​Ushtria e Serbisë pranë kufirit me Kosovën, flet analisti Avni Islami

Aktuale

​Ushtria e Serbisë pranë kufirit me Kosovën, flet analisti Avni Islami

Më: 13 tetor 2024 Në ora: 14:34
Njohësi i sigurisë Avni Islami

Njohësi i sigurisë Avni Islami ka komentuar zhvillimet e fundit në kufirin midis Kosovës dhe Serbisë, ku janë vërejtur prania e forcave ushtarake serbe e të cilët kanë ikur menjëherë pasi kanë hetuar se po xhirohen nga forcat e Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti ka publikuar mbrëmë fotografi ku shihen ushtarët serbë me automjete ushtarake vetëm 50 metra në afërsi të kufirit me Kosovën.

Avni Islami vlerëson se derisa të mos bëhet demarkimi i kufirit dhe të dihet vija e saktë kufitare do të ketë në vazhdimësi provokime të tilla.

Islami për KosovaPress thotë se Kosova duhet të ketë kujdes dhe të vazhdojë t’i përcjellë lëvizjet e Ushtrisë së Serbisë pavarësisht se ato në vazhdimësi thirren në vijën kufitare ku ende nuk është bërë demarkimi i kufirit, duke shtuar se, të njëjtit këtë arsyetim e gjejnë edhe para bashkësisë ndërkombëtare.

Islami: Priten sërish provokime nga ushtria serbe

“Deklarata e kryeministrit Albin Kurti është në vazhdën e deklaratave të matura, dhe të faktuara lidhur me provokimet, të cilat i vijnë shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë. Nuk është hera parë, por në vazhdimësi në vitet e kaluara dhe deri në ditët e sotme kemi deklarata të tilla, që nga heqja e sigurisë tokësore prej pesë kilometrave në vazhdimësi ka pasur provokime të tilla. Prandaj, edhe jo rastësisht kryeministri Kurti ka kërkuar që të rikthehet dhe të vendoset vija, zona e sigurisë prej 5 km ashtu siç ishte që nga viti 1999. Prandaj, provokime të tilla kemi pasur në të kaluarën, dhe pres sërish provokime që të ketë, përderisa është një pushtet totalitar dhe ekspansionist siç është shteti i Serbisë në krye me Aleksandër Vuçiq dhe vartësit e tij, ku i gjithë pushteti është koncentruar në një grup, plan”, tha Islami.

Islami gjithashtu shpreh optimizëm për rolin e institucioneve të sigurisë të Kosovës, duke theksuar se ato në bashkëpunim me KFOR-in dhe EULEX-in, janë në gjendje të monitorojnë lëvizjet e Ushtrisë së Serbisë.

Ndërsa, shton se Kosova duhet vazhdojë me këtë ritëm, t’i përcjellë me kujdes lëvizjet e Ushtrisë e Serbisë. Islami paralajmëron se do të vazhdojnë këto provokime derisa të arrihet një demarkim i qartë i kufirit.

Islami: Derisa të mos bëhet demarkimi i kufirit, do të kemi provokime të tilla

“Më gëzon fakti se organet e sigurisë të Kosovës në bashkëpunim me KFOR-in dhe EULEX-in kanë të mundur për shkak të përgatitjeve profesionale dhe logjistikes që këto lëvizje të Ushtrisë së Serbisë të detektohen me kohë, të vëzhgohen dhe të mos lejojnë befasi. Kosova duhet të ketë kujdes, dhe të vazhdojë me këtë ritëm, pra që t’i përcjellë me kujdes lëvizjet e Ushtrisë së Serbisë, edhe pse ato në vazhdimësi thirren në vijën kufitare ku ende nuk është bërë demarkimi i kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, andaj edhe para bashkësisë ndërkombëtare këtë arsyetim e gjen ushtria serbe, dhe urdhërdhënësit e tyre. Besoj se derisa të mos bëhet demarkimi i kufirit dhe të dihet vija kufitare saktë deri ku është territori, atëherë do të kemi në vazhdimësi provokime të tilla”, thotë Islami.

Islami nënvizon se provokimet e tilla të ushtrisë së Serbisë njëherësh përbëjnë provokim jo vetëm ndaj Kosovës si shtet, por edhe ndaj pranisë së misionit paqeruajtës KFOR.

Islami: Serbia po e provokon Kosovën në aspektin psikologjik

“Provokimet e tilla nuk mendoj se do të ketë veprim ose aksion ose ndërhyrje brenda territorit të Kosovës, por është provokim psikologjik ndaj shtetit të Kosovës, sepse çdo ndërhyrje e çizmes e ushtarit serb është një provokim ndaj Aleancës Veri-Atlantike, sepse vetë kjo e fundit, është garantuese e sovranitetit dhe integritetit territorial tokësor e ajror, andaj çdo cenim i sovranitetit do të ishte cenim ndaj Aleancës Veri-Atlantike”, përfundon Islami.

Ndryshe, kryeministri Kurti veprimin e forcave ushtarake serbe e ka quajtur provokim të Serbisë me qëllim të destabilizimit të rajonit.

“Serbia ka provokuar sërish duke lëvizur trupat e saj rreth 50 metra afër vijës kufitare me Kosovën, në territorin e komunës së Kamenicës. Institucionet përkatëse të sigurisë së Republikës së Kosovës kanë detektuar menjëherë këto lëvizje provokuese nga ushtria e Serbisë, të cilat kanë për synim nxitjen e tensioneve. Kur e kanë parë që i kemi vërejtur dhe xhiruar, kanë ikur me shpejtësi e janë larguar për në brendi të territorit të tyre”, ka shkruar ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat