Shala pyet qeverinë: Sa është numri i operatorëve të ujit në Kosovë?
Kuvendi i Kosovës po e mban një seancë të jashtëzakonshme ku po diskutohet për procesin e përllogaritjes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit, si dhe mënyrën dhe bazën e shlyerjes së borxheve nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Në seancë nuk janë të pranishëm deputetët e mazhorancës, por veç ata të opozitës.
Në fjalën e tij, deputeti i PDK-së Ferat Shala, ka kërkuar llogari nga Qeveria lidhur me këtë çështje.
“A është respektuar ligji për temën që po e trajtojmë? Tash hapat që i ka ndërmarrë shteti po tregojnë që nuk është respektuar. A është menaxhuar sektori i ujit mbi bazën e legjislacionit në fuqi? Kush dhe si menaxhon për sektorin e ujërave në Kosovë? Pse edhe pas tri vjet qeverisje, institucioni i ujërave udhëhiqet nga ushtrues detyre?, krejtësisht në mënyrë të paligjshme. Ne duhet ta dijmë se sa është numri i operatorëve të ujit, gjegjësisht ambalazhuesve?”, tha ai në fjalën e tij.
Shala pati edhe një varg pyetjesh për ekzekutivin lidhur me këtë temë që u diskutuan në kuvend nga opozitarët.
Fillon seanca e jashtëzakonshme për ambalazhuesit e ujit, pushteti sërish s’merr pjesë
Ka filluar seanca e jashtëzakonshme për procesin e përllogaritjes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit, si dhe mënyrën dhe bazën e shlyerjes së borxheve nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturë, e thirrur nga partitë opozitare.
Edhe në këtë seancë nuk po marrin pjesë deputetët e mazhorancës.
Para se të fillonte seanca deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës vendosën kapela të zeza tek ulëset e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Kuvendi filloi seancën edhe me një minutë heshtje në nderim të komandantit të parë i KFOR-it, Gjenerali Sir Mike Jackson.
Kuvendi sot me seancë të jashtëzakonshme
Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë sot seancë të jashtëzakonshme nga ora 12:00 ku në rend dite do të ketë debat Parlamentar për procesin e përllogaritjes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit.
Si dhe mënyrën dhe bazën e shlyerjes së borxheve nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Ky debat vjen me kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës.
Kryetari i grupit parlamentar të PDK-së Abelard Tahiri, të martën përmes një konference për media tha se në këtë seancë, do të flitet edhe për çështjen e përgjimeve të Dejona Mihalit me e ish-drejtorin e KEK-ut, Nagip Krasniqi.