Ish-ministrja Dhurata Hoxha lirohet sërish nga akuzat për korrupsion

Aktuale

Ish-ministrja Dhurata Hoxha lirohet sërish nga akuzat për korrupsion

Më: 14 tetor 2024 Në ora: 14:03
Ish-ministrja Dhurata Hoxha

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj ish-ministres së Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha, si dhe Ekrem Tahirit, Fitim Mustafës dhe Gëzim Dushit, lidhur me akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Aktgjykimi u shpall të hënën nga kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ish-ministrja Hoxha akuzohej se kishte përdorë kontratën e MIE-së për të promovuar fushatën në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019, përderisa kjo kontratë shërbente për të informuar qytetarët rreth procesit të liberalizimit të vizave. Bashkë me të akuzoheshin Fitim Mustafa, Gëzim Dushi dhe Ekrem Tahiri.

Dhurata Hoxhaj, Fitim Mustafa dhe Gëzim Dushi akuzoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa Ekrem Tahiri akuzohej për veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Sipas këtij aktgjykimi, nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale e cila iu vihej në barrë.
Shpenzimet procedurale bien në barrë të Gjykatës, ndërsa Qeveria e Kosovës udhëzohet në kontest juridiko-civil.

Ish-ministrja dhe mbrojtësi i saj, avokati Florent Latifaj nuk ishin të pranishëm në shpallje të këtij aktgjykimi. Po ashtu, mungoi edhe prokurorja Ilirjana Çollaku-Tafaj.

Ndryshe, ish-ministrja Dhurata Hoxha akuzohej se kishte përdorë kontratën e MIE-së për të promovuar fushatën në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019, përderisa kjo kontratë shërbente për të informuar qytetarët rreth procesit të liberalizimit të vizave.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 12 maj 2022, kishte ngritur aktakuzën ndaj Hoxhës dhe tre të tjerëve Ekrem Tahiri, Fitim Mustafa dhe Gëzim Dushi, duke i ngarkuar me veprën penale “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”. Aktakuzën e plotë mund ta lexoni duke klikuar KËTU.

Ndryshe, lidhur me rastin tjetër ku akozhej ish-ministrja Hoxha, Gjykata e Apelit më 26 shtator 2024 e ka vërtetuar aktgjykimi lirues të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndaj ish-ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, dy ish-sekretarëve të ministrisë, Demush Shasha dhe Kushtrim Cukaj, si dhe Fitim Mustafës e Nuhi Osmanit, të cilët akuzoheshin për korrupsion.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat