Nagavci e Haxhiu me mesazh për kujdesin ndaj fëmijëve në teknologji

Aktuale

Nagavci e Haxhiu me mesazh për kujdesin ndaj fëmijëve në teknologji

Më: 11 tetor 2024 Në ora: 13:25
Foto ilustrim

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe ajo e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kanë dalë me një mesazh të përbashkët rreth kujdesit prindëror, rëndësisë së edukimit shkollor dhe ndikimit të mësimdhënësve tek fëmijët për përdorim të moderuar dhe të kontrolluar të teknologjisë.

Në mesazhin e tyre thuhet se rrjetet sociale kanë pushtuar botën moderne të komunikimit dhe se fëmijët që në moshë shumë të hershme shpeshherë po iu ekspozohen këtyre rrjeteve duke iu ndikuar negativisht në rritjen e shëndoshë dhe vetëbesimin e tyre.

Nagavci tha se përpos të mirave që na sjell teknologjia, fëmijët po përballen edhe me rreziqe e pasoja ndaj të cilave duhet të kemi kujdes të shtuar dhe të angazhohemi bashkërisht për evitimin dhe shmangien e tyre.

“Mësimdhënës të dashur, vazhdoni që t’i mësoni e udhëzoni fëmijët që ta përdorin internetin në mënyrë të dobishme e të përgjegjshme. Të nderuar prindër, të dashur qytetarë, secili prej nesh, të kujdesemi për sigurinë e fëmijëve përgjatë përdorimit të teknologjisë në mënyrë që së bashku të krijojmë rrjetin e qëndrueshëm për mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet online, dhuna, lëndimi i vetes dhe i të tjerëve”.

“Të shqetësuar nga rastet e vetëlëndimit të vajzave të mitura si pasojë e ndikimit nga platforma abuzive, bëj thirrje për të gjitha subjektet, prindër, mësimdhënës, psikologë, pedagogë, shërbime të tjera institucionale dhe të shoqërisë civile që të rrisin koordinimin më të mirë të ndërgjegjësimit të fëmijëve dhe të rinjve për përdorimin e sigurt të internetit dhe shmangien e dhunës dhe dukurive të tjera negative”.

Ajo tha se MAShTI ka përpiluar materiale të shumta mbi këtë temë, të cilat tha se janë publike në ueb-faqen e ministrisë.

“Ju ftoj që t’i lexoni dhe t’i ndani me të tjerët që të realizojmë së bashku qëllimin tonë për edukimin dhe mbrojtjen e fëmijëve tanë”.

Nga ana tjetër, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu thotë se fëmijët janë e ardhmja dhe për ta kanë shumë përgjegjësi.

“Si ministre e Drejtësisë, ashtu dhe si nënë lus prindërit të jenë të vëmendshëm ndaj përmbajtjeve që fëmijët shikojnë në internet. Monitorimi ynë dhe udhëzimi si prindër është i rëndësishëm për t’i mbrojtur ata nga rreziqet që mund të fshihen në rrjetet sociale, ku shumë shpesh shpërndahen përmbajtje të papërshtatshme”.

Haxhiu shton se fëmijët kanë nevojë për mbështetje për të krijuar një marrëdhënie të shëndetshme me teknologjinë, dhe si ta përdorin atë me përgjegjësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat