LIVE: Ashpërsohen fjalimet e opozitës rreth ushqimit për ushtrinë - Akuza të rënda për Kurtin, VV bojkoton seancën

Aktuale

LIVE: Ashpërsohen fjalimet e opozitës rreth ushqimit për ushtrinë - Akuza të rënda për Kurtin, VV bojkoton seancën

Më: 14 tetor 2024 Në ora: 07:50 Përditësuar në ora: 13:20 më 14.10.2024
Foto ilustrim

Reçica: Ka një dualizëm që është shkaku i përplasjeve në Ministrinë e Mbrojtjes, Mehaj dha dorëheqje për këto arsye

Deputeti i PDK-së Elmi Reçica tha se “nuk është vetëm çështja e ushqimit” problem në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ai tha në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit se “këtu kemi një dualizëm të qartë dhe për atë arsye ka përplasje brenda asaj ministrie dhe insitucioneve tjera”, duke iu referuar Ministrisë së Mbrojtjes.

Reçica tha se arsyeja e dorëheqjes së ministrit Armend Mehaj nga udhëheqja e kësaj ministrie erdhi “për këto arsye” dhe se ministri aktual i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci po përballet me probeleme “për këto arsye”.

E ke Qeverinë e Albin Kurtit me ministrat e vetë, dhe e ke Dejona Mihalin me komitetet e Vetëvendosjes, që janë ministri paralele. A di çfarë thonë ata? I thonë zëvendësministrit ‘shko ti, por ti ke me qenë ministër’. Dhe pastaj atë e konsiderojnë si ministër. Dhe për këtë arsye atje ka rrahje, ka keqpërdorime, ka nxjerrje të vendimeve, dokumenteve, që nuk janë të ministrit. Pse iku ministri paraprak që me aq bujë e prezantuan? Për këto arsye. Pse ky ministër është në gjendje shumë të rëndë tash aktualisht? Për këtë arsye”, tha Reçica.

Ai tha se “oficerët më të mirë që ka kjo ushtri e kanë braktisur FSK-në”.

Sot, deputeti i PDK-së tha se “është e qartë” se “beteja për ushqimin e FSK-së ka qenë beteja kush do të vjedhë më shumë”.

​Berisha për çështjen e ushqimit në FSK: Situata aktuale është shqetësuese

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha deklaroi se për çështjen e ushqimit në FSK duhet të jap dorëheqje ministri, zëvendësministri e sekretari në Ministri të Mbrojtjes.

Në seancën e jashtëzakonshme të ftuar me kërkesë të AAK-së, Berisha u shpreh se situata aktuale është shqetësuese dhe se trajtimi i ushtarëve me neglizhencë paraqet shkelje të rëndë të përgjegjësisë nga ana e qeverisë.

Në seancën e jashtëzakonshme ku nuk po marrin pjesë deputetët e shumicës parlamentare, deputeti Bekë Berisha tha se çështja e ushqimit është me rëndësi dhe ndikon në funksionalitetin e FSK-së.

Berisha: Trajtimi i ushtarëve me neglizhencë është shkelje e rëndë e përgjegjësisë

“Ushtria jonë është krenaria e vendit tonë dhe është simbol i shpresës për një të ardhme të sigurt dhe të qëndrueshme. Secili ushtar që shërben ka vendosur t’i shërbejë vendit deri në vetëflijim. Nuk janë aty as për privilegje por as për kushte. Ata janë djemtë e vajzat më të mirë të vendit tonë. Megjithatë, duhet të pranojmë që situata aktuale është tepër shqetësuese. Trajtimi i ushtarëve tanë me neglizhencë është një shkelje e rëndë e përgjegjësisë së udhëheqjes së kësaj qeverie. Kriza e furnizimit me produkte esenciale për FSK-në është një sinjal alarmant që kërkon zgjedhje të menjëhershme. Mos të harrojmë ne jemi në një kohë të rrezikshme për sigurinë në rajon dhe është thelbësore që sektori i sigurisë të trajtohet me prioritet dhe dinjitet”, deklaroi ai.

Në emër të deputetëve nënshkrues, Berisha shtoi se “nuk ka lojë me ushtri” dhe se duhet të plotësohen kushtet e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Berisha: Kërkojmë përgjigje nga qeveria

Si mund të jemi të sigurt nga kjo mazhorancë që do të avancojë planin 10-vjeçar të transformimit të FSK-së në përputhje me standardet e NATO-s nëse nuk arrin të menaxhojë as furnizimin me ushqim për ushtarët tanë. Prandaj ne sot kërkojmë një përgjigje të qartë nga qeveria, sot kërkojmë zgjedhje të menjëhershme dhe urgjente. Ushtarët nuk duhet të jenë të shqetësuar se a kanë ushqim gjatë ditës dhe se me çfarë kualiteti ju servohen shujtat. Ata duhet të jenë të preokupuar vetëm me pjesën e detyrave që i kanë. Një ushtar nuk duhet të ketë shqetësim ushqimin, uniformën, mungesën e veshmbathjeve. Nëse ju e quani vetën qeveri këto gjëra nuk lejohet të ndodhin, besa nuk kanë ndodhur në asnjë qeveri më herët”, shtoi Berisha në seancë plenare.

Berisha përmendi edhe Dejona Mihalin, e më tej kërkoi edhe dorëheqjen e ministrit të Mbrojtjes.

Berisha: Dejona Mihali i ka treguar të gjitha

“Këtë tender, këta tenderë, këta të ushqimit, këtu ish fitimi i madh. Nëse tenderi është 10 euro, me tri euro po u kryjshin obligimet, tjerat shkojnë nëpër xhepa të njerëzve që unë i di. Unë sot e kom një kallabllak dokumente e informacione. Plot aty. Edhe i di të gjitha, ashtu qysh i dimë plot ne. Mirëpo, që katër vjet mandat duke dashur me ruajt ushtrinë, plot gjëra që i kemi ditur nuk i kemi folur dhe i kemi mbrojtur dhe e dinë këta që janë në qeveri. Por tash shtrohet pyetja, nëse ka mbërri Dejona Mihali me hy në Ministri të Mbrojtjes, çka nuk dinë komshiu, tëra i di. Ne mundemi me ia mbajt të fshehtë njëri-tjetrit, ajo tëra i ka treguar. Se qëllimi i saj është që me i dit tjetër kush. Për tërë këtë neglizhencë, sot është dashur të jap dorëheqje ministri, zëvendësministri, sekretari i zgjedhur jashtëligjshëm, për këta deputetë që janë në klub ata që i organizojnë këto gjëra”, përfundoi Berisha. 

Quni: Ministria ka dështuar ta planifikojë përfundimin e kontratës për furnizimin e FSK-së me ushqim, s’është emergjencë e papritur

Ish-ministri i Mbrojtjes, Anton Quni tha se Qeveria “nuk ka arritur ta planifikojë përfundimin e kontratës së furnizimit me ushqim në mënyrë të duhur”, ndërsa foli në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit për situatën në FSK.

Ai tha se me kontraktorin e mëparshëm, Ministria e Mbrojtjes “kishte lidhur një kontratë të ngjashme urgjente mbi 3 herë, për periudha deri në gjashtë muaj, me një vlerë mbi 7 milionë euro, duke u bazuar në procedura të shpallura ekstreme emergjente”.

“Por Kosova nuk ka shpallur gjendje emergjente kombëtare. Ushqimi nuk është një emergjencë e papritur. Është diçka që mund të planifikohet me kalendar dhe me transparencë”, tha Quni.

Ai tha se kjo situatë ka krijuar “paqartësi dhe pasiguri” dhe ka reflektuar “negativisht mbi kredibilitetin e institucionit më të besueshëm në Kosovë”.

Nëse shtetet e fuqishme ushtarake si SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar, po ashtu edhe vendet tona fqinje mund të ndjekin procese të hapura, atëherë cilat mund të jenë motivet që Kosova të veprojë ndryshe?”, pyeti Quni.

Ai i kërkoi Qeverisë që ta evitojë këtë qasje, duke thënë se kjo “jo vetëm që rrezikon shëndetin e ushtarëve tanë, por përfshin pasoja strategjike lidhur me aftësinë tonë për të përmbushur detyrimet ndërkombëtare dhe për të mbrojtur sigurinë kombëtare”.

Quni kërkoi të merren hapat e nevojshëm “duke përdorur ekspertizën e NATO-s”.

Nis seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga opozita për çështjen e ushqimit në FSK

Ka nisur seanca jashtëzakonshme e thirrur nga opozita për debat parlamentar për mungesën e ushqimit në FSK.

Në këtë seancë nuk po merr pjesë Vetëvendosje, deputetët e të cilës pak më parë, përmes një konference për media, thanë se s’do të shkojnë në kuvend.

Deputeti Enver Dugolli, ka thënë se nuk do të marrin pjesë në asnjë seancë të thirrur nga opozita derisa ata “të reflektojnë”.

“Tentimi për të diktuar apo shantazhuar grupin tonë parlamentar për shkarkimin e zonjës Mimoza Kusari- Lila si shefe e GP si kompensim i pjesëmarrjes në seanca dhe votimeve në këtë legjislaturë, është absurd, për të cilin ne nuk e pranojmë. Ne as nuk përzihemi se kë e votojnë ata për shefa GP të tyre e aq më pak të pranojmë kushtëzime të tilla për shefen e Grupit tonë Parlamentar. Si rrjedhojë ne nuk marrim pjesë në asnjë lloj seancë apo iniciative që vie nga ana e tyre derisa ata nuk reflektojnë dhe të shmangin këtë formë imponimi i cili nuk kalon”, tha ai.

Në fillim të tetorit me kërkesën e bërë nga opozita, në mënyrë unanime ëprkrahëm kërkesën e tyre për të ftuar ministrin Ejup Maqedonci në raportim. Me shumë se tri orë diskutuam dhe ministri iu përgjigj të gjitha pretendimeve dhe shqetësimeve të ngritura nga opozita rreth çështjes së ushqimit dhe temave tjera në dy seanca. Kërkesa për seancë të jashtëzakonshme nga opozita është vazhdimësi e një serie të dezinformatave që synon tash e disa ditë ta keqinformojë qytetarin. Kjo po bëhet me qëllim që ta dobësojë rolin e FSK’së që këto katër vitet e fundit ka bërë një progres të jashtëzakonshëm”, ka thënë ai.

Kuvendi sot me seancë të jashtëzakonshme për FSK-në

Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë një seancë të jashtëzakonshme për të trajtuar problemin e furnizimit me ushqim për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Seanca është thirrur me kërkesë të Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e mbështetur nga 43 deputetë nënshkrues.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka bërë të ditur dje se do të propozohet një rezolutë e thjeshtë që obligon Qeverinë dhe Ministrinë e Mbrojtjes të zgjidhin urgjentisht çështjen e furnizimit me ushqim dhe pajisje të tjera të nevojshme për ushtrinë.

"Kuvendi do të obligojë Qeverinë të zgjidh këtë çështje," ka shkruar Tahiri në Facebook.

Ai ka shtuar se drafti i rezolutës mund të plotësohet nga deputetët gjatë seancës, duke lënë hapësirë për diskutim dhe përmirësime të mundshme

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat