Guvernatori Ismaili: Lufta kundër financimit të paligjshëm kërkon një përpjekje gjithëpërfshirëse dhe të koordinuar

Aktuale

Guvernatori Ismaili: Lufta kundër financimit të paligjshëm kërkon një përpjekje gjithëpërfshirëse dhe të koordinuar

Më: 11 tetor 2024 Në ora: 11:01
Ahmet Ismaili në panelin me temë "Rëndësia e bashkëpunimit ndër-institucional dhe partneritet publiko-privat për të trajtuar financat e paligjshme"

Identifikimi dhe zbutja e rreziqeve të pastrimit të parave kërkon një qasje gjithëpërfshirëse ku kombinohen kapacitetet e avancuara teknologjike, pajtueshmëria rregullatore si pa dyshim bashkëpunimi midis sektorëve publik dhe privat. Kështu ka theksuar guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili në panelin me temë "Rëndësia e bashkëpunimit ndër-institucional dhe partneritet publiko-privat për të trajtuar financat e paligjshme" me rastin e lansimit të Rrjetit të Përbashkët të Inteligjencës kundër Pastrimit të Parave në Republikën e Kosovës (JMLIN-K).

Guvernatori Ismaili gjatë këtij paneli ka potencuar se pastrimi i parave nuk prek vetëm institucionet financiare individuale, por gjithashtu paraqet një rrezik më të gjerë për stabilitetin dhe integritetin e sistemit financiar. Ai ka shtuar se luftimi efektiv ndaj tij është thelbësor për ruajtjen e besimit dhe sigurimin e stabilitetit ekonomik të vendit.

Sipas Guvernatorit Ismaili, lufta kundër financimit të paligjshëm, duke përfshirë pastrimin e parave, financimin e terrorizmit si dhe format tjera të krimit financiar, kërkon një përpjekje gjithëpërfshirëse dhe të koordinuar ku bashkëpunimi dhe shkëmbimi i informacionit përmes partneriteve publiko-private është vendimtar në ruajtjen e sigurisë dhe integritetit të sistemit financiar.

"Kompleksiteti në rritje dhe sofistikimi i krimeve financiare i nxitur edhe nga zhvillimet e hovshme teknologjike kërkon qasje të reja të bazuara në rrezik për parandalimin dhe luftimin e PP/FT. Prandaj një partneritet i fortë i tillë ofron një kornizë gjithëpërfshirëse ku organet e zbatimit të ligjit, rregullatorët dhe institucionet financiare mund të ndajnë informacionet, ekspertizën si dhe burimet në luftën e përbashkët", citohet guvernatori Ismaili në komunikatë.

I pari i BQK-së theksoi se krijimi i këtij rrjeti do të rrisë fuqishëm shanset e vendit tonë për t'iu bashkuar organizatave ndërkombëtare si MONEYVAL dhe Task Forca e Veprimit Financiar (FATF), si pjesë e rëndësishme e proceseve tona integruese në institucionet dhe mekanizmat e Bashkimit Evropian.

Guvernatori Ismaili tutje ka shtuar se përmes themelimit të këtij mekanizmi do të realizohen procese të rëndësishme në aspekt të sigurimit të pajtueshmërisë me standardet e parandalimit pastrimit parave dhe financimit. Këto aspekte, përveç avancimit të kornizës ligjore dhe rregullative që BQK-ja ka realizuar dhe po vazhdon në proces, bashkë me ligjet që së fundi janë proceduar, patjetër që e përafroi vendin tonë me kërkesat relevante të Bashkimit Evropian. Madje, kjo do ta ndihmojë edhe procesin e para-aplikimit për anëtarësim në SEPA si një ndër prioritetet tona, në të cila BQK po punon intensivisht me mbështetje të tjerë ndërinstitucionale.

Në fund të fjalës së tij në panel, Guvernatori Ismaili u shpreh se identifikimi efektiv dhe zbutja e rreziqeve të pastrimit të parave kërkon një qasje dinamike, me shumë shtresa që integron teknologjinë, pajtueshmërinë, bashkëpunimin dhe përmirësimin e vazhdueshëm. BQK me instrumentet e saj rregullatore dhe veprimet e ndërmarra të fokusuara në aspekt të integritetit dhe stabilitetit të sektorit financiar ka dëshmuar edhe praktikisht këtë zotim dhe qasje të saj.

"Duke miratuar strategji të bazuara në rrezik, duke përdorur analitikë të avancuar dhe duke nxitur partneritete të forta, institucionet financiare dhe rregullatorët e Kosovës mund të ndërtojnë një mbrojtje të fortë kundër pastrimit të parave dhe të ndihmojnë në mbrojtjen e integritetit të sistemit financiar", ka përfunduar Guvernatori Ismaili.

Rrjeti i Përbashkët të Inteligjencës kundër Pastrimit të Parave në Kosovë përbëhet nga autoritetet ligjzbatuese të vendit, mbështetur nga Njësia për Inteligjencë Financiare dhe Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, ku edhe BQK ka pasur kontributin e saj përmes ekipeve profesionale dhe do të vazhdoj të mbetet e përkushtuar dhe angazhuar në të. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat