Ushqimi për ushtri dhe konkursi për kuzhinier, flasin nga Ministria e Mbrojtjes

Aktuale

Ushqimi për ushtri dhe konkursi për kuzhinier, flasin nga Ministria e Mbrojtjes

Më: 14 tetor 2024 Në ora: 17:29
Liridona Gashi

Me konkursin e ri për pozita të ndryshme, një ndër to edhe për kuzhinier, Ministria e Mbrojtjes pritet t’i jap fund problemit me ushqim në FSK. Kështu janë deklaruar nga MM, të cilët thonë se furnizimi me ushqim nuk është ndërprerë në asnjë moment dhe se ka shumëllojshmëri të ushqimeve.

Zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes, Liridona Gashi flet edhe për takimin e ministrit me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.

Ndërkaq, nga kjo ministri kanë mohuar raportimet se ministri Maqedonci ka dërguar letër kryeministrit, Albin Kurti në të cilën është theksuar se refuzon të nënshkruajë kontratë të re me një operator të ri ekonomik.

Duke folur furnizimin me ushqim për FSK-në, Gashi thotë se kuzhinierët të cilët po përgatisin ushqimin, do të vazhdojnë angazhimin e tyre për një periudhë të pacaktuar deri në momentin kur do të përfundojë edhe rekrutimi i stafit të ri të kuzhiniereve.

Gashi: Kuzhinierët do të vazhdojnë angazhimin e tyre për një periudhë të pacaktuar deri kur do të përfundojë rekrutimi i stafit

“Furnizimi me ushqim i pjesëtareve të FSK-së nuk është ndërprerë në asnjë moment, ndonëse nuk kemi kontrata aktive me një operator ekonomik kjo gjë nuk e ka paralizuar ofrimin e këtij shërbimi në Ministri të Mbrojtjes. Realisht çdo gjë ka vazhduar si edhe më parë, janë ofruar gjithë shujtat për pjesëtarët e FSK-së dhe llojllojshmëria e ushqimeve. Thjesht, kuzhinierët të cilët kanë përgatitur ushqimin dhe vazhdojnë të përgatisin janë kuzhinier të huazuar nga Qendra Studentore dhe nga Shërbimi Korrektues i Kosovës. Këta kuzhinier do të vazhdojnë angazhimin e tyre për një periudhë të pacaktuar deri në momentin kur do të përfundojë edhe rekrutimi i stafit të ri të kuzhinierëve të cilët do të jenë të angazhuar në Ministri të Mbrojtjes, e që janë rreth 106 persona. Konkursi veçse është hapur me datën 10 tetor dhe pritet që me një afat prej 45 ditësh të bëhet mbyllja e këtij konkursi", thotë ajo.

Ajo ka thënë se raportimet që gjoja ministri ka dërguar një letër kryeministrit Kurti në të cilën thekson se refuzon të nënshkruajë kontratë të re me një operator të ri ekonomik, nuk është dërguar asnjëherë.

Gashi: Ministri nuk i ka dërguar letër Kurtit në të cilën thekson se refuzon të nënshkruajë kontratë të re me një operator të ri ekonomik

"Dua të sqaroj po ashtu, meqenëse pash se është përhapur një lajm gjoja ministri ka dërguar një letër kryeministrit Kurti në të cilën thekson se refuzon të nënshkruajë kontratë të re me një operator të ri ekonomik, realisht një letër e tillë nuk është dërguar asnjëherë. Kontrata nuk është nënshkruar nga ana e ministrit për arsyeje jo të qëndrimeve personale, mirëpo ekziston një kontest mes grupit të operatorëve ekonomik të cilët kanë fituar fillimisht tenderin, duke ekzistuar një problematik ndërmjet tyre. Ministri duke parë edhe këtë problematikë që për neve faktikisht do të paraqiste në të ardhmen probleme dhe ligjore, nuk e ka nënshkruar kontratën dhe ka dhënë udhëzime që tenderi të anulohet, pra është anuluar”, shton Gashi.

Gashi thotë se me pranimin e këtyre kuzhinierëve jo vetëm se do të ketë kosto më të ulët financiare për sa i përket shpenzimeve, por në të njëjtën kohë do të ofrohen edhe ushqime më cilësore.

Ndërkaq, ajo ka shtuar se pagat do të jenë të mira.

Gashi: Me pranimin e këtyre kuzhinierëve do të ofrohen edhe ushqime më cilësore

“Pra, nuk do të ketë tenderë me operatorë të ri ekonomik, mirëpo do të ketë konkurs i cili do të pranojë kuzhinier të ri dhe me këtë rast do të vije dhe fundi i kësaj pengese e cila na ka shoqëruar në vazhdimësi për vite të tëra, në një formë po u japim zgjidhje, dhe me pranimin e këtyre kuzhinierëve jo vetëm se do të kemi kosto më të ulët financiare për sa i përket shpenzimeve, por në të njëjtën kohë do të ofrohen edhe ushqime më cilësore...04:00 Kuzhinieret nuk do të kenë paga të ulëta, është në konkurrencë me tregun e punës, atë që ofrojnë për kuzhinier, prandaj pagat do të jenë të mira, në mesataren, e arsyeshme për vendin. Gjithashtu ka edhe pozita të tjera...09:09 Mbi 700 euro (e kuzhinierit)...09:43 Por, për kuzhinier nuk e di numrin e saktë (të aplikuesve)”, nënvizon Gashi.

Në fund, ajo ka konfirmuar takimin e mbajtur mes ministrit Maqedonci me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, për të cilin tha se është shpjeguar nga ana e ministrit për gjitha procedurat që janë duke ndjekur, dhe kur pritet të përfundojë rekrutimi i stafit të ri.

Gashi: Po është realizuar takimi mes ministrit dhe presidentes, Vjosa Osmanin

“Po është realizuar takimi mes ministrit dhe presidentes, Vjosa Osmanin...Është shpjeguar nga ana e ministrit për gjitha procedurat që jemi duke ndjekur, dhe kur pritet të përfundojë rekrutimi i stafit të ri”, thotë ajo.

Me kërkese të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës sot është mbajtur seancë parlamentare e jashtëzakonshme për këtë çështje. Ndërkohë kjo seancë është bojkotuar nga deputetet e Lëvizjes Vetëvendosje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat