Selmanaj, organeve të drejtësisë: Mos u ndalni veç me Hafizin, ai është veç instrument i skemës korruptive

Aktuale

Selmanaj, organeve të drejtësisë: Mos u ndalni veç me Hafizin, ai është veç instrument i skemës korruptive

Më: 16 tetor 2024 Në ora: 14:21
Driton Selmanaj

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, në fjalën e tij në seancën e jashtëzakonshme të thirrur për çështjen e arrestimeve në ministrinë e Mjedisit, deputetëve të VV-së të cilët s’shkuan në këtë seancë, iu referua si “të nderuar kapela të zeza”.

Këtë “përshëndetje”, Selmanaj e bëri pas publikimit të bisedave ku pretendohet se koordinatorja e Komiteteve të VV-së, Dejona Mihali, e ka pasur me ish-kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqin, të cilin e ka ftuar në një takim dhe e ka sugjeruar që të shkonte me kapele.

Selmanaj tha se VV-ja gjithmonë në të kaluarën kuvendin e ka parë si arenë për të bërë fushatë politike, si arenë për të dëshmuar forcën e vet, për të bërë propagandë e për të promovuar, sipas tij, edhe idetë e mbrapshta, por tash, siç tha ai, po ikin nga kuvendi.

“Dhe pyetja shtrohet se pse po ikin nga kuvendi. Jam i bindur për këtë, janë koritë me fund. Këta nuk kanë fytyrë më me ardhë dhe të ballafaqohen. Duke i njohur disa nga deputetët e VV-së, jam i bindur se ata nuk duan as të vijnë këtu dhe nuk duan t’i shohin disa prej kolegeve dhe kolegëve që janë të përfshirë në këtë proces”.

“Jam i vetëdijshëm që çështja e ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës është në duart e organeve të drejtësisë. Nuk provoj që të flasë që në një formë mund të interferojmë në organet e drejtësisë. Por, më 25 prill të këtij, këto fjalë që këto ditë po dëshmohen me arrestimin e Naser Hafizit, unë i kam thënë në këtë kuvend dhe kam bërë thirrje organeve të drejtësisë që të vihen në lëvizje sepse kemi një skenë të organizuar korruptive dhe ashtu doli”, tha Selmanaj.

Tutje, ai i bëri thirrje organeve të drejtësisë që mos të ndalen veç me arrestimin e Naser Hafizit, pasi sipas tij, Hafizi është veç instrument i realizimit të skemës korruptive.

“I bëjmë thirrje organeve të drejtësisë që të mos ndalen veç me Naser Hafizin, pasi ai është vetëm instrument i realizimit të skemës të korrupsionit të strukturuar që VV-ja ka vendosur ta aplikojë në Kosovë”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat