​Admirali i NATO-s për dialogun: Qeveritë që veprojnë njëanshëm përshkallëzojnë tensionet

Aktuale

​Admirali i NATO-s për dialogun: Qeveritë që veprojnë njëanshëm përshkallëzojnë tensionet

Më: 11 tetor 2024 Në ora: 15:27
Foto nga vendi i ngjarjes

Në kampin "Film City" në Prishtinë është mbajtur ceremonia e ndërrimit të komandës së KFOR-it nga gjeneralmajori Ozkan Ulutash te komandanti i ri Enrico Barduani. Në ceremoni morën pjesë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, ministra e ambasadorë të huaj në Kosovë.

Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, admirali Stuart B. Munsch tha se qeveritë që veprojnë në mënyrë të njëanshme në dialog, përshkallëzojnë tensionet e brendshme dhe rajonale, duke dëmtuar njëherësh edhe reputacionin e tyre si partnerë të besueshëm ndërkombëtarë.

Munsch: Largimi nga procesi i dialogut nuk sjell siguri

“NATO dhe KFOR-i mbështesin plotësisht dialogun Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE si kornizë për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura. E them sërish, NATO dhe KFOR-i mbështesin plotësisht dialogun Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE-ja si kornizë për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura. Të veprosh jashtë këtij dialogu, të veprosh pa përkushtim të vërtetë ndaj këtij dialogu ose të grindesh se çfarë duhet të përfshihet ose përjashtohet nga ky dialog, janë veprime që nuk do të arrijnë asnjë siguri kuptimplotë. Për më tepër, qeveritë që veprojnë në mënyrë të njëanshme jashtë këtij dialogu në mënyrë të panevojshme përshkallëzojnë tensionet e brendshme dhe rajonale dhe dëmtojnë në mënyrë të panevojshme reputacionin e tyre si partnerë ndërkombëtarë të besueshëm”, deklaroi ai.

Presidentja Osmani në fjalën e saj gjatë kësaj ceremonie ka folur mbi bashkëpunimin e deritanishëm të institucioneve të Kosovës me misionin e NATO-s, duke përmendur edhe sfidat gjatë këtyre viteve.

Osmani: Gjatë 25 vjetëve jemi përballur me sfida sikur ajo e Banjskës

Sigurisht që gjatë këtyre 25 viteve jemi përballur edhe me sfida, ku më e rëndësishmja është akti i agresionit me të cilin u përballëm në shtator të vitit të kaluar. Dua të falënderoj forcat e NATO-s që qëndruan me ne dhe u përballën dhe ndaluan atë agresion, dhe dua të falënderoj veçanërisht gjeneralin Ulutash që u sigurua që ne të katërfishojmë sasinë jo vetëm të pajisjeve, por edhe të njerëzve, burrave dhe grave me uniformë, të cilët na ndihmojnë ta mbajmë vendin tonë të sigurt së bashku me Policinë e Kosovës dhe institucionet tjera të sigurisë. Pra, gjeneral Ulutash, ju falënderoj nga zemra për profesionalizmin tuaj, për përkushtimin tuaj dhe për bashkëpunimin e ngushtë me të gjitha institucionet e Kosovës në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vendin tonë”, deklaroi ajo.

Osmani u shpreh se populli i Kosovës do të vazhdojë të punojë ngushtë me misionin KFOR.

Osmani: Institucionet tona do të vazhdojnë të punojnë me KFOR-in

“Për mbi 25 vjet që jeni me ne në çdo hap të rrugës për ta bërë Republikën e Kosovës një vend të sigurt, të qetë dhe paqësor. Në 75 vjet të historisë së NATO-s, nuk ka asnjë udhëheqës të vetëm të anëtarëve të NATO-s që të mos pajtohet se misioni më i suksesshëm, jo vetëm më i madhi dhe më i gjatë, por edhe më i suksesshëm i NATO-s është ai i KFOR-it... Në emër të vendit tim, dua të tregoj dhe të angazhohem edhe një herë se populli i Kosovës dhe institucionet tona do të vazhdojnë të punojnë krah për krah me KFOR-in, si dhe me të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë për t'u siguruar që do të mbetet paqësorë, vend i qetë dhe i sigurt siç është, ai që ofron siguri dhe prosperitet për të gjithë qytetarët e tij, pavarësisht prejardhjen e tyre”, tha Osmani.

Komandanti i deritanishëm i KFOR-it, Ozkan Ulutash tha se fatkeqësisht ka ende shumë sfida dhe tension në Kosovë.

Ulutash: Shumë sfida mbesin dhe tensionet ende vazhdojnë

“Fatkeqësisht, shumë sfida mbesin dhe tensionet ende vazhdojnë. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të cilin NATO dhe KFOR-i në terren e mbështesin plotësisht si kornizën e vetme për një zgjidhje të qëndrueshme të çështjeve, vazhdon të përballet me pengesa. Megjithatë, unë mbetem optimist se me këmbëngulje të durim dhe një qasje konstruktive nga të gjitha vendet, këto pengesa mund të kapërcehen. Gjatë mandatit tim KFOR-i ka kontribuar me sukses në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt në mbarë Kosovën, në përputhje me mandatin tonë të gjatë të OKB-së, përmes një qëndrimi të dukshëm fleksibël dhe të adaptueshëm, ne kemi ndihmuar në parandalimin e rreziqeve, përshkallëzimit dhe situatave që mund të kishin quar në incidente ose paqëndrueshmëri. Ne kemi përforcuar më tej rolin tonë si një forcë e paanshme që punon me të gjitha komunitetet për të nxitur një ndjenjë sigurie për të gjithë njerëzit”, tha Ulutash.

Pas pranimit të komandës, komandanti i ri i KFOR-it Enrico Barduani tha se situata e sigurisë vazhdon të evoluojë dhe se jetike është uniteti.

Barduani: Uniteti thelbësor për misionin tonë

“Pas 25 viteve të pranisë së NATO-s në Kosovë, KFOR-i ka kontribuar në konsolidimin e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë. Megjithatë, sfidat mbeten dhe situata e sigurisë vazhdon të evoluojë - prandaj është jetike që ne të vazhdojmë të ecim përpara së bashku. Pikërisht në këtë frymë kam zgjedhur moton e mëposhtme latine për mandatin tim: "Unitas omnia vincit" (fiton uniteti i të gjithë njerëzve). Uniteti është thelbësor nëse arrijmë misionin tonë”, përfundoi ai.

Në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it, presidentja Osmani ka nderuar me medalje ushtarake presidenciale gjeneralin Ulutash, për shërbimin si komandant i këtij misioni në Kosovë. /

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat