​Kontrata kolektive ‘përplas’ sindikatat me pushtetin

Aktuale

​Kontrata kolektive ‘përplas’ sindikatat me pushtetin

Më: 12 tetor 2024 Në ora: 09:20
Foto ilustrim

Mungesa e kontratës kolektive, ka krijuar pakënaqësi tek punëtorët e shëndetësor dhe të arsimit në vend. Përfaqësuesit sindikal të këtyre punëtorëve kritikojnë Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti. Që nga viti 2021, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) dhe Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSShK) nuk kanë kontrata kolektive. E kjo shkëputje përveç që po konsiderohet të jetë e një anshme, sipas SBAShK-ut dhe FSShK-së, kjo ka ndodhur edhe pa bazë ligjore.

E dialogu social mes sindikatave dhe Qeverisë, sipas Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) është kushti themelor që Kosova të hyjë në Bashkimin Evropian.

Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, Atdhe Hykolli ka thënë për KosovaPress se pa sindikata nuk ka hyrje në BE.

“Është një shkëputje e një anshme, e cila neve si sindikata na sjell shumë probleme...Le ta dijë edhe partneri social edhe të gjithë të tjerët, se pa sindikata nuk ka hyrje në Bashkimin Evropian. Kushti themelor për me hyrë në BE është, dialogu social mes sindikatave, po të kemi dialogun social atëherë do të kemi marrëveshje të përgjithshme kolektive, pagë minimale të dinjitetshme, vlerë koeficientit të pagave të dinjitetshme, për arsye se komisionet profesionale do ta kishin dhënë fjalën e fundit”, ka thënë Hykolli.

Ndërsa, kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj ka lënë fajtore Ministrinë e Financave, Punës dhe Tranfereve, Hekuran Muratin dhe ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, duke thënë se këto ministri nuk po kthejnë përgjigje për kontratën kolektive.

“Krejt këto çka ndodhin përplasjet, protestat e të tjerat ndodhin sepse, mungon dialogu dhe negocimi. Fajtor i vetëm në këtë rast është Murati në nivel vendi, por pa faj nuk është Nagavci, e cila vetëm në kohën e fundit, në shtator dhe në pjesën e parë të tetorit, i kemi dërguar letra e letra, e lutje, që të ulemi të bisedojmë për të gjitha çështjet shqetësuese në arsim, të bisedojmë bashkë edhe për kontratën e re”, ka potencuar Jasharaj.

Po ashtu, kryetarja e FSShK, Tevide Imeri është shprehur se kjo Federatë ka mbajtur vetëm një takim të rastësishëm me ministrin e Shëndetësisë, në muajt e parë të këtij viti, ku Vitia u premtoi se deri në muajin mars do të bëhet nënshkrimi i marrëveshjes sektoriale.

Sipas Imerit, kjo u ka shkaktuar një “handikap” të madh në menaxhim, e cila përfshin mbi 14 mijë e 300 punonjës të shëndetësisë.

“Që nga viti i kaluar 2023 është përfunduar drafti, kemi pasur një premtim drejtpërdrejt nga ministri, në fund të vitit të kaluar edhe atë një takim i rastësishëm, në muajt e parë të vitit 2024, deri në mars do të bëhet nënshkrimi i marrëveshjes sektoriale. Nuk ka përgjigje deri në muajin maj, krejt viti 2024 e kemi vetëm një takim me ministrin dhe atë e kemi marrë një përgjigje negative se, nuk ka kontratë sektoriale për arsye se Qeveria, nuk po lejon, po duhet më bë një kontratë të përgjithshme... Ka krijuar handikap në menaxhim, këtu përfundon gjithçka, nuk kemi mundësi për dialog social sepse nuk po dëshirojnë”, është shprehur ajo.

E ministri i Financave, Hekuran Murati, në mbledhjen e Asociacionit të Komunave të Kosovës, e vlerësoi si enigmatike çështjen se pse ende nuk ka asnjë person përgjegjës për dëmet e shkaktuara nga obligimet e kontratave kolektive.

KosovaPress, ka dërguar pyetje në Ministrinë e Shëndetësisë dhe asaj të Arsimit, por të njëjtat nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e artikullit.

Kontrata Kolektive parasheh disa përfitime financiare– nga pagesa për shujtat ushqimore, shpenzimet e udhëtimit, paga jubilare e deri te paga shtesë pas pensionimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat