Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu i ka bërë thirrje Prokurorisë që t’i hetojë disa “hajni” që tha se ndodhën brenda Ministrisë së Mbrojtjes.
Në seancën e jashtëzakonshme për situatën e furnizimit të FSK-së me ushqim, ai e ftoi edhe ish-ministrin Armend Mehaj që “ta bëjë publike arsyen e vëretë të dorëheqjes së tij”.
Haxhiu e përmendi Fondin për Ushtrinë, ndërsa tha se është “vjedhur edhe në armatim”.
“E ftoj ish-ministrin Armend Mehaj ta bëjë publike arsyen e vërtetë të dorëheqjes së tij. Fondi për Ushtrinë që u krijua nga Qeveria Kurti asnjëherë nuk u bë publik. Qytetarët dhanë mjetet e tyre për të kontribuar për Ushtrinë e Kosovës, e këta shkojnë e vjedhin edhe në pasul e në bukë të ushtarëve. Por a kanë vjedhë edhe në armatim? Këto përgjigje duhet të na i japë ish-ministri Armend Mehaj me arsyen e vëretë pse ai ka dhënë dorëheqje dhe konfliktin që e ka pasë brenda Ministrisë së Mbrojtjes me këta eksponentë kriminalë që vjedhin edhe në armatim, edhe në ushqim, edhe në ndërtim të kazermave”, tha ai.