​Admirali Munsch: Gjendja e sigurisë në Kosovë e brishtë

Aktuale

​Admirali Munsch: Gjendja e sigurisë në Kosovë e brishtë

Më: 12 tetor 2024 Në ora: 20:18
Ilustrim

Komandanti i marinës amerikane për Evropën dhe Afrikën dhe komandant i forcave të NATO-s në bazën e Napolit, admirali amerikan Stuart B. Munsch tha se situata e sigurisë në Kosovë është e qëndrueshme, por e brishtë.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, admirali Munsch tha se shqetësimi kryesor aktualisht është retorika nxitëse politike “që mund të frymëzojë palët e pakënaqura të ndërmarrin veprime të dhunshme”.

“NATO-ja është neutrale sa i përket rrethanave këtu. Të gjitha qeveritë duhet të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe të shfrytëzojnë dialogun e lehtësuar nga BE ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Është mënyra më e mirë për të zgjidhur dallimet dhe për të krijuar stabilitet të përhershëm. Situata është e qëndrueshme tani, por e brishtë. Aktualisht shqetësimi kryesor është retorika nxitëse politike në këtë periudhë, që mund të nxisë qoftë aktorë individualë apo aktorë jo-shtetërorë të ndërmarrin veprime të dhunshme, për të shfaqur pakënaqësitë e tyre”, tha ai.

Admirali Munsch ka folur edhe mbi planet e NATO-s për të krijuar qëndrueshmëri, përmes një korridori të ri të Aleancës, që kalon nga porti i Durrësit, nëpër Maqedoninë e Veriut, në Bullgari, deri në Detin e Zi, i cili, sipas tij, do t’i mundësojë Aleancës të përforcohet dhe të veprojë me shpejtësi.

“Korridoret e transportit janë jetike për të siguruar qarkullimin e logjistikës, municioneve, karburanteve dhe furnizimeve të tjera. Natyra e fortë e korridoreve është në vetvete masë parandaluese kundër çdo agresioni ndaj NATO-s, thjesht sepse ne mund të përforcohemi dhe të veprojmë me shpejtësi. Synimi i korridorit është që të jemi gati për çdo mundësi. Duke qenë gati, kjo në vetvete nënkupton parandalim”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat