​Ahmeti: Avancimi i statusit të Kosovës në CEFTA, nuk e garanton suksesin në Procesin e Berlinit

Aktuale

​Ahmeti: Avancimi i statusit të Kosovës në CEFTA, nuk e garanton suksesin në Procesin e Berlinit

Më: 12 tetor 2024 Në ora: 11:35
Kreshnik Ahmeti

Zhbllokimi i vendimmarrjes dhe avancimi i statusit të Kosovës në CEFTA, nuk e garanton suksesin në Procesin e Berlinit, thotë zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti. Sipas tij, këto zhvillime pozitive mund ta mundësojnë suksesin në samitin e 14 tetorit, mirëpo thelbësore konsideron se është zbatimi i marrëveshjeve ekzistuese të Procesit të Berlinit, të cilat po i bllokon Serbia dhe serbët e Bosnjë Hercegovinës.

Ahmeti në një intervistë për KosovaPress, thotë se Gjermania si hisedarë kryesor në Proces të Berlinit, duhet të këmbëngulë dhe vendosë masa ndaj atyre që nuk po i zbatojnë marrëveshjet, krahas nënshkrimit të ujdive të reja.

Ai akuzon Serbinë që nuk po zbaton marrëveshjen për njohjen e diplomave të arsimit të lartë, ndërkaq, shton se Bosnja për shkak të Republikës Serbe s’po miraton marrëveshjen për liri të lëvizjes me Kosovën.

Megjithatë, Ahmeti thekson se në samitin e 14 tetorit në Berlin, do të synohet të miratohet plani i dytë i veprimit për Procesin.

Ahmeti: Zhbllokimi i vendimmarrjes dhe avancimi i statusit të Kosovës në CEFTA, nuk e garanton suksesin në Procesin e Berlinit

“(Ngritja e statusit të përfaqësimit të Kosovës në CEFTA)Kjo e mundëson suksesin, por nuk e garanton. Këtë po e them pasi në Procesin e Berlinit ne tashmë i kemi katër marrëveshje të cilat janë të rëndësishme, të arritura para dy viteve tri prej tyre dhe vitin e kaluar e katërta. E kam fjalën për marrëveshjen për lëvizje të lirë me letërnjoftime, marrëveshjen për njohjen e diplomave të arsimit të lartë, gjithashtu edhe dy marrëveshje që kanë të bëjnë me njohjen e certifikimeve të profesioneve të caktuara. Suksesi varet nga zbatimi i këtyre marrëveshjeve. Çfarë po shohim aktualisht është se të gjitha vendet përveç Serbisë dhe Bosnjë dhe Hercegovinës, specifike Republikës Serbe kanë lëvizur përveç këtyre dyjave...Gjermania do të duhej të këmbëngulte dhe të vendoste masa nëse ata nuk e bëjnë, por ne assesi nuk duhet ta mbajmë vetën peng për marrëveshjet e radhës nga disponimi i Vuçiq apo Dodik. Serbia në anën tjetër nuk po zbaton marrëveshjen për njohjen e diplomave të arsimit të lartë”, thekson ai.

Ai flet edhe për heqjen e masës së sigurisë ndaj mallrave serbe përmes pikës kufitare në Merdarë, derisa e konsideron sukses për Kosovën përfaqësimin në CEFTA, pa UNMIK-un.

Ahmeti: Kosova do jetë e barabartë në CEFTA

“Në CEFTA sigurisht përfitimi është se tash e përfaqësojmë vetën dhe nuk ka përfaqëson më UNMIK-u, e cila është një mbetje e një sistemi të vjetër dhe të tejkaluar. Ndërsa në kuptimin përmbajtjesor ekonomik të tregtisë dhe fondeve kjo e ka zhbllokuar situatën në Proces të Berlinit, i cili është gjithashtu i ndërlidhur edhe me Planin e Rritjes...03:27(Heqjen e masave të sigurisë në pika të tjera kufitare) Në diskutime me partnerët tanë na është premtuar që do të pajisemi nga ata me skenarë të veçantë të cilët bëjnë kontrollin e kamionëve gjatë hyrjes në pika kufitare në Kosovë. Gjithashtu, doganat tona kanë filluar procedurat që të sigurohet ky skenerë dhe për këtë arsyeje është hapur vetëm një pikë”, deklaron ai.

Ai thekson se Kosova do të hapë pikat të tjera kufitare për mallrat serbe në momentin kur do të sigurohen skanerët.

Sa i përket raporteve me shtetin gjerman pas presionit të tyre për largimin masave të sigurisë dhe paralajmërimeve për largim të Kosovës nga Procesi i Berlinit, Ahmeti thotë se raportet janë të shëndosha, mirëpo mes partnerëve jo gjithmonë ka pajtim për qasjen apo metodën si të vazhdohet tutje.

Ahmeti: Raportet me Gjermanin janë të shëndosha

“Po të kishte luhatje apo përkeqësim të raporteve, sigurisht se nuk do arrinim zgjidhje apo marrëveshje, siç ndodhi në rastin e CEFTA-s dhe rastet të tjera. Sigurisht mes partnerëve ka diskutime, jo gjithmonë pajtohemi me qasjen apo metodën si të vazhdohet tutje. Fakti që në CEFTA u gjet një zgjidhje dhe Kosova tashmë përfaqëson vetveten dhe këtë mënyrë u zhbllokua edhe Procesi i Berlinit dhe Plani i Rritjes tregon se raportet janë të shëndosha siç kanë qenë gjithnjë”, thotë Ahmeti.

Duke folur për dialogun me Serbinë dhe mundësinë që fryma konstruktive të kësaj të fundit sa i përket avancimit të statusit të Kosovës në CEFTA, të bartet edhe në këtë proces, Ahmeti thotë se rruga për suksesin e dialogut është e qartë, përmes nënshkrimit të marrëveshjes bazë dhe tërheqjes së letrës së ish-kryeministres, Ana Bërnabiqit.

Ai thotë se roli i ShBA-së në dialog është mjaft pro-aktiv, derisa përmend edhe vizitën që e pati gjatë kësaj jave të emisarit të ShBA-së për dialogun, Alexandër Kasanof në Kosovë.

Ahmeti: Rruga për sukses në dialog është e qartë, të nënshkruhet marrëveshja e Brukselit

“Ne kemi pranuar dhe jemi të gatshëm të nënshkruajmë marrëveshjen e Brukselit të 27 shkurtit. Kush po e bllokon procesin është Beogradi i cili fillimisht në mënyrë të qëllimshme tregonte një lloj paqartësie në qëndrimin e vet në raport me marrëveshjen, ndërsa në dhjetor të vitit të kaluar dërguan një letër ku praktikisht tërhiqeshin nga kjo marrëveshje. Rruga është e qartë sesi të shkojmë drejt zbatimit të një marrëveshje që do të nënkuptonte edhe një sukses të procesit të dialogut... Nuk do t’ia jepja cilësimin e momentumit. Momentumi më duket shumë më e madhe se kjo çka po ndodh, por është një shenjë konstruktiviteti. Të shohim se a do të ndërtohet mbi këtë shenjë më tutje konstruktiviteti i Serbisë apo do të kthehen te ajo çka e bëjnë më së shpejti, që është qasja e një hegjemoni dhe agresive ndaj vendeve fqinje”, shton ai.

Sa i përket veriut, ai thotë se qeveria ka shtrirë sovranitetin dhe sundimin e ligjit në atë pjesë, derisa thekson se po presin që në momentin e duhur të hapin edhe urën e Ibrit.

Ahmeti: Kur të vlerësohet se është momenti i duhur do të hapet ura e Ibrit

“Kritika ka pasur po thuajse për secilin hap që është ndërmarrë në veri. Hapat e vendosjes së sundimit të ligjit dhe sovranitetit janë tentuar të paraqitur si hapa të populizmit. Por realiteti sot tregon se atje ka pasur një efekt përmbajtjesor për të mirën e gjithë qytetarëve pa marrë parasysh etninë. Sigurisht se ka pasur koordinim për çështjen e urës me partnerët ndërkombëtarë. Kur të vlerësohet se është momenti i duhur, duke marrë parasysh një sërë faktorësh jo vetëm të sigurisë, ura do të hapet”, deklaron Ahmeti.

Krahas këtyre, Ahmeti i konsideron të suksesshëm edhe qëndrimin e kryeministrit, Albin Kurti dhe presidentes, Vjosa Osmani në ShBA, në takimet gjatë margjinave të Këshillit të Sigurimit në OKB.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat