“I ka hyrë uji përfundi, po e lypin edhe birën e miut për të ikë”; Selmanaj i kundërpërgjigjet Mihalit që e quajti “horr” Mustafën

Aktuale

“I ka hyrë uji përfundi, po e lypin edhe birën e miut për të ikë”; Selmanaj i kundërpërgjigjet Mihalit që e quajti “horr” Mustafën

Nga: Bota sot Më: 16 tetor 2024 Në ora: 08:36 Përditësuar në ora: 14:55 më 16.10.2024
Kuvendi i Kosovës

Opozita ndërpret seancën në Kuvend për të shkuar te RTK “për mostransmetim të seancës”

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka kërkuar ndërprerjen e seancës për të shkuar para objektit të Radio Televizionit të Kosovës për një konferencë për media pasi akuzoi këtë medium se nuk e transmetoi seancën e sotme.

“Ashtu siç e paralajmëruam edhe më herët si shefa të grupeve parlamentare të partive opozitare, ne tani do ta ndërpresim seancën për një arsye të vetme, që para RTK-së ta mbajmë një konferencë për media dhe t’i adresojmë çështjet të cilat na brengosin jashtëzakonisht shumë. Sjellja e RTK-së karshi opozitës dhe Kuvendit të Kosovës është e patolerueshme. Pra, bllokimi i fjalës, tentimi për ta shmangur nga vëmendja e qytetarit aferën që e ekspozon një grup parlamentar është i papranueshëm. Prandaj, ne do ta ndërpresim dhe si deputetë të opozitës do të shkojmë tani para RTK-së për një konferencë për media”.

Ai tha se seanca sot nuk vazhdon, por “e vazhdojmë një moment tjetër”.

Selmanaj, organeve të drejtësisë: Mos u ndalni veç me Hafizin, ai është veç instrument i skemës korruptive

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, në fjalën e tij në seancën e jashtëzakonshme të thirrur për çështjen e arrestimeve në ministrinë e Mjedisit, deputetëve të VV-së të cilët s’shkuan në këtë seancë, iu referua si “të nderuar kapela të zeza”.

Këtë “përshëndetje”, Selmanaj e bëri pas publikimit të bisedave ku pretendohet se koordinatorja e Komiteteve të VV-së, Dejona Mihali, e ka pasur me ish-kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqin, të cilin e ka ftuar në një takim dhe e ka sugjeruar që të shkonte me kapele.

Selmanaj tha se VV-ja gjithmonë në të kaluarën kuvendin e ka parë si arenë për të bërë fushatë politike, si arenë për të dëshmuar forcën e vet, për të bërë propagandë e për të promovuar, sipas tij, edhe idetë e mbrapshta, por tash, siç tha ai, po ikin nga kuvendi.

“Dhe pyetja shtrohet se pse po ikin nga kuvendi. Jam i bindur për këtë, janë koritë me fund. Këta nuk kanë fytyrë më me ardhë dhe të ballafaqohen. Duke i njohur disa nga deputetët e VV-së, jam i bindur se ata nuk duan as të vijnë këtu dhe nuk duan t’i shohin disa prej kolegeve dhe kolegëve që janë të përfshirë në këtë proces”.

“Jam i vetëdijshëm që çështja e ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës është në duart e organeve të drejtësisë. Nuk provoj që të flasë që në një formë mund të interferojmë në organet e drejtësisë. Por, më 25 prill të këtij, këto fjalë që këto ditë po dëshmohen me arrestimin e Naser Hafizit, unë i kam thënë në këtë kuvend dhe kam bërë thirrje organeve të drejtësisë që të vihen në lëvizje sepse kemi një skenë të organizuar korruptive dhe ashtu doli”, tha Selmanaj.

Tutje, ai i bëri thirrje organeve të drejtësisë që mos të ndalen veç me arrestimin e Naser Hafizit, pasi sipas tij, Hafizi është veç instrument i realizimit të skemës korruptive.

“I bëjmë thirrje organeve të drejtësisë që të mos ndalen veç me Naser Hafizin, pasi ai është vetëm instrument i realizimit të skemës të korrupsionit të strukturuar që VV-ja ka vendosur ta aplikojë në Kosovë”, tha ai.

​Tahiri: Mesazhet e Dejona Mihalit e nxjerrin në pah më së miri kriminalitetin në vend

Shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka deklaruar se mesazhet e publikuara të koordinatores për komitete të Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihalit dhe ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, e nxjerrin në pah më së miri kriminalitetin në vend, për të cilin ka thënë se kjo gjendje është e papranueshme.

Në seancën e jashtëzakonshme që po mbahet në Kuvendin e Kosovës, Tahiri ka thënë se është lehtë të fshehësh pas kapelave krimin, porse kjo është e përkohshme.

Mes tjerash, Tahiri kritika ka adresuar edhe për RTK-në, për çfarë tha se i njëjti ishte duke transmetuar një konferencë të kryeministrit, Albin Kurti dhe jo seancën e Kuvendit, duke shtuar se, ky është krim dhe një tendencë të mbytet zëri opozitar.

Tahiri: RTK po transmeton konferencën e kryeministrit dhe jo seancën, kjo është tendencë të mbytet zëri opozitar

“Në këto momente për kureshtje vendosa me pa se a është duke transmetuar RTK këtë seancë live dhe pash që në këtë moment në programin qendror paska vendos të transmetojë një konferencë të kryeministrit Kurti për të mbijetuarit e dhunës seksuale, ndërsa Kuvendin e Kosovës, institucionin të cilin e ka themeluar ky institucion, paska vendos të transmetojë në RTK3. Kjo nuk ka ndodhur kurrë, asnjëherë. Këto kapelat e LVV-së, Dejonës që janë në RTK janë duke e bërë këtë krim, ky është krim dhe një tendencë të mbytet zëri opozitar, kjo është një tendencë të mbyten ata të cilët i denoncojnë krimet... Duhet me pas të qartë me çka po ballafaqohemi, pra, angazhimi të mbytet zëri opozitar, sot jemi në 3, nëse i lemë kështu edhe pak as aty nuk kemi me qenë, kjo është gjendja në Kosovë”, tha Tahiri.

Ndërsa, ka thënë se mesazhet e Dejona Mihalit e nxjerrin në pah më së miri kriminalitetin në vendin tonë. Mirëpo, ka theksuar se 9 shkurti (dita e zgjedhjeve) do u heq kapelën, siç tha ai, do të jetë situatë e re në vend.

Tahiri: Mesazhet e Dejona Mihalit e nxjerrin në pah më së miri kriminalitetin në vendin tonë

“Mesazhet e Dejona Mihalit e nxjerrin në pah më së miri kriminalitetin në vendin tonë. Po u jap një shembull, një hulumtim të shkurtë, ku Dejona Mehali i thotë folë me Orgysin se nuk bënë me pas reduktime këto dy ditë, isha kureshtar të shoh kush është Orgysi, edhe ky doli të jetë ish drejtori i Korporatës Energjetike Shqiptare në Shqipëri, pra, imagjinoni një person jo zyrtar i cili e ka në dorë sistemin tonë energjetik, vendos edhe kur me ble e shit rrymën. Kam përshtypjen kur po ballafaqohem me fakte të tilla nuk po e dimë saktë se kush po na udhëheqë, dhe nuk po e dimë saktë se cilat janë këto ndërmarrjet në prapaskenë që ne nuk jemi duke i parë. Pas një hulumtimi del një zyrtar i tyre, siç ishte Naser Hafizi, që del që për një vit i ka qarkulluar rreth 400 mijë euro. Imagjinojeni sa Naser Hafiza janë që ne nuk i dimë. Kriminaliteti fatkeqësisht duket të jetë përtej asaj që po shohim”, tha Tahiri.

Ai tha se të nejtjti kanë vendos që përmes këtyre kapelave të mbulojnë krimin në faljen e borxheve të ujit që shkon rreth 20 milion euro.

Tahiri: Përmes këtyre kapelave të mbulojnë krimin në faljen e borxheve të ujit që shkon rreth 20 milion euro

“Me folë në këtë kuvend, me ju folë këtyre kapelave, është sikur me ju folë deputetëve të LVV-së, është e njëjta. Këta kanë vendos me qenë kapela, me qenë masha të Dejones e intrumenta. Këta nuk i pyet askush, këtyre ju tregojnë kur duhet të vinë në seancë, kur duhet të votojnë e bërtasin, këta nuk dinë, janë të shkretë. Përmes këtyre kapelave të zeza që na nxjerri në pah Dejona, shefja e tyre, këta kanë vendos të mbulojnë shumë krime. Por, munden t’i mbulojnë përkohësisht, por jo përjetësisht. Këta kanë vendos që përmes këtyre kapelave të mbulojnë krimin në faljen e borxheve të ujit që shkon rreth 20 milion euro, 11 të dokumentuara dhe 9 të tjera të cilat janë në dokumentim e sipër. Kanë vendos që përmes këtyre kapelave të mbulojnë krimin edhe në bukën e ushtrisë të Kosovës, poashtu edhe në rezervat shtetërore”, ka shtuar ai.

Haliti ironizon me mosprezencën e deputetëve të VV-së në seancë: Përshëndetje zotërinj me kapuça të zi

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti ka ironizuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje që sot po mungojnë në seancën ku është duke u debatuar për çështjen e faljes së borxheve për ambalazhuesit e ujit.

Ai i përshëndeti përmes kapelave të zi, që PDK-ja ua vendosur sot në ulëset e tyre.

“Përshëndetje deputetë, z.kapuça të zi ose zotëri me kapuça të zi dhe të dashur qytetarë dhe media”, tha Haliti.

E quajti “horr” Isa Mustafën, Selmanaj i kundërpërgjigjet Mihalit

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka komentuar bisedën e koordinatores së VV-së, Dejona Mihali dhe ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi e ku në një pjesë të bisedës, Mihali e quan “horr” Isa Mustafën.

Ai tha se është një problem serioz për ata që Simiqin e quajnë vëlla, e Mustafën horr.

“Nëse këta mendojnë që Isa Mustafa dhe LDK-ja qenkan ‘horra’, e Simiqi qenka ‘brate’ apo vëlla këtu qenka një problem serioz të nderuar që po na shikoni. Kush janë këta njerëz këtu. Në momentin që ne dalim e flasim për këto fenomene këta dalin e thonë këta janë të Serbisë, a në fakt shumë gjëra lidhen kështu ndoshta edhe rastësisht”, tha ai.

“Pse Nagip Krasniqi merr pare nga GEN-i i Serbisë? Pardje doli në media që ky Naser Hafizi paska edhe nënshtetësi të Serbisë. Pse konsultohen këta me një kriminel që ndiqet nga ShBA? Pse këta e quajnë vëlla një serb? A janë të rëndësishme këto? Hajde po e them mendoni ju. Në ndërkohë me i fy shqiptarët, kolegët shqiptar, njerëzit që kanë dhënë shumë kontribut për këtë vend qenka shumë e lehtë shumë e thjesht”, ka thënë ai.

Lekaj: Pushtetit i ka hy uji përfundi, nuk dihet kah i dërgon

Në Kuvendin e Kosovës sot është duke u zhvilluar seanca e radhës e jashtëzakonshme.

Kjo seancë është thirrur nga opozita pas publikimit të disa bisedave që Dejona Mihali nga Vetëvendosje kishte bërë me ish-kryeshefin e KeK-ut, Nagip Krasniqi.

Deputeti nga radhët e AAK-së, Pal Lekaj ka thënë se po përballemi me skandalet e qeverisë Kurti.

“Dejona sot e ka nal transmetimin në RTK me televizionin publik që financohet nga Kuvendi i Kosoës.Dejona nuk di se si nuk e ka nalë energjinë e ngrohjen në Kuvend. Por i themi se ju ka hy uji përfundi dhe nuk dihet kah ju dërgon”, ka thënë Lekaj.

Lekaj ka thënë se po manipulohet për shumë për shumë çështje dhe po dëmtohen qytetarët e vendit.

“Qeveria Kurti ka humbur cdo besim, janë përgjegjës jo vetëm për vjedhje por edhe shpërfilljen e interesave të qytetarëve”, ka thënë tutje ai.

Deliu-Kodra për mungesën në seancë të deputetëve të VV-së: E kanë bërë bërllog

Deputetja e PDK-së Blerta Deliu – Kodra, në seancën e jashtëzakonshme që po mbahet nga opozita në Kuvendin e Kosovës, ka folur rreth mungesës së deputetëve të VV-së.

Ajo tha se “ata tashmë e kanë bërë bërllog dhe se s’kanë çka me thanë”.

“Po kqyrne kolegë deputetë këtë pamje në mesin e kuvendit të Kosovës ku do të duhet të ishin të ulur gjysma e deputetëve të Kosovës e besa krejt pushteti, krejt zbrazët. Kanë ikur, po po, kanë ikur dhe kanë me ikë deri më 9 shkurt. Dhe a e dini pse të dashur kolegë deputetë, se po e dinë që e kanë bë bërllok bash në tana anët, se nuk kanë ma as çka me thanë në këtë foltore, se faktet të cilat po i shohim çdo ditë flasin më shumë se çdo përpjekje e tyre për të thënë se këto që po ndodhin qenkan luftë hibride, e ma nuk janë ka mujnë me rrejt”, tha ajo.

“Krejt kjo ikje e tyre është akti më kokfortë se ata e ndjejnë veten fajtorë kolegë deputetë, se të drejtit nuk ikin por v ijnë me u ballafaqu. Fajtorët e posaqërisht frikacakët i lënë karriget në këtë gjendje para qytetarëve të Kosovës”, u shpreh Deliu- Kodra.

Ajo shtoi se u “vërtetua që kanë bashkëpunuar me Radojciqin në dëm të interesit të Kosovës” dhe se “kanë vjedhë me miliona euro përmes mafisë energjetike dhe Martin Berishajt”.

“U vërtetua që përmes faljes së borxheve me ambalazhues të ujit, dikush i ka fituar diku 400 mijë euro qarkullim bankar vetëm gjatë muajit shkurt por i njëjti i ka blerë katër banesa brenda një viti, dy në Prishtinë e dy në Fsuhë Kosovës derisa Qeveria e ka lënë ushtrinë pa bukë”.

Besnik Tahiri: Kjo qeveri do të ikë më 9 shkurt

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, sot në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës ka thënë se falja e borxheve për ambalazhuesit e ujit në Kosovë, është një super skandal i qeverisë.

E për këtë ai pati edhe disa pyetje.

“Sot jemi mbledhur në Kuvend si deputetë nënshkrues të kërkesë për një debat të jashtëzakonshme në një seancë të jashtëzakonshme me të vetmin qëllim që ta zbardhim një skandal dhe super skandal i cili është i shumti në këto vite e që është në interes të publikut dhe qytetarëve dhe zbatimit të ligjit që të diskutohen disa çështje që janë krucuale në këtë temë. E para cikla është metoda e vendimmarrjes në këtë qeveri? Cili është ndikimi i strukturave joformale , parapolitike në të gjithë vendimmarrjen me paratë publike? Cikli është ndikimi i i politbyrosë së VV-së, në shpërndarjen e buxhetit të Kosovës dhe të zbardhet dhe të shpërfytyrohen njëherë e përgjithmonë niveli më i lartë korruptiv në historinë e Kosovës që ka ndodhur”, tha ai.

Tahiri, foli edhe për mesazhet që janë publikuar në mes të koordinatores së VV-së, Dejona Mihali dhe ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

“Struktura joformale që nuk kanë asnjë rol në Qeveri të Kosovës, nuk kanë funksione publike, sot vendosin për paratë e taksapaguesve të Kosovës. A kuptoni që përmes një pazari negocimi mundohet që paraja publike dhe korrupsioni të instalohet si e mirë publike. A kuptoni që të gjitha veprimet e njëpasnjëshme që ne i kemi diskutu këtu janë duke shpërfaqë dy konkluzione: kjo qeveri ka ardhë në pushtet me mashtrim. Para katër vitesh ka dhënë platformë politike vetëm për me marrë besimin, e atë besim mos me e kthy në të mirë publike të shtetit por me e kthy në të mirë partiake të njerëzve që nuk kanë funksione sikurse që është koordinatorja e VV-së. Ka një aktakuzë që thotë bardhë edhe zi, për një temë që do të duhej të ishte temë e diskutimit në qeveri e joi e diskutimit në zyre e në kafe. A e kuptoni që Kosova ka ardhur në një stad ku diskutojnë struktura joformale edhe kur duhet me u ndal rryme, e kur duhet me u lëshu rryma”, tha ai.

Tutje ai tha se kjo Qeveri do të ikë më 9 shkurt.

“Edhe fëmija në djep e dinë që kur ik dikush është në faj. Kjo qeveri dhe kjo mazhorancë janë në faj sepse nuk kanë se si e mbrojnë në asnjë rrethanë dhe në asnjë mundësi një skandal korruptiv që shihet se është bardhë e zi. Nuk kanë mundësi me e mbrojte një marrë që e ka kaplu Kosovën me rastin e ushqimit dhe nuk kanë mundësi me e fsheh bashkëpunimin sekret, konfidencial me të cilën kanë qenë në mburrje që nuk kanë koalicion me Listën Serbe në fakt vendimmarrjen ka ndodh mu me ndihmën e tyre. Nuk mundet me dal në ballë me u ballafaqu sepse nuk kanë argumente. Kjo qeveri do të ikë më 9 shkurt. Do të ikë njëherë e përgjithmonë”, tha ai.

Tahiri: VV-ja me kapela kanë vendos me i mbuluar shumë krime

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, gjatë seancës në foltore ka dalë me një kapelë. Me kapela kanë shkuar edhe deputetët e tjerë të PDK-së, të cilët i kanë vendosur në mikrofonët e VV-së.

Kjo në shenjë aksioni ndaj bisedave që u publikuan mes Dejona Mihalit dhe Nagip Krasnqit, ku Mihali i thotë Krasniqit “a po vjen te ne… me kapelë”.

Ai ka kritikuar RTK-në që nuk po e transmeton seancën e kuvendit, por një “konferencë të kryeministrit Kurtit për të mbijetuarit e dhunës seksuale”.

“Ndërsa Kuvendin e Kosovës, institucionin që e ka themelu ky institucion paska vendosë më qitë në RTK3. Kjo ska ndodhë kurrë, asnjëherë. Këto kapelat e VV’së, Dejonës, që janë në RTK, janë tu e bë këtë krim. Ky është krim dhe ky është një tendencë më mbyt zërin opozitar, kjo është një tendencë me myt ata të cilët i denoncojnë krimet, ata që arrijnë me shpërfaqë hipokrizinë dhe kriminalitetin e këtij kuvendi”, tha ai.

“Me këto kapela, që i nxori në pah Dejona, shefja e tyre, këta kanë vendos me i mbulu shumë krime. Mujnë me i mbulu përkohësisht, mirëpo jo përjetësisht”, ka thënë Tahiri.

Zemaj: Kjo Qeveri i ka duart të zhytura në korrupsion

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj ka thënë se Qeveria e Kosovës është e zhytur në korrupsion.

Zemaj gjatë seancës së jashtëzakonshme e cila është thirrur nga opozita për procesin e përllogaritjes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit, si dhe mënyrën dhe bazën e shlyerjes së borxheve nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka thënë se edhe deputetët e LVV-së do duhej të ishin pjesë e kësaj seance që të dëgjonin se çfarë ka bërë kjo qeveri.

“Nga shqetësimet tona është thirrur kjo seancë e jashtëzakonshme, edhe deputetët e LVV-së do të duhej të ishin këtu e të dëgjonin korrupsionin e madh që e ka bërë kjo Qeveri. Vet fakti tregon që kjo Qeveri duart e pastërta nuk i ka, i ka të zhytura në korrupsion dhe atë në shkallë të lartë.

Dëmtimi i buxhetit të shtetit nga Ministria e Mjedisit me një personazh si Naser Hafizi. Por, edhe me publikimin e mesazheve të Dejona Mihalit dhe tashmë të arrestuarit Nagip Krasniqi duke diskutuar për KEK-un”, ka thënë ai duke shtuar se “Krasniqi është njeri shumë i afërt me Kurtin, ndërsa Dejona është vet Kurti”.

Zemaj theksoi se: “Kjo skemë e krimit financiar mirë organizuar dhe e strukturuar në qeveri dhe e kontrolluar nga politika e krimit duhet të zbardhet në prokurori. LDK do të shfrytëzoj të gjitha mekanizmat ligjor dhe kushtetuese për të zbardhur të gjitha pikat e korrupsionit në këtë Qeveri”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat