Kush janë personat që u intervistuan dhe cilat janë dyshimet e ngritura?

Siç merr vesh ekskluzivisht Gazeta si të dyshuar për rastin janë intervistuar katër persona.

Nga ky institucion shëndetësor si të dyshuar për rastin janë Amar Shuki, Driton Shuki dhe Alban Shuki, dy prej të cilëve janë shoqëruar në Polici dhe janë intervistuar nga hetuesit.

Ndërsa në cilësinë e personave zyrtarë janë intervistuar Ragip Hyseni – zyrtar i MSH-së dhe Isak Shabani – ish zyrtar i MSH-së.

Pas përfundimit të procedurave, të njëjtit janë lënë të lirë, ndërsa hetimet për rastin do të vazhdojnë.

Në dosjen për këtë rast thuhet se hetimet kanë filluar qe disa muaj dhe kanë përfshirë edhe zbatimin e masave të veçanta hetimore që kanë rezultuar me sigurimin e provave për veprimtari të kundërligjshme.

Burimet e njëjta kanë bërë me dije se pronarët e ‘Avicenca KS’, dyshohet se kanë nxjerrë raporte të analizave mjekësore dhe certifikata për patentë shofer jashtëligjshëm, ku si rrjedhojë janë prodhuar dokumentet që nuk kanë pasur të dhëna të sakta.

Për pasojë, dosja e hetimit thekson se me lëshimin e raporteve të tilla, është rrezikuar edhe jeta e qytetarëve, të cilët janë pajisur me këto raporte.

Ndryshe, gjatë kontrolleve në 36 lokacione, si prova materiale, janë gjetur dhe sekuestruar: tri pistoleta, 6 copë armë të gjata, 598 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm, një telefon, 2 shtëpiza kompjuteri, 7 DVR dhe dokumente të ndryshme, njoftoi sot Policia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat