Quni: Ministria ka dështuar ta planifikojë përfundimin e kontratës për furnizimin e FSK-së me ushqim, s’është emergjencë e papritur
Ish-ministri i Mbrojtjes, Anton Quni tha se Qeveria “nuk ka arritur ta planifikojë përfundimin e kontratës së furnizimit me ushqim në mënyrë të duhur”, ndërsa foli në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit për situatën në FSK.
Ai tha se me kontraktorin e mëparshëm, Ministria e Mbrojtjes “kishte lidhur një kontratë të ngjashme urgjente mbi 3 herë, për periudha deri në gjashtë muaj, me një vlerë mbi 7 milionë euro, duke u bazuar në procedura të shpallura ekstreme emergjente”.
“Por Kosova nuk ka shpallur gjendje emergjente kombëtare. Ushqimi nuk është një emergjencë e papritur. Është diçka që mund të planifikohet me kalendar dhe me transparencë”, tha Quni.
Ai tha se kjo situatë ka krijuar “paqartësi dhe pasiguri” dhe ka reflektuar “negativisht mbi kredibilitetin e institucionit më të besueshëm në Kosovë”.
“Nëse shtetet e fuqishme ushtarake si SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar, po ashtu edhe vendet tona fqinje mund të ndjekin procese të hapura, atëherë cilat mund të jenë motivet që Kosova të veprojë ndryshe?”, pyeti Quni.
Ai i kërkoi Qeverisë që ta evitojë këtë qasje, duke thënë se kjo “jo vetëm që rrezikon shëndetin e ushtarëve tanë, por përfshin pasoja strategjike lidhur me aftësinë tonë për të përmbushur detyrimet ndërkombëtare dhe për të mbrojtur sigurinë kombëtare”.
Quni kërkoi të merren hapat e nevojshëm “duke përdorur ekspertizën e NATO-s”.
Nis seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga opozita për çështjen e ushqimit në FSK
Ka nisur seanca jashtëzakonshme e thirrur nga opozita për debat parlamentar për mungesën e ushqimit në FSK.
Në këtë seancë nuk po merr pjesë Vetëvendosje, deputetët e të cilës pak më parë, përmes një konference për media, thanë se s’do të shkojnë në kuvend.
Deputeti Enver Dugolli, ka thënë se nuk do të marrin pjesë në asnjë seancë të thirrur nga opozita derisa ata “të reflektojnë”.
“Tentimi për të diktuar apo shantazhuar grupin tonë parlamentar për shkarkimin e zonjës Mimoza Kusari- Lila si shefe e GP si kompensim i pjesëmarrjes në seanca dhe votimeve në këtë legjislaturë, është absurd, për të cilin ne nuk e pranojmë. Ne as nuk përzihemi se kë e votojnë ata për shefa GP të tyre e aq më pak të pranojmë kushtëzime të tilla për shefen e Grupit tonë Parlamentar. Si rrjedhojë ne nuk marrim pjesë në asnjë lloj seancë apo iniciative që vie nga ana e tyre derisa ata nuk reflektojnë dhe të shmangin këtë formë imponimi i cili nuk kalon”, tha ai.
“Në fillim të tetorit me kërkesën e bërë nga opozita, në mënyrë unanime ëprkrahëm kërkesën e tyre për të ftuar ministrin Ejup Maqedonci në raportim. Me shumë se tri orë diskutuam dhe ministri iu përgjigj të gjitha pretendimeve dhe shqetësimeve të ngritura nga opozita rreth çështjes së ushqimit dhe temave tjera në dy seanca. Kërkesa për seancë të jashtëzakonshme nga opozita është vazhdimësi e një serie të dezinformatave që synon tash e disa ditë ta keqinformojë qytetarin. Kjo po bëhet me qëllim që ta dobësojë rolin e FSK’së që këto katër vitet e fundit ka bërë një progres të jashtëzakonshëm”, ka thënë ai.
Kuvendi sot me seancë të jashtëzakonshme për FSK-në
Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë një seancë të jashtëzakonshme për të trajtuar problemin e furnizimit me ushqim për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Seanca është thirrur me kërkesë të Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e mbështetur nga 43 deputetë nënshkrues.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka bërë të ditur dje se do të propozohet një rezolutë e thjeshtë që obligon Qeverinë dhe Ministrinë e Mbrojtjes të zgjidhin urgjentisht çështjen e furnizimit me ushqim dhe pajisje të tjera të nevojshme për ushtrinë.
"Kuvendi do të obligojë Qeverinë të zgjidh këtë çështje," ka shkruar Tahiri në Facebook.
Ai ka shtuar se drafti i rezolutës mund të plotësohet nga deputetët gjatë seancës, duke lënë hapësirë për diskutim dhe përmirësime të mundshme